Lushnjë
Pas ankesave, policia i mbajti në mbikëqyrje, derisa i kapi me mallin e vjedhur
Dy punonjës të kompanisë CEZ janë kapur duke vjedhur telat e linjave të shpërndarjes së energjisë elektrike. Ata janë pikasur dhe arrestuar nga policia, teksa po tentonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë denoncimet e njëpasnjëshme të vetë banorëve të zonës ndaj dy punonjësve të CEZ-it, Albert Resuli, 46 vjeç dhe Arqile Bërdilla, 55 vjeç, që të dy banues në qytetin e Fierit, që i kanë vënë ata në pranga. Nga burime të policisë mësohet se, dy të ndaluarit e sipërcituar kanë qenë prej disa ditësh nën vëzhgim, pasi dyshoheshin se vidhnin telat e linjave të transmetimit të energjisë. Nga hetimet ka rezultuar se 46-vjeçari Resuli dhe 55-vjeçari Bërdilla shkonin në fshatra të ndryshme të Rrethit të Lushnjës me pretendimin për të rregulluar defektet e krijuara. Por, në vend që t’i riparonin ato, dy punonjësit e CEZ-it e përkeqësonin situatën e furnizimit me energji elektrike të banorëve të zonës. Pasi rregullonin ndonjë defekt të vogël, ata piketonin objektin e tyre të vjedhjes së radhës. Për shkak se gjithmonë kur ata shkonin për të riparuar defektet, në ato zona më pas ndodhte vjedhje masive e telave të përcjelljes së energjisë elektrike, apo pajisjeve të tjera metalike, policia ka ngritur dyshimet se autorët e tyre mund të kishin lidhje me dy punonjësit e CEZ-it, të cilët u ndaluan dje. Por hetimet disaditore kanë nxjerrë në pah se dy elektricistët kujdeseshin vetë për t’i kryer vjedhjet. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, dy të ndaluarit kanë arritur të presin rreth 450 metra tel bakri në linjën e rrjetit elektrik Gradishtë-Karavasta. Pasi kanë kryer vjedhjen, policia ka kryer ndalimin e 46-vjeçarit Resuli dhe 55-vjeçarit Bërdilla, teksa po transportonin sasinë e telit të bakrit që kishin vjedhur. Dyshohet se dy të prangosurit e rishisnin telin për ta rivendosur në linjat e vjedhura. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ndalimi i dy të sipërpërmendurve është kryer për veprat penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim dhe shkatërrim të rrjetit elektrik. Gjatë muajve të fundit ka pasur vjedhje të herëpashershme të linjave të përcjelljes së energjisë elektrike, çfarë ka bërë që mijëra qytetarë të jetojnë për javë apo muaj në terr. Shpeshherë, banorët e zonës kanë akuzuar vetë punonjësit e CEZ-it si autorë të këtyre vjedhjeve. E. Hoxhaj
Të arrestuarit
Sipas të dhënave, në pranga kanë përfunduar Albert Resuli dhe Arqile Bërdilla, të cilët merreshin me rregullimin e linjave elektrike