Kryeministri Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët pasditen e sotme, i ka kërkuar sërish kreut të PS që të votojnë së bashku me mazhorancën në seancën e ardhshme parlamentare ligjet me 3/5, të kërkuara nga BE për integrimin.
“Sytë dhe mendja e qytetarëve do të jenë të fokusuar tek seanca e së enjtes kur do të votohen tre ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të kërkuara nga KE. Shfrytëzoj rastin edhe një herë të ftoj zotin Rama të votojë këto tre ligje që janë përcaktuese për qëndrimin përfundimtar të KE ndaj çështjes së statusit për vendin. Këto tre ligje u cituan në mënyrë eksplicite nga Komisioneri Fyle si kërkesa për raportin përfundimtar që komisioni do të bëjë në 20 nëntor, për vendet anëtare. Do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe, para qytetarëve dhe evropianëve, bllokimi apo votimi kundër i tre ligjeve të munguara”, ka deklaruar Berisha.
Kryeministri i ka rikujtuar edhe një herë liderit të opozitës e bërë prej tij për të zgjidhur çështjen e Qarkut të Fierit përmes një mocioni mosbesimi, duke e siguruar se se, këshilltarët e djathtë do të jenë të pranishëm për të garantuar kuorumin e duhur për një mocion në çdo qark. Gjithashtu kryeministri i ka bërë thirrje kreut të PS që të mos ndjekë dy standarde sa i përket mundësisë së votëbesimit, duke i kujtuar se vetë opozita e ka zbatuar të drejtën për mocion në komunën e Bubullimës në Lushnjë.
“Keni dëgjuar ofertën e bërë prej meje ditët e fundit dhe natyrisht oferta ime ka synim vetëm hapjen e rrugës dhe krijimin e mundësive për opozitën që të dalë nga orbita bllokuese ku është pozicionuar. Dua të informoj qytetarët se oferta për të votëbesuar secilin nga anëtarët e shumicës në këshillin e qarkut do të ishte zgjidhja më e ndershme. Pretendimet se mocioni nuk ekziston si mundësi janë qesharake dhe një mashtrim i mirëfilltë që u bëhet qytetarëve.
Unë e siguroj zotin Rama se do të ushtrohet e drejta e mocionit, se anëtarët e këshillave të mazhorancës do të paraqiten në çdo takim të kërkuar për mocion, prandaj le ta shndërrojmë këtë nen në një mekanizëm që certifikon të zgjedhurit e këshillit të qarkut”, – ka nënvizuar Berisha.
Buxheti 2013, më i madhi në histori. Rritja ekonomike 3 herë më e madhe se vlerat e shpallura nga institucionet ndërkombëtare
Më tej, i pyetur nga gazetarët, kryeministri ka folur për buxhetin e shtetit, i cili sipas tij do të jetë më i madhi në histori, si dhe për rritjen ekonomike, e cila sipas tij çdo vit ka rezultuar 2 ose 3 herë më e madhe se parashikimet e institucioneve ndërkombëtare.
“Buxheti do të jetë më i madhi në historinë e këtij vendi dhe kjo është përgjigjja më e qartë e performancës sonë. Për sa i përket rritjes ekonomike vjetore, ajo në secilin vit ka rezultuar të jetë 2 ose 3-fish i vlerave të shpallura nga institucionet ndërkombëtare. Jam i bindur se edhe ky vit do mbyllet me një vlerë të përafërt me atë të shpallur gjatë këtij viti”, ka thënë Berisha.
Ndërsa në lidhje me CEZ dhe mundësinë e qeverisë për të menaxhuar e vetme Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes nëse kompania çeke largohet, ai ka dhënë këtë përgjigje:
“Në rastin e CEZ, marrëdhënia është transparente. Analizat nuk janë vetëm të palës shqiptare edhe asaj çeke, por janë edhe të institucioneve ndërkombëtare. Gjithçka zhvillohet dhe do zhvillohet në përputhje me ligjet e vendit. Ka apo jo kapacitete qeveria shqiptare për administrimin e shpërndarjes së energjisë, unë gjykoj se po, duke u bazuar edhe tek treguesit”, ka theksuar Berisha.
Kryeministri ka pranuar se humbjet janë të mëdha, por se qeveria po bën gjithçka që qytetarëve të mos i mungojë për asnjë moment energjia për shkak të furnizimit me të, duke nënvizuar se çështja e pagesës së energjisë është tjetër gjë dhe se ajo duhet të paguhet nga të gjithë.
Privatizimi i Albpetrol, të ardhurat do të shkojnë për qytetarët. Kryeprokurori i ri? Kompetencat i ka vetëm presidenti
Duke folur në lidhje me privatizimin e “Albpetrol”, i pyetur se si do të përdoren fondet e këtij privatizimi, kryeministri Berisha ka vlerësuar se përfundimi me sukses i privatizimit të kësaj kompanie detyron qeverinë që çdo dollar që del nga ky proces ta kthejë në mirësi për qytetarët shqiptarë.
“Ky është qëllimi im i palëkundur dhe do bëjmë gjithçka që ajo të kthehet në një levë të fuqishme të ndikimit direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë. Asnjë lidhje nuk ka me zgjedhjet ky problem, sepse nëse u referohemi fondeve të mobilizuara këto vite, ato janë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe shumë herë më të larta sesa këto që po flasim tani”, ka nënvizuar Berisha.
Ndërsa i pyetur lidhur me çështjen e prokurorit të ri përgjithshëm apo kohës se kur i mbaron mandati kryeprokurores aktuale Ina Rama, kryeministri ia atribuoi tërësisht presidentit të Republikës përgjegjësinë për emërimin e tij.
“A më mbetet mua e drejtë morale të imagjinoj se cili do ishte prokurori i përgjithshëm ideal për Sali Berishën? Jo, nuk harxhoj asnjë sekondë për të menduar këtë. Presidenti ka kompetencat e duhura. Kam besimin se kandidatura do të jetë, burrë apo grua, me aftësitë dhe integritetin e domosdoshëm”, ka nënvizuar Berisha.
9 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)