Interpelanca


Replika ndërmjet kreut të PBDNJ-së dhe ministrit të Jashtëm në Kuvend


Gjendja e komuniteteve minoritare në vendin tonë ka bërë që deputeti Vangjel Dule, njëherësh kreu i PBDNJ-së, të thërrasë në interpelancë ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.


Në përgjigje të interesit të deputetit Dule, shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi tolerancën si një pasuri kombëtare, mbi të cilat ngrihet bashkëjetesa mes komuniteteve të ndryshme dhe vendasve. “E falënderoj zotin Dule se më jep rastin të paraqes para jush një nga pasuritë e kombit, siç është toleranca. Nuk ka asnjë rast të vetëm që përfaqësuesit e minoriteteve të jenë rast dhune. Në fjalën time do të paraqes angazhimin e Shqipërisë në lidhje me konventën në kuadër të Këshillit të Europës. Kjo konventë ka përcaktuar edhe mënyrën e mbrojtjes së komuniteteve. Respekti i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve në veçanti përbën një angazhim të qeverisë”, deklaroi Panariti. Duke iu referuar censusit, Panariti tha se deklarimi i etnisë ka qenë i lirë dhe nuk është ndëshkuar asnjë rast mashtrimi. “Përfshijmë pyetjen për përkatësinë etnike në census. Hartimi i pyetësorit është i përgatitur ngushtë me Eurostatin. Edhe gabimet me të dhënat e rreme janë në përputhje me standardet kombëtare. Nuk ka pasur ndëshkim me gjobë për deklarimin e rremë nga minoritetet dhe në asnjë rast qeveria shqiptare nuk është shprehur kundër njohjes së minoriteteve të tjera në vend”, theksoi Panariti.


Dule


Gjatë fjalës së tij si replikë, Dule akuzoi qeverinë për kuadër të paplotë për minoritetet, ndërkohë që akuzoi se nuk ka asnjë akt nënligjor për zbatimin e tij. “Në lidhje me komentet e Ministrisë së Jashtme të qeverisë, do të doja të shprehesha personalisht, duke e konsideruar të paarrirë dhe justifikues në vend që të ishte argumentues dhe me një kurajë të madhe për t’i dhënë leksione Këshillit të Europës. Doja të theksoja kuadrin ligjor, pasi është i paplotë, në të tria rekomandimet dhe opinionet. Është e treta herë që KiE na rekomandon se duhet të miratojmë dhe të ratifikojmë kartën e gjuhëve minoritare, që në vitin 1995 dhe e dini që e kemi angazhim, që kur jemi anëtarësuar në Këshillin e Europës. Duhet një ligj integral për të drejtat e minoriteteve. Ne nuk kemi asnjë akt nënligjor për implementimin e kuadrit ligjor”, deklaroi Dule, duke e vënë theksin se premtohet dialog me përfaqësuesit e minoriteteve, por në realitet nuk ndodh sipas tij. “Ne kishim rastin e Aristotel Gumës, ajo ishte vrasje për arsye etnike, por ju thoni se ishte vetëm një rast. Ka forca politike që ngrenë retorikë pseudoraciste. Ne po ngremë një Shqipëri europiane dhe kemi para gjuhën e urrejtjes. Regjistrimi i etnisë ishte shkelje e mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve”, deklaroi Dule, i cili e quajti të dështuar procesin e censusit.


 


Dule – “Ka forca politike që ngrenë retorikë pseudoraciste. Ne po ngremë një Shqipëri europiane dhe kemi para gjuhën e urrejtjes. Regjistrimi i etnisë ishte shkelje e mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve”


“Nuk ka pasur ndëshkim me gjobë për deklarimin e rremë nga minoritetet dhe në asnjë rast qeveria shqiptare nuk është shprehur kundër njohjes së minoriteteve të tjera në vend”