Ankesa


Ndryshimet e fundit ligjore te “procedurat tatimore”, konkretisht te deklarimi i punonjësve, duke propozuar 5-fishim të gjobave, po shqetësojnë pa masë biznesin e fasonit, sektorin që punëson shtresën e varfër në vend. Bordi Drejtues i Dhomës Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, shpreh shqetësimin mbi efektet e ligjit të ri, që parashikon gjobë prej 500 mijë lekësh për subjektet e TVSH dhe 250 mijë lekë për subjektet e tjera, me rritje 5 herë.


“Rritja me 500% e gjobës për mosdeklarim të punonjësve do të ndikojë në rritjen e abuzivizmit dhe të arbitraritetit të administratorëve publikë, kryesisht të inspektorëve të punës dhe, sidomos të dukurisë së korruptimit të dyanshëm për një numër të caktuar subjektesh”, thuhet në letër. Bordi drejtues i DHKPV, nëpërmjet përfaqësuesit zyrtar në KKB, është shprehur se krahas kësaj mase drastike, qeveria mund dhe duhet të kishte ndikuar në implementimin e projektit disavjeçar të deklarimit online të punëtorëve të rinj, një projekt që ka mbetur në “kalendat greke”. “Kosto e deklarimit, e regjistrimit dhe e çregjistrimit të të punësuarve, frekuenca e të cilëve është nga më të lartat në rajon, nuk duhet t’i ngarkohet gjithnjë punëdhënësit. Ndërmarrjet tona po përballojnë, përveç efekteve të krizës së tejzgjatur, edhe kosto të tilla që po ulin konkurrueshmërinë dhe po i nxjerrin jashtë tregut”, vijon më tej letra.


A.K