FATOS BAXHAKU


Varfëria nuk paska moshë. Ajo ecën e qetë, e sigurt, gati-gati krenare përmes fateve të njerëzve që i ka mbërthyer një herë. Të paktën në lagjen “Gjeologu” të Bulqizës ndodh kështu. Vite më parë kishim njohur disa personazhe të vegjël, që e shtynin jetën në këmbë të një mali krejt të veçantë, të zi, që rrëshqet ngadalë drejt qytetit. Porsa rriteshin, shumica e tyre i kacavirreshin atij shpati të frikshëm me një kovë e një sqepar në dorë. Vite më parë besonim se gjërat do të ndryshonin, se fëmijët duke u rritur do t’i shpëtonin hijes së frikshme të varfërisë që vinte nga mali. Për fat të keq, nuk ka ndodhur kështu, ka mjaftuar vetëm një shëtitje e thjeshtë disa orëshe përmes lagjes më të varfër të Bulqizës, për ta kuptuar se sa e vështirë është që një fëmijë në këto anë t’i shpëtojë kthetrave të varfërisë e të punës së rëndë. Po kaq lehtë e kupton se këta fëmijë kanë kohë që janë braktisur në mëshirën e fatit të tyre të damkosur. E kështu që na janë kujtuar shënimet që kemi marrë kohë më parë.



Nëntor 2012


Në Qafë-Bull ka nisur të vijë era dimër. Një mjegull e dendur na pengon të shikojmë përpara, teksa kemi nisur t’i afrohemi ngadalë Bulqizës. Mbi qytet bie një shi i rrëmbyer dhe njerëzia janë strukur ndër bare me xhama të mjegulluar. Që tani kemi nisur ta ndjejmë një ndjenjë që do të na përsëritet edhe më pas. Që tani na duket sikur koha është ndalur diku në të dalë a në të hyrë të qytetit. Presim sa të rrallohet ca shiu dhe marrim rrugën drejt “Shtogut”, grumbullit me mbetje të kromit që për shumë vjet ka qenë burim jetese për shumë familje. Këtu, punëtorët thuajse të vetëm, janë fëmijët dhe diku më pak edhe gratë. Në fillim kthejmë në shtëpinë e Nexh minatorit. Këtu kishim njohur familjen e tij. Këtu kishim njohur Enverina që donte të bëhej mjeke, teksa rriste vëllezërit e saj më të vegjël. Këtu e ëma na kishte thënë se edhe ajo do t’i futej malit të kromit, “po ja sa të forcohet edhe pak”. Në shtëpi nuk përgjigjet askush. Ne dëgjojmë vetëm erën që vërshëllen fort të përzier me pikat e rënda të shiut. Ne nuk arrijmë të mësojmë nëse vajza e vogël i është qepur malit si të tjerët, apo vazhdon të ëndërrojë të bëhet mjeke. Nuk e dimë madje as edhe si është shëndetligu Nexhmi Shira.


Ca më tej është shtëpia e Hamit Balliut. “Shkolla ha pare, mali sjell pare”, na pat thënë dikur minatori që kishte humbur një sy në minierë. Edhe këtu e njëjta skenë. Shtëpia është e mbyllur dhe era vërshëllen përmes dritareve të veshura me plastmasë. Fqinjët na thonë se më të vegjlit i janë ngjitur malit me shpresën që të mbledhin gurë porsa shiu të pushojë. Na thonë gjithashtu se familjes së ish-minatorit i kanë ndodhur edhe dy ngjarje fort të rëndësishme. Lajmi i parë është i gëzueshëm, njëra nga vajzat është martuar. Porse lajmi i dytë është krejt i trishtë: Hamiti, minatori me një sy, ka humbur jetën para pak kohësh. Familja mbahej në një masë të madhe prej pensionit të tij të invaliditetit: tetë vetë me 10 mijë lekë në muaj. Ja përse i duhesh qepur malit!


Në shtëpinë e Skënder e Zare Përkolës duket sikur koha nuk do të lëvizë. E njëjta shtëpi si para pesë vjetësh, e njëjta sobë mbi të cilën zien një tenxhere e madhe me fasule, të njëjtat këpucë të përbaltura në korridor, të njëjtat ankesa të Zares për shëndetin e saj të sakatuar… Por varfëria ka moshën e saj. Pesë vjet më parë dëgjonim të qarën e një djali njëvjeçar, të ulur në pragun e shtëpisë së tij me lagështirë. Tani i njëjti djalë na pret në hyrje të shtëpisë me këmbët qull dhe me një buzëqeshje të ndrojtur. Ky është Gesi. Gesi nuk shkon në shkollë. Tashmë duhej të kishte nisur klasën e parë, por ecejaket e së ëmës nga spitali në shtëpi kanë bërë që djaloshi të jetojë më shumë ndër kushërinj se sa në shtëpinë e vjetër në skaj të “Shtogut”. Djalit që tani shkolla i duket një gjë e kotë. Tani duket sikur pret me durim sa të “forcohet” dhe t’i qepet edhe ai malit të zi prej minerali.


Shiu ka pushuar befas, një grup i madh me fëmijë e gra i ngjiten malit përpjetë. Poshtë në qendër, mësimi sapo ka mbaruar dhe hareja e nxënësve që po kthehen në shtëpi ka mbushur qytetin. Në Bulqizë, jo të gjithë janë bijtë e mjerimit.


 


***


 


Nëntor 2010


Enverina është vajza më e madhe në shtëpinë e Nexhmi Shirës, ish-minator, invalid. Prindërit i kanë vënë emrin e një halle të ndjerë e cila pat vdekur në moshën 18-vjeçare. Kishte një apendicit të thjeshtë, por Qafa e Bullit ishte bllokuar nga një stuhi e fortë. Kjo pat qenë fatkeqësia e parë e kësaj familjeje, sepse pas saj edhe gjyshi i Enverina u aksidentua në minierë dhe pas saj vetë Nexhmiu, i ati. Disa kohë më pas, dy xhaxhallarë të vajzës, që punonin në Greqi, shpresa e vetme e familjes, u aksidentuan rëndë. Njëri vdiq në vend, tjetri mbeti i paralizuar. Enverinën, asokohe 9-vjeçare, e patëm gjetur teksa qëronte kastravecë. Kaq ishte dreka e atëhershme. Ishim njohur me Besniken, mamanë, edhe me Arifin, vëllanë e saj më të vogël, ndërsa më të voglin fare, Denisin, e kishim parë të lidhur në shpërgënj, teksa tundte fort kokën që të largonte një goxha mizë, e cila kishte vendosur të qëndronte se s’bën mbi fytyrën e tij. Asokohe e gjithë familja banonte në një dhomë të vetme. Nexhmiu sapo kishte nisur të shtonte një tjetër. Tani dhoma tjetër ka mbaruar vërtet, porse në të nuk mund të banohet. Shiu që bie brenda depërton lehtësisht në atë që familjarët kushedi se përse vazhdojnë ta quajnë dhoma tjetër. Të ardhurat e familjes nuk kanë ndryshuar: ndihma sociale dhe raporti i invaliditetit i babait. Është vërtet pak, por të paktën me kaq para, familja ushqehet dhe mbathet. Fëmijët e Nexhmiut ende nuk kanë shkuar me shokët të mbledhin mineral në malin e grinjtë. Teksa ngrohemi ca në anë të sobës me dru, Enverina vazhdon të bëjë detyrat. Ëndrra e saj është të bëhet mjeke.


Fëmijët e shtogut janë zakonisht të imët. Shumica e tyre janë të dobët e të shkathët. Ata i ngjiten malit të shtogut, përmes gurëve që rrokullisen sakaq, njësoj sikur të jetë një tufë me keca të mësuar që herët me pjerrësinë. Pikërisht prandaj në vizitën tonë të parë, na kishin bërë përshtypje vajzat e një familjeje. Ato i kishim takuar teksa po seleksiononin në oborrin e shtëpisë së tyre gurët që kishin mbledhur. Alda dhe Klodiana ishin fare buçko dhe qeshnin pa hesap, njësoj sikur të jetonin në vetë parajsën. Ato janë vajzat e Hamit Ballës, ish-minator. Ky e ka lënë një sy gjatë një avarie në minierë. E shoqja, që kishte ardhur nuse këtu nga Ura Vajgurore, kishte punuar edhe ajo në industrinë e kromit. Tre vjet më parë, puna e fëmijëve ishte e vetmja e ardhur, pas përkrahjes sociale që vinte nga shteti. Tani Hamiti dhe e shoqja kanë shkuar diku larg për një qokë. Në shtëpi na pret vajza e madhe. Ajo është martuar në Laç. Ja një e re për ne pas tre vjetësh. Në shtëpi qëllon edhe Klodiana. Ajo lëpin me një okë qejf një lëpirëse dhe pranon të bisedojë me ne vetëm pak minuta, pastaj do shkojë të kovat e saj. Tre vjet më parë, të njëjtat kova ishin në të njëjtin cep të oborrit. Klodiana 11-vjeçare vazhdon të shkojë në shkollë. Kur të rritet, ajo e ka vendosur që të bëhet mësuese letërsie, por deri sa të vijë kjo ditë, ajo do të vazhdojë të mbledhë krom në rrëpirën përbri shtëpisë së saj. Asaj i duket krejt normale jeta që bën. Të paktën kështu beson njëri prej nesh në fillim, i cili si për ta përforcuar këtë ndjesi, apo për të qetësuar disi veten thotë: Fëmijë shumëkush prej nesh ka punuar, dikush ka kullotur lopën, dikush ka mbledhur manaferra, dikush tjetër dëllinja, por jo si kjo punë…”. Klodiana e heq shpejt lëpirësen nga goja. “Ah, more xhaxhi – thotë si një grua e madhe – dëllinja nuk vret, guri vret. Kjo është puna”. Pastaj ajo ikën në errësirën që ka nisur të pllakosë oborrin e saj. Janë me dhjetëra rastet e aksidenteve në këtë mal të frikshëm. Hapat e saj që bëjnë pllaq-plluq mbi shtegun e përbaltur dëgjohen edhe për pak sekonda. Pastaj, rreth nesh rrotullohet heshtja dhe serioziteti i fjalëve që porsa kanë dalë nga goja e një fëmije të pjekur para kohe. Ca më lart takojmë edhe Aldën, motrën e Klodit. Tani është rritur dhe ka hedhur shtat. Na përshëndet me të njëjtën buzëqeshje si para tre vjetëve dhe pastaj shpejton të shkojë lart, atje ku ka kovat me krom. Ka ardhur koha për të peshuar dhe për të marrë lekët e ditës. Në gjysmerrësirën e muzgut hijet e fëmijëve duken si disa figura imagjinare që sillen rreth një asgjëje. Në fakt ky është momenti më i rëndësishëm i ditës. Pagesa e një fëmije shkon nga 600 deri në 1000 lekë. Kjo varet nga trupi i secilës “milingonë” të vogël. Në këtë rast, buçkot tona janë më me fat.


Tani ai djali i vogël – Ergys quhet – nuk qan kur na sheh. Tani është më i madh. Masha, lodra e tij e parë, është ende në skaj të sobës ku po ziejnë fasulet. Njësoj si tre vjet më parë, buka, ende e paarrirë, pret të bëhet gati që të futet në furrë. Asgjë nuk ka ndryshuar në familjen e Përkolajve, as frymëmarrja e rëndë e Zares, as mobiliet e vjetra, as shikimi i përhumbur dhe i pashpresë i të shoqit… Mbase vetëm batanijet e vjetra janë ngrënë edhe më. Një nga vajzat po bën detyrat në skaj të odës.  Ergysi, miku ynë i vjetër, tani ka një lodër të re. Është karroca që ngarkohet me gurët e shtogut. Njësoj si të tjerët, si të gjithë fëmijët e kësaj lagjeje të trishtë edhe ai pret që të shkojë me shokët lart në malin përbri shtëpisë së tij të vogël. Lodra, ëndrra, libra, të gjitha janë të ndaluar për fëmijët e “malit që s’bëzan”. Atyre u duhet vetëm të rriten sa më shpejt, aq sa të bëhen të aftë të mbajnë mbi shpinë peshën e rëndë të varfërisë.


 


***


Tetor 2007


Dy kastravecë të vegjël dhe pak bukë ishte vafti për atë ditë. Enverina sot nuk po “gatuan”, është duke luajtur. Një kovë e mbushur plot me gurë, një sqepar i rëndë dhe një stivë gurësh të mëdhenj, këto janë lodrat e Enverinës, vajzës së Nexh minatorit. “Sa të forcohet edhe pak, edhe kjo do të dalë në mal me të tjerët”, thotë e ëma duke bërë me kokë nga e bija, që mundohet të thajë këmbët e përbaltura. Në oborrin e Nexhit përzihet bashkë edhe guri mineral, edhe guri për ndërtim, edhe muri i oborrit, edhe mali që edhe për pak do të bashkohet me shtëpinë. Këtu çdo gjë është bërë prej të njëjtit gur të zi, burimit të vetëm të jetesës.


Ecim për do kohë nëpër lagjen e varfër. Miqtë tanë janë poshtë, në kërkim të ndonjë lajmi se çfarë do të ndodhë për minierën. Lajmi se kanë ardhur disa gazetarë është përhapur me shpejtësi përmes llamarinave të lagura. Ndërsa bisedojmë me njerëz, një makinë me targa të huaja mban frena fort. Një djalë i ri fort i revoltuar na drejtohet me një pamje kërcënuese: “E ç’doni ju këtu? Ç’punë keni ju me Shtogun? Unë hëngra thikën dhe nuk erdhi kush. Qenkeni kujtuar ju tani!”. Në fillim na ngatërron ca kjo historia e thikës, por nuk e kemi të vështirë që ta kuptojmë se djaloshi është njëri prej atyre, që ua blejnë gurin familjeve të varfra. Gjithsesi sqarohemi brenda pak minutash dhe madje arrijmë të ndahemi si miq. “Na urdhëroni nga shtëpia. Ne nuk e kemi zakon që t’i lemë miqtë jashtë”, thotë djaloshi tashmë i qetësuar. E falënderojmë, po vazhdojmë rrugën më tej. Për të tjera shtëpi jemi nisur.


 


***


Qershor 2007


Nexhmi Shira ka ardhur në Bulqizë nga një fshat i Dibrës. Në 1978, vit në të cilin zbriti për herë të parë në galeri, ishte vetëm 14 vjeç. Tani, pas shumë vjetësh punë në errësirën e minierës është invalid. Familja jeton vetëm me pensionin e tij. Ngrehina ku ai jeton bashkë me gruan dhe tre fëmijët e tij është një gjë fort e çuditshme, sado që vetë Nexhmiu e quan thjesht “shtëpia ime”. Është një godinë që dikur shërbente për zyra. Nexhmiu dhe familja jeton në një dhomë të kësaj godine. Jashtë gatuhet dhe rrihet, brenda flihet. Ndërsa një gjë që me sa duket se është banjo, shërben edhe për të larë enët. I zoti i shtëpisë na tregon edhe një dhomë që ka shtuar në oborr fare afër malit të zi me mineral. “Kjo është ajo që kam arritur gjithë jetën duke punuar fort. Kështu paska qenë e shkruar”.


Ajo që ka qenë e shkruar për minatorin Nexhmi, ka qenë një jetë fort e trazuar. Vetë invalid, babai invalid, i plagosur në minierë. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, dy vëllezër që punonin në Greqi, shpresa e vetme për të gjithë, pësojnë një aksident të rëndë teksa ktheheshin nga puna. Njëri prej vëllezërve vdes në vend, tjetri paralizohet. Kaq shumë fatkeqësi së bashku do të lodhnin edhe më të fortin e këtyre maleve. Në oborr, nëse mund të përdorim këtë term, Enverina dhe i vëllai më i vogël, Arifi po përgatisin atë që e quajnë drekë. Disa kastravecë me pak kripë me sa duket do të jetë dreka e sotme. Emri i vajzës i kujton Nexhmiut një tjetër fatkeqësi të rëndë që u pat ndodhur vite më parë. Motra e vetme, Enverina, asokohe 18 vjeç, vdiq nga një apendicit i thjeshtë. Qafa e Bullit ishte bllokuar nga dëbora dhe mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Vajza tani mban emrin e hallës së ndjerë. Enverina vendos kastravecët e pastruar mbi një karton të madh ambalazhi dhe lëkurët e tyre në një tas. Babai i thotë të bëjë të kundërtën dhe vajza bindet pa folur. Nga brenda dhomës dëgjohet një e qarë foshnje. “E paske bërë edhe një o Nexh?”, e ngacmon njëri prej nesh. “Ne këndej këtë punë kemi, ku dimë ne gjë nga planifikimi familjar?”, thotë Nexhmiu si i zënë në faj. I porsambërrituri në mbretërinë e varfërisë, për fat është një goxha buçko, Denisi, afër një vjeç. I mbërthyer në shpërgënj në djep si qëmoti nis të qeshë sapo shpëton nga një mizë që i ishte qepur keq. Bashkë me Nexhmiu ecim më tej në kufirin e hollë që ndan Shtogun nga kasollet e kësaj ane.


Bashkë me Nexhmiun vazhdojmë të ecim përmes barakave të varfra. Në pragun e njërës prej tyre një fëmijë, aty afër një vjeç, po luan i patrazuar me një… mashë të madhe. Është e vetmja lodër që ka. Mashën, që e përdor herë pas here e ëma për të trazuar urët e zjarrit në sobë, djali e përdor si lodër. Nuk është mësuar të shohë kaq shumë njerëz njëherazi, ndonjë prej të cilëve edhe me një palë mustaqe, kështu që në fillim ia shkrep një goxha të qare, që na lë për pak kohë jashtë banesës së thjeshtë ku banon Skënder Përkola dhe e shoqja Zarja. Skënderi ka qenë minator. Zarja vuan nga astma. Jetojnë vetëm nga ndihma sociale. Ndërsa dalim, të djersitur nga vapa e padurueshme në dhomën e Zares, e vëmë re që kemi vuajtur kaq shumë ngaqë soba me dru ishte e ndezur ndërsa jashtë bënte afro 40 gradë. Mbi sobë dallojmë drekën. Një bukë që pret të piqet dhe një si lloj lëngu që pretendon të jetë supë, i përbërë vetëm nga ujë, pak vaj dhe disa copa domate të prera trashë. Djali i vogël ka pushuar së qari. Madje ka nisur të vërë lehtësisht buzën në gaz. Është një qeshje me frikë, sikurse është zakonisht buzagazi i trishtë i varfërisë.


Fëmijët në këto anë janë të dobët, të paktën ata që hasëm ne nëpër udhëtimin tonë prej disa orësh. Porse ja, që në oborrin e një shtëpie shohim një vajzë buçko. Me faqe flakë të kuqe, ajo vazhdon të seleksionojë mineralin në oborrin e shtëpisë së saj, fare e patrazuar dhe gati-gati e lumtur në qetësinë e saj. Është si të shohim njëherazi edhe varfërinë edhe sfidën ndaj saj. Jemi në familjen e Hamit Ballës. Mjeshtër shpërthimesh, ka punuar 19 vjet me radhë në galeri, derisa ndodhi një aksident i rëndë, ku desh la jetën. Njëri sy i tij është i mbyllur. Tjetri, i vetmi që sheh, rrotullohet me një gjallëri të pazakontë nga të gjitha anët. Familja Balla, e përbërë nga dy prindërit, dhe gjashtë fëmijët jetojnë kryesisht nga pensioni i invaliditetit të Hamitit. 10.5 mijë lekë, kaq paguhet një sy i humbur në minierë. Bashkëshortja e tij, e ardhur këtu nga Ura Vajgurore e Beratit, jep gjak çdo muaj. Ja ku u shtua edhe një 4 mijë lekësh tjetër. Pastaj u vjen radha fëmijëve dhe në radhë të parë bufes që kemi takuar në fillim. Ajo tashmë është specializuar në mbledhjen e mineralit. E di që me të prekur që ky gur bën dhe ai tjetri duhet flakur tutje. Vajza e ka lënë shkollën. Familjes i interesonte më shumë që ajo të gërmonte në malin përballë se sa të shkonte përditë me çantën e librave në shkollë. “Shkolla ha pare, mali sjell pare”, thotë minatori me një sy, ndërsa “Buçi”, sikurse e quajmë tashmë të gjithë, vazhdon punën e patrazuar. Sa kohë që nuk jemi nga ata që blejnë mineralin, asaj nuk do t’i bëjë përshtypje asgjë tjetër.


 


***


Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Fëmijëve


1.   Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për t’u mbrojtur nga shfrytëzimi ekonomik dhe nga kryerja e çdo pune që paraqet rreziqe ose që cenon edukimin e tij ose dëmton shëndetin apo zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral ose shoqëror.


2. Shtetet Palë marrin masa legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative, për të siguruar zbatimin e këtij neni. Për këtë qëllim dhe duke pasur parasysh dispozitat përkatëse të instrumenteve të tjera ndërkombëtare, Shtetet Palë në mënyrë të veçantë:


a. Përcaktojnë një moshë minimale ose moshat minimale të pranimit në punë;


b. Parashikojnë një rregullim të përshtatshëm të orarit të punës dhe të kushteve të punës;


c. Japin dënime ose sanksione të tjera të përshtatshme për të siguruar zbatimin efektiv të këtij neni.


Në bazë të vendimit të Parlamentit shqiptar të shtatorit 2010, shteti shqiptar është i detyruar të zbatojë nenet e kësaj konvente.