Droga e sekuestruar gjatë operacionit “Sirena di Mare”


Policia e Vlorës ka mundur të ndalojë në sasi të konsiderueshme droge, që kishte për destinacion Italinë. Burimet policore sqarojnë se super-operacioni është zhvilluar gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme dhe gjatë tij është arritur të bllokohen në peshkarexhën “Sirena Di Mare” rreth 1 ton e 125 kg marjuanë dhe të arrestohen pesë korrierët e saj.


Të arrestuarit janë Antonio (Eduart) Muho, 34 vjeç, i cili ishte drejtuesi i grupit, Sokol Muho, 42 vjeç, pronar i peshkarexhës, Qazim Nebiu, 43 vjeç, kapiten i peshkarexhës, Erion Kasëmi 31 vjeç, pronar i një mjeti lundrues ndihmës, Kostandin Shani, 43 vjeç. Të gjithë të ndaluarit janë banues në Vlorë. Nga burimet policore mësohet se droga ishte blerë në Lazarat dhe ishte sjellë në Vlorë në afërsi të Petroliferës.


Peshkarexha Sirena di Mare


“Me anë të varkës së peshkimit “EDI”, droga është transportuar nga bregu dhe ngarkuar në peshkarexhën “Sirena Di Mare” me pronar shtetasin Sokol Muho. Nëpërmjet peshkarexhës “Sirena Di Mare” lënda narkotike do të nxirrej deri në ujërat neutrale ku do të vinte një mjet lundrues nga brigjet italiane për të marrë sasinë e lëndës narkotike. Droga ishte fshehur brenda një anije, në portin e peshkimit, në vendin e quajtur Triport në afërsi të Zvërnecit”, thuhet në njoftim zyrtar të policisë së Vlorës.


Policia vijon hetimet për zbardhjen e rrjetit të trafikut dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.


8 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)