Tarifat shkollore 


Viti elektoral, Këshilli i Ministrave vendosi rritje sa indeksi i inflacionit


Lorina Mixha


Universitetet në vend kërkuan për këtë vit nga Ministria e Arsimit të propozonte rritje tarifash shkollore, por kjo nuk u mor parasysh.


Në çdo vit elektoral, Këshilli i Ministrave ka miratuar lehtësi dhe komoditete për studentët. Para marrjes së mandatit të qeverisë “Berisha 2”, Këshilli i Ministrave miratoi heqjen e studimeve me pagesë. Disa vite më parë në universitetet e vendit pas mbylljes së fazave rutinë të regjistrimit, universitetet pranonin studentë nëpërmjet kuotave dytësore, të cilat paguheshin nga studentët. Të gjitha këto para i kalonin institucionit në formën e të ardhurave dytësore. Kjo u hoq me vendim qeverie.


Tarifat


Po ashtu edhe këtë vit institucionet e arsimit të lartë në vend kanë kërkuar rritje të tarifave shkollore, për të gjithë studentët, por edhe për degë të veçanta.


Kjo nuk është marrë në konsideratë nga qeveria. Madje, Kryeministri Sali Berisha në një nga mbledhjet e qeverisë para çeljes së vitit akademik e ka thënë hapur dhe pa doreza se propozimet për rritje të tarifave shkollore nuk do të merren parasysh. Rritja sipas tij do të ishte vetëm sa indeksi i inflacionit, dhe ashtu u bë.


As cikli i parë i studimeve universitare, as masteri, as cikli i doktoraturës për këtë vit nuk do të kenë rritje të tarifave shkollore. Por universitetet, në propozimet që i bënë Ministrisë së Arsimit kanë sqaruar se kostot e studimeve, mirëmbajtja e ambienteve, shtimi i pedagogëve dhe të gjitha elementet e mësimdhënies janë shtrenjtuar dhe në këtë pikë është e nevojshme rritja e tarifave shkollore. Po ashtu, edhe Ministria e Financave ka bërë të njëjtën argumentim njësoj si universitetet. Në shkresat sqaruese, Ministria e Financave ka theksuar se është koha që studentët për shkollim të paguajnë në formën e tarifës vjetore më shumë para se vitet e kaluara.


IAL dhe Financat


Ministria e Financave me shkresën nr. 22650/1, datë 8.8.2012, “Mendim për një projektvendim”, ka kërkuar që në relacion të analizohet dhe argumentohet rritja e tarifave, si dhe të vlerësohen të ardhura shtesë, të paktën për ciklin pasuniversitar, master, profesional apo shkencor, me kohë të plotë dhe part time.


“Tarifat e studimit janë caktuar në bazë të tarifës së vitit paraardhës duke shtuar vlerën 4% (sa niveli i inflacionit). Për këtë është marrë parasysh dhe sugjerimi i Ministrisë së Financave. Efektet e pritshme financiare të këtij projektvendimi parashikohen rreth 279 milionë lekë. Për studentët që vijnë nga shtresat sociale në nevojë, sipas pikës 12-të të projektvendimit, janë parashikuar të ndjekin studimet me tarifa të reduktuara me 50%. Efekti financiar i këtij projektvendimi do të jetë rreth 279 milionë lekë, pa llogaritur këtu efektet financiare shtesë që vijnë si pasojë e mospërfundimit në kohë të studimeve nga ana e një pjese të studentëve, të cilët, ashtu siç përcaktohet në projektvendim do të paguajnë tarifën për kreditet e mbetura në lëndët ku kanë rezultuar mbetës.


 


Të dhëna


Rritja – E tarifave shkollore për studentët për ciklin universitar dhe pasuniversitar është kërkuar nga universitetet e vendit, por edhe nga Ministria e Financave


Mbetësit – Sipas argumentimit të Ministrisë së Financave kërkohet që për universitetet të vlerësohen të ardhurat shtesë duke i përdorur ato për nevojat e institucionit


Qeveria – Nuk e ka pranuar rritjen e tarifave të shkollimit, duke sqaruar se për këtë vit nuk do të merren në konsideratë propozimet për kosto më të lartë për studentët