Ditën e sotme është mbajtur takimi i parë i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.. Gjatë fjalës së tij përpara pjesëmarrësve, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth tha se: “Pjesëmarrja juaj është një tregues jo vetëm i interesit të vendeve dhe organizatave tuaj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe i angazhimit tuaj për t’u ofruar asistencë dhe mbështetje autoriteteve shqiptare”. Më tej Wollfarth vlerësoi punën e deritanishme të KQZ, e cila sipas tij ka vepruar në bazë të vendimeve të njëzëshme dhe profesionale.


“KQZ-ja i ka hyrë punës me vrull dhe duket e vendosur për ta kryer atë me profesionalizëm dhe në mënyrë jopartiake. Deri më tani vendimet kanë qenë të njëzëshme dhe më vjen mirë të them se klima e përgjithshme e takimeve në KQZ ka qenë pozitive. Është shumë e rëndësishme që KQZ-ja të bëjë përpjekjet maksimale për t’i realizuar me efikasitet përgatitjet komplekse për zgjedhjet parlamentare. Nuk mendoj se mund ta teproj së theksuari rëndësinë e madhe të të pasurit një atmosferë bashkëpunimi në KQZ, me një pjesëmarrje aktive dhe konstruktive të të gjithë anëtarëve. Konsensusi i arritur nga partitë kryesore parlamentare për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore duhet të pasohet nga një zbatim i plotë dhe i sinqertë i kodit të ndryshuar zgjedhor nga të gjithë aktorët e përfshirë. Kjo vlen veçanërisht për përdorimin e teknologjive të reja në zgjedhje: një frymë besimi midis partive dhe vullneti të mirë është thelbësore për zbatimin me sukses të këtyre teknologjive” tha më tej ai.


Kreu i OSBE theksoi se një prej arsyeve pse propozuan hartimin e një Kodi Sjelljeje për partitë politike, është që të shmangë përdorimin e një gjuhe të papërshtatshme gjatë fushatës së ardhme zgjedhore.

“Në një takim që pata me Presidentin e Republikës më 26 tetor diskutuam hartimin e një kodi të tillë. Ai e mirëpriti këtë nismë dhe premtoi mbështetje të plotë me synim që së bashku me Prezencën të hartohej ky kod dhe të merrej miratimi i partive politike. Sigurisht që ne e mirëpresim mbështetjen e bashkësisë diplomatike këtu në Shqipëri për këtë përpjekje, e cila besojmë se do të kontribuojë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta”, – tha Wollfarth.


Grupi i Punës është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare për të shkëmbyer informacion në lidhje me zgjedhjet, si dhe për të bashkërenduar qëndrimet.

8 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)