Enti Rregullator i Energjisë dyshon te shpenzimet dhe situata e vështirë e kompanisë
Grupi CEZ -“CEZ Shpërndarje”, “CEZ Trade” dhe “CEZ Albania”, së bashku kanë realizuar një xhiro prej 377 milionë euro në 2011, me një rritje prej 4.1% me bazë vjetore, sipas të dhënave të deklaruara nga Tatimet, ku 93% e xhiros i takon CEZ Shpërndarjes
ARD KOLA
CEZ deklaron bilance me humbje, aq sa nuk mund të përballojë faturën e importit të energjisë elektrike, si detyrim për mbulimin e vjedhjeve në rrjet dhe mospagesat e faturave. Pak ditë më parë, bordi drejtues i kompanisë në Pragë deklaroi se humbjet në 6-mujorin e parë të vitit 2012 ishin rreth 100 milionë euro. Në vitin 2011, kompania CEZ Shpërndarje krijoi një xhiro prej 350 milionë euro, dhe nisur nga ecuria, po aq mund të realizojë edhe këtë vit. Megjithatë, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka dyshime të forta dhe për këtë shkak ka nisur hetimet mbi të dhënat e bilanceve. Nëse kompania del me humbje, atëherë vetvetiu lind pyetje, se çfarë e rëndon CEZ të dalë negativisht, pasi ERE mendon të kundërtën, duke u nisur nga tarifat e vendosura për shitjen e energjisë elektrike.
Eduard Elezi, drejtori juridik i ERE, deklaroi dje për mediat se po verifikohen shpenzimet e kompanisë, për të parë realisht nivelin e humbjeve të saj dhe për vërtetuar arsyet se pse CEZ ndodhet në situatë të vështirë financiare. Elezi thotë se me tarifat e vendosura nga ERE për shitjen e energjisë, CEZ nuk duhet të kishte probleme financiare, dhe se planet ishin për një operim të shoqërisë në mënyrë sa më funksionale. “Duhet një monitorim nga se kompania ka pasur vështirësi financiare dhe cilat janë ato shpenzime që kompanisë i kanë sjellë vështirësi financiare”, thotë Elezi.
CEZ nuk ka kryer as 1 për qind të planit të investimeve për vitin 2012, pra pothuajse janë stopuar, kur programi ishte rreth 6.5 miliardë lekë, por shoqëria sqaron se gjoba e tatimeve ndryshoi projektet, duke frenuar nisjen e shpenzimeve me vlerë 5 miliardë lekë, parashikuar për katër muajt e fundit të vitit.
Verifikimet paraprake të ERE tregojnë se CEZ nuk po e bën punën si duhet. “Të dhënat e grupeve të monitorimit, të dhënat fillestare të pashqyrtuara, sepse tregu i rregulluar duhet shqyrtuar në të gjithë elementet e saj, janë që kompania e shpërndarjes nuk po realizon importet e energjisë elektrike, për të mbuluar humbjet në sistemin e shpërndarjes”, tregon më tej Elezi. ERE është e bindur se me të ardhurat që krijon kompania, gjendja e saj nuk mund të jetë aq kritike, sikurse pretendon.
Kreu i Zyrës Juridike të Entit tha se pas përfundimit të kontrolleve, Bordi i Komisionerëve do të marrë edhe vendimi përfundimtar në lidhje me licencën e kompanisë. “Me mbarimin e informacionit përfundimtar dhe relatimin e këtij informacioni pranë Bordit të Komisionerëve do të jenë drejtoritë teknike, të cilat do t’i propozojnë Bordit që të kemi një vendimmarrje në lidhje me çështjen që po flasim”, tha Elezi.
Në deklaratën publike, autoriteti që rregullon sektorin e energjisë u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës, e cila një ditë më parë tha se CEZ ka transferuar dhjetëra milionë euro jashtë shtetit.
“Nuk është detyrë e Entit të ndjekë apo mbikëqyrë lëvizjet e fluksit të parave të një licencuari, qoftë kjo edhe shoqëria CEZ- Shpërndarje. Ajo që kërkohet nga ERE është monitorimi i realizimit faktik i shpenzimeve të të licencuarit, përfshirë shpenzimet operative dhe ato për investime dhe krahasimi i tyre me ato të parashikuara në tarifë”, tha Elezi. Dy ditë më parë, “Shqip” trajtoi pretendimet e palëve rreth parave të CEZ, se ku i çon kompania dhe pse bilancet nuk e bindin si duhet ERE.
Monitorimi
Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Kufizimet kolektive, të padrejta
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), veçanërisht muajin e fundit, ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim informacionin mediatik, por edhe ankesat publike të shtetasve, se në mjaft rrethe të vendit, por sidomos në fshatra, ka pasur ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike me ditë të tëra. KSHH është informuar dhe njeh edhe faktin se një numër jo i vogël i shtetasve nuk paguajnë detyrimin që kanë për shpenzimin e energjisë elektrike ose nuk e paguajnë atë rregullisht. “Por kjo situatë, në asnjë mënyrë, nuk mund të justifikojë ndërprerjet kolektive të energjisë apo faturimin aforfe, madje në disa raste me shuma marramendëse”, thotë Komiteti. KSHH vazhdimisht ka bërë thirrje që ky detyrim duhet shlyer rregullisht, por ÇEZ me veprimet e tij, të pajustifikuara, jo transparente dhe të kundraligjshme ka nxitur konflikte që kanë shpërthyer në protesta që në raste të veçanta është dashur edhe ndërhyrja e organeve të policisë. KSHH ka kryer monitorime në rrethin e Lezhës, nga ku konstaton se ka pasur ndërprerje për ditë të tëra të energjisë elektrike, ku janë përfshirë edhe banorët që kanë qenë në rregull me shlyerjen e detyrimit. Kjo ndërprerje ka vazhduar edhe me muaj si p.sh në Komunën Kolsh. KSHH në përfundim u sugjeron të gjithë shtetasve që kanë qenë dhe janë në rregull me detyrimin ndaj CEZ, në rrugë të ligjshme, të kërkojnë dëmshpërblimin që u ka shkaktuar atyre kompania e mësipërme.
A.K