RËNIA E MURIT

Bashkim Zeneli

Sot mbushen 23 vjet nga 9 Nëntori i vitit 1989, kur ra muri i Berlinit. Ra një Mur, u shemb shumë më tepër se një mur. Një simbol i një ndarje të gjatë, i një lirie të mohuar e gjithnjë të shumëpritur, shembja e Murit u kthye shumë shpejt në simbolin dhe aspiratën e ribashkimit.

Muri nuk ishte vetëm simbol i ndarjes së Berlinit të Gjermaninë, por edhe i Europës, i botës, që solli dhimbje, ndarje, vrasje, vuajtje.

Ndaj edhe shembja e tij sot ka marrë një përcaktim epokal dhe në fjalorin politik, mbarimi i Luftës së Ftohtë dhe çelja e perspektivës pa liri, demokraci, të vendeve të ish-bllokut komunist, ka hyrë me simbolikën kuptimplotë, Rënia e Murit!

Është shkruar shumë për ndërtimin dhe rënien e Murit, janë botuar libra, albume, foto të jashtëzakonshme që dëshmojnë dhe transmetojnë histori. Janë përgatitur dokumentarë, filma, janë regjistruar dëshmi të rralla e unikale. Dhe me siguri do të vazhdojnë të botohen edhe në të ardhmen.

•Fillimi i ndërtimit të murit.

Mbrëmja e 13 gushtit 1961, kur u hodhën blloqet e para të betonit për murin dhe u vendosën rrathët kilometrikë të gjatë të telave me gjemba, si një mur “provizor” natyrisht ka një histori të gjatë, ka një parahistori, pjesë dhe pasojë të Luftës së Ftohtë…. Por natyrisht deri në një absurd të pashembullt dhe të paimagjinueshëm.

Ndërtimi i murit fillon që në gusht të vitit 1945, vetëm pak muaj mbas mbarimit të luftës dhe fitores mbi fashizmin, kur në Potsdam të Gjermanisë u mblodh konferenca e koalicionit fitues të luftës kundër nazifashizmit: Presidenti amerikan Truman, diktatori sovjetik Stalin dhe Kryeministri britanik Churchill. Midis të tjerave, u vendos për ndarjen e zonave të influencës apo të pushtimit dhe ndarjen në sektorë të kryeqytetit Berlin. Sovjetikët, amerikanët dhe britanikët do të administronin nën përgjegjësinë e tyre zonat përkatëse. Më vonë me 3 fuqitë u bashkua edhe Franca dhe Berlini u nda në 4 sektorë. Në zonën sovjetike të influencës filloi ndërtimi i sistemit njëpartiak deri në vendosjen e plotë të regjimit komunist. Në 3 zonat e tjera filloi ndërtimi i sistemit demokratik, të lirive dhe ekonomive të tregut.

Por edhe forcat partnere të koalicionit antifashist, vetëm pas pak muajsh bashkëpunim, u bënë kundërshtare të ashpra nga dita në ditë ku nisi dhe fillimi e Luftës së Ftohtë. Në qershor të vitit 1948, Lufta e Ftohtë në Berlin arrin në një zhvillim dramatik dhe krejt të papritur: Udhëheqësi sovjetik Stalin urdhëron një bllokadë totale të rrugëve tokësore dhe ujore në zonën e lirë të qytetit. Situata u tensionua dhe prognoza dukej e keqe… Por forcat aleate perëndimore nuk qëndruan duarkryq. Guvernatori ushtarak amerikan Clay, së bashku me komandantin britanik të forcave ajrore Waite, hartojnë një plan për të zhbllokuar këtë situatë. Berlini do të furnizohej nga një korridor ajror. Ky korridor i famshëm dhe i mirënjohur në histori, zgjati 11 muaj dhe gjatë kësaj kohe Berlini u furnizua me 2.5 milionë tonë ushqime, veshmbathje dhe ilaçe. Vetëm në maj të 1949-s, sovjetikët tërhiqen nga kjo aventurë çnjerëzore dhe përsëri filloi qarkullimi i lirshëm i automjeteve.

Vetëm 3 muaj pas bllokadës në shtator, kryebashkiaku i Berlinit e më pas një nga personalitetet më të shquara politike të Gjermanisë Ernst Reuter, i është drejtuar botës së lirë me një apel të fuqishëm për të mos pranuar e mos lejuar këtë ndarje monstruoze e këtë bllokadë çnjerëzore: “Ju popuj të botës, popuj të Amerikës, Anglisë, Francës, Italisë shikoni këtë qytet dhe mos lejoni që populli të paguajë një çmim të tillë”.

Lufta e Ftohtë bëhet më e egër jo vetëm në Berlinin e ndarë, por në përgjithësi midis zonave të influencës sovjetike të pasluftës dhe Perëndimit. Kryeministri britanik Churchill, që më 5 mars 1946, në një fjalim vizionar, paralajmëroi vijën e kuqe ndarëse të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore: Varshavës, Berlinit, Pragës, Budapestit, Beogradit, Bukureshtit dhe Sofjes. Kjo u quajt, natyrisht duke u zgjeruar sfera e influencës sovjetike dhe që gradualisht u kthye në kontroll të plotë të Moskës, deri me rënien e komunizmit, në vitet ‘90. Në tetor të vitit 1949, në territorin e zonës sovjetike të pushtimit, krijohet Republika Demokratike Gjermane që ishte nën influencën e plotë vasale të sovjetikëve.

Zhvillimi dhe progresi në Perëndim vijnë vazhdimisht në rritje; ekonomia e tregut përparon dhe niveli i mirëqenies në popull përmirësohet me ritme të larta. E kundërta ndodh në republikën e re të Lindjes. Për herë të parë që nga paslufta, mijëra qytetarë të Berlinit Lindor u ngritën në protestë më 17 Qershor të 1953 në bulevardin “Stalin” (sot “Bulevardi 17 Qershori”) që u shtyp me dhunë nga tanket sovjetike dhe me bilancin tragjik të vrasjes së 55 vetëve e plagosjen e mijërave të tjerëve.

Reformat socialiste dhe kolektivizimi i bujqësisë veçanërisht pas viteve 1958 shtuan mjerimin dhe varfërinë dhe ballafaqimi në çdo aspekt me Perëndimin, ishte vërtet tronditës. Nisi një eksod i madh drejt vëllezërve dhe motrave në Perëndim. Gati çdo vit largoheshin mbi 200 mijë vetë. Në këtë moment, udhëheqësi lindor, Ulbricht i shkruan Hrushovit: Koniunkturat ekonomike dhe zhvillimi i dukshëm në Perëndim po bëhen nxitje për largime masive nga vendi… Vetëm për një periudhë 10-vjeçare 1949-1959, e kanë braktisur vendin mbi 2.5 milionë njerëz. Hrushovi filloi ta quajë Berlinin qytet i lirë, me qëllimin e parandalimit të çdo mundësie për bashkim. Por ndërkohë rritej edhe mundësia e një konflikti ushtarak, përballë dy blloqeve ushtarake NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, që drejtohej nga sovjetikët, e që kishte detyrë, midis të tjerave, të mbronte sovranitetin e RDGJ-së. Midis dy blloqeve kishte edhe përplasje të tjera në rajone e tjera, që vazhdimisht sillnin rrezikun e një lufte të re, deri edhe atomike. Në qershor të vitit 1961, mblidhet Samiti i Vjenës. Hrushovi takohet me Presidentin amerikan Kenedi dhe i deklaron se: Në dhjetor do të nënshkruajë një Traktat me RDGJ-në dhe “se ai nuk tërhiqet para asnjë konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak me Perëndimin”. Kenedi i përgjigjet: “Po siç duket do të kemi një dimër të ftohtë këtë vit”. Bota ndodhet para rrezikut të fillimit të një lufte atomike. Ndërkohë SHBA-ja deklaron se “lirinë e Berlinit do ta mbrojnë me çdo mjet ushtarak”.

Vetëm një javë më vonë, shefi lindor i Partisë dhe i Shtetit Ulbricht, në një konferencë shtypi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari të gazetës, Frankfurter Rundschan tha: “Më duket se në Gjermaninë Perëndimore ka njerëz që mendojnë se ne do të mobilizojmë njerëzit për të ndërtuar një mur. Ne nuk mendojmë për të ndërtuar një Mur”!

Por vetëm disa ditë më vonë, në fund të qershorit 1961, Ulbricht takohet në vilën e tij në Dollensee në Berlin me ambasadorin sovjetik Pervunchin dhe i parashtron atij një situatë të vështirë në vend, duke i kërkuar që t’i transmetojë Hrushovit se “gjendja në RDGj po përkeqësohet dhe se eksodi nuk ka të ndalur. Nëse kjo situatë e kufijve të hapur do të vazhdojë më tej, do të jetë e pashmangshme rënia e RDGJ-së. Si komunist marr përsipër të gjitha përgjegjësitë për atë që mund të ndodhë në të ardhmen”. Dhe nuk vonon përgjigjja e Hrushovit: Ndërtoni një mur në Berlin! Ai thërret vetë edhe ambasadorin e RDGJ-së në Moskë, Haus Krol dhe i thotë: Çfarë mund të bëj unë? Rreth 50 mijë njerëz janë larguar vetëm në qershor. Mendova dy mundësi për t’ju përgjigjur kësaj dyndjeje të madhe drejt Perëndimit: Bllokimin e transportit ajror dhe ndërtimin ë murit. Varianti i parë mbart rrezikun e një konflikti me SHBA-në që ndoshta do të na çonte edhe në luftë. Këtu unë nuk rriskoj, prandaj iu porosis: “Ndërtoni murin”.

Dhe urdhri nisi të zbatohej: Urdhri monstër i padronit, për të ndarë Berlinin, për të ndarë më tej Gjermaninë, për të ndarë njerëzit, familjet, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat…… Përgatitjet për ndërtimin e murit filluan me një fshehtësi të jashtëzakonshme, në ditët e para të korrikut 1961. Vetëm pak zyrtarë të lartë kishin dijeni, trupat sovjetike (mbi 500 mijë të vendosura në RDGJ), u përfshinë në një aksion të fshehtë përgatitor.

Më 1 gusht në 1961, në Moskë, zhvillohet mbledhja e Traktatit të Varshavës dhe aty Hrushovi urdhëron Ulbricht që muri të ndërtohet më 13 Gusht! Dhe udhëheqësi lindor i vendosur dhe entuziast për këtë, sapo kthehet në Berlin, mbledh Byronë Politike dhe e informon për vendimin e Moskës, që natyrisht, në fshehtësi kishte nisur të zbatohej. Një ditë përpara fillimit të ndërtimit, pra më 12 gusht 1961, Ulbricht lëshon urdhrin për mbylljen e pikave të kalimit kufitar. Në mëngjesin e 13 gushtit, vendet anëtare të Traktatit të Varshavës publikojnë një deklaratë, ku jo vetëm mbështesin ndërtimin e murit, por shprehen të gatshme ta mbrojnë këtë vendim.

Dhe natën, në orën 1.00, të datës 13 gusht, midis së shtunës dhe të dielës, kur Berlini Lindor dhe ai Perëndimor flinin në qetësi, filloi ndërtimi i murit. U bllokua çdo kalim dhe brenda pak minutave u mbyllën 90 pika të kalimit kufitar. Trupat vendore dhe të ushtrisë sovjetike filluan shtrimin e betoneve të para. Një shok i paparë në të dyja anët e kufirit lindje-perëndim sapo u mësua lajmi. Bota perëndimore filloi të shqetësohej se cili mund të ishte hapi tjetër pas këtij provokacioni, se ishte shumë më tepër se një Mur……

Në atë kohë, kryetari i Bashkisë së Berlinit Perëndimor ishte udhëheqësi historik social-demokrat e më vonë kancelari i Gjermanisë, Willy Brand. Në kujtimet e tij për këtë ngjarje shokuese ai shkruan: në orën 3:00 të mëngjesit, një punonjës i hekurudhës, troket në portën e shtëpisë time, në Saksoninë e Poshtme, ku isha për fundjavë. Ai jo vetëm më dha lajmin tronditës, por edhe m’u lut që të nisem menjëherë në Berlin. Në orën 5:00 të mëngjesit, pasi njoftova një grup bashkëpunëtorësh të mi, u nisa me tren për në Hanover dhe me avionin e parë fluturova për Berlin. Nga aeroporti Tempelhaf shkova menjëherë pranë portave të Brandersburgut dhe Potsdamerpalz, nuk dija t’i përshkruaja ato që pashë e sidomos nuk do më hiqet nga mendja fytyra e bashkëqytetarëve të mi të Berlinit Perëndimor.

Kryebashkiaku Brand menjëherë mblodhi Senatin e Berlinit dhe u formulua një deklaratë në të cilën thuhej: “Senati dhe populli i Berlinit presin nga fuqitë perëndimore të ndërmarrin hapa energjikë te qeveria sovjetike”. Presidenti amerikan Kenedi përgjigjet menjëherë: “Berlini Perëndimor, më shumë se kurrë ndonjëherë, sot është kthyer me një mision, simbol për liri, ai asnjëherë nuk ka qenë më i rëndësishëm se tani”. Presidenti amerikan urdhëron gjithashtu për forcimin e garnizonit të Berlinit me 1500 trupa të tjerë.

Vetëm 3 ditë më vonë, më 16 gusht, kryebashkiaku Brand organizoi një miting ku marrin pjesë mbi 500 mijë vetë. Ai i drejtohet presidentit amerikan: Berlini nuk do fjalë, do aksione politike! Dhe vetëm mbas 4 ditësh, më 20 gusht 1961, zëvendëspresidenti Jonson vjen në Berlin. Tek berlinezët dhe të gjithë gjermanët filloi të lindë shpresa.

•MURI DREJT RËNIES

Më 26 qershor 1963, në Berlin vjen Presidenti amerikan Kenedi. Afro 1 milion njerëz mblidhen në miting para bashkisë. Dhe Kenedi ndez si kurrë ndonjëherë shpresat: “Të gjithë njerëzit e lirë kudo që jetojnë janë qytetarë të Berlinit dhe prandaj si një njeri i lirë, jam krenar të them: “Ich bin ein Berliner” (“Unë jam një berlinez”).

Berlini i ndarë, Gjermania e ndarë, Bota e ndarë, një dhimbje e madhe. Vetëm për dy vjet ishin ndërtuar 15 kilometra mur, 165 kulla vrojtimi dhe 150 kilometra kufij ishin bllokuar nga telat me gjemba. U minuan 760 kilometra korridore kalimi.

Villi Brandi luan këto vite një rol të jashtëzakonshëm. Vërtet është thjesht kryebashkiak, por si një personalitet i madh ai ndërmerr edhe nisma politike dhe diplomatike. Brand është “nervoz” edhe me Bonin zyrtar kur deklaron: Në djall shkoftë e gjithë politika nëse ajo nuk i shërben njerëzve. Hapat e vegjël janë më të mirë se fjalët e mëdha. Këtu nis dhe Ost-politika e famshme e formuluar prej tij e që merr jetë kur ai bëhet kancelari i Gjermanisë.

Për këto reagime të Brandit, ish-kancelari legjendar gjerman Adenauer shkruan: “Më ka rënduar gjithë jetën fakti se në Berlin shkova me vonesë më 22 gusht, 10 ditë pas fillimit të ndërtimit të murit. Por atëherë mendova se ardhja ime më 13 gusht, kur filloi muri, do të mund të nxiste njerëzit për konfrontime. Megjithatë nuk mund ta shlyej gabimin që në Berlinin shkova pas 10 ditësh”.

Qëndrimet aktive të Bonit zyrtar, por dhe komunikimet në forma të ndryshme të Brandit me udhëheqësit lindorë bëjnë që më 7 dhjetor 1963, zëvendëskryeministri i RDGJ-së Abush, t’i drejtohet me një letër Brandit ku i shprehte gatishmërinë për të pajisur me leje kalimi shtetasit për vizita familjare apo në fundjavë. Brenda dy viteve kaluan si vizitorë në të dyja anët e kufirit 7 milionë vetë. Ky ishte një hap dhe shfrynte disi situatën, por nuk jepte zgjidhje, aq më tepër sepse regjimi nisi të shtojë dhe masat represive. Kështu nëse në periudhën 1949-1959 kishin kaluar mbi 2.5 milionë njerëz, me ndërtimin e murit e deri në rënien e tij kanë kaluar, për të mos u kthyer, vetëm 45 mijë vetë.

Veçanërisht në vitet ‘80 shtohet revolta dhe rezistenca ndaj regjimit. Në Lajpcig, Drezden, Gera, Chemnit demonstrimet shtypen nga policia. Në 40 vitet e RDGJ-së, flitet për rreth 200 mijë të burgosur për krime kundër shtetit dhe tradhti ndaj atdheut. Por themelet e murit kanë nisur të tronditen, sistemi ka nisur të tronditet dhe mbahet me bajonetat sovjetike në këmbë. Fundi i viteve ‘80 ngjall më shumë shpresa se kurrë.

Më 12 qershor 1987, në Berlin vjen për vizitë Presidenti i SHBA-së Ronald Regan. Para portave të Brandenburgut vetëm pak metra nga muri, në një miting me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, Regan i drejtohet drejtpërdrejtë udhëheqësit sovjetik Gorbaçov: “Zoti President, shembeni murin, hapni portat!”.

Regjimi i tronditur vihet për herë e më shumë në vështirësi të gjithanshme. Monstra Mur është shumë më tepër se aq. Shtatori i vitit 1989 është muaji i mitingjeve të mëdha, jo vetëm në Berlin, por edhe në qytete të tjera dhe që vazhdojnë pa ndërprerje deri me rënien e murit. Parullat janë të qarta politike. Kërkohet liri, kërkohet demokraci, kërkohet bashkim kombëtar. Parulla frymëzuese që frymëzon të gjithë Gjermaninë Lindore është: “Ne jemi një popull” dhe ngjarjet diplomatike dhe politike rrjedhin pa pushim. Që më 27 qershor 1989, ministri i Jashtëm i Austrisë Alois Mock, dhe ai i Hungarisë, Gjyla Horn, me një gjest simbolik frymëzues, presin me gërshërë telat me gjemba dhe lejojnë kalimin për në Perëndim të gjermanolindorëve.

Në tetor 1989. ndërsa në Pallatin e Republikës festohej me pompozitet 40-vjetori i krijimit të RDGJ-së, jashtë mijëra manifestues protestonin me kërkesa të qarta politike. Ëndrra për liri është më afër se kurrë. Ambasadat e RFGJ-së në Lindje, sidomos në Varshavë dhe Pragë, mbushen çdo ditë me mijëra lindorë. Gjatë festimeve të 40-vjetorit, Gorbaçov bëri një gjest spektakolar: Duke vënë dorën tek ora, ai i drejtohet shefit komunist Honecker: “Kush vonohet, atë e gjykon historia”. Pas 5 ditës, Honecker-i jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore. Ai zëvendësohet nga Egon Krenz i cili bën premtime për reforma e për liri demokratike. Udhëheqësi i ri lindor deklaron se: “Revolucioni paqësor ka arritur në një dinamikë të tillë sa që asgjë nuk mund ta frenojë”. Më 4 nëntor Berlini përfshihet në një manifestim prej afro 1 milion protestuesish, në sheshin “Aleksandër”. Tri ditë më vonë, më 7 nëntor e gjithë qeveria jep dorëheqjen dhe një ditë më pas edhe Byroja Politike.

Ora 18:53 e datës 9 Nëntor 1989 do të mbetet në histori për gjermanolindorët. Anëtari i Byrosë politike Shabovski organizoi një takim me shtypin e huaj dhe vendas në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit në Berlini Lindor. Midis të tjerash ai deklaroi: “Udhëheqja shtetërore e RDGJ është e vendosur që sot të nxjerrë një vendim që t’i japë mundësi çdo shtetasi të RDGJ-së që të kalojë lirshëm për në Perëndim’. Pyetjes së një gazetari se kur do të hyjë në fuqi ky vendim, Shabovski iu përgjigj: “Tani menjëherë”!

Kjo deklaratë u shndërrua në një ortek të papërmbajtshëm. Pikat e kalimit kufitar u mbushën menjëherë me qindra mijëra njerëz. Forcat e kufirit ngritën trarët për mijëra makina “Trabant” e “Watburg”. Berlini në pak orë ishte i tëri në sheshe në këmbë. Pas 28 vjetësh, Muri ra, Muri u shemb. Berlinezët ishin të lirë, gjermanolindorët ishin të lirë. U shemb një Mur që ndante dy botë. Liria dhe demokracia në të gjithë Lindjen po triumfonin mbi diktaturën. 28 vitet e murit mes dhimbjes, ndarjes, lotëve, vuajtjeve kanë edhe bilancin e 136 vetëve të vrarë në Mur.

……Midis shumë të vërteta për shembjen e Murit ka një të vërtetë të madhe, që politikanët e shquar gjermanë nuk e harrojnë asnjëherë: Çdo gjë u bë e mundur nga politika reformatore e Gorbaçovit. Gllasnosti dhe Perestrojka e tij ishin parapërgatitja për të ndryshuar botën, drejt lirisë dhe demokracisë.

…Dhe vetëm pas një viti, nuk kishte më RDGJ. Në mbrëmjen e 3 tetorit 1990, në një miting të papërsëritshëm përpara Rajshtagut (Parlamentit). Gjermani u bashkua në paqe e liri…

Udhëheqësit më të shquar gjermanë të asaj kohe e veçanërisht kancelarët Kohl dhe Shmidt, ministri i Jashtëm Gensher, Politologu i shquar Bahr, etj., në kujtimet e tyre kanë shkruar hapur pas shembjes së Murit se nuk prisnin një ribashkim kaq të shpejtë të Gjermanisë. Ata tregojnë episode nga më të ndryshmet, nga takimet shumë të shpeshta zyrtare dhe jozyrtare me Gorbaçovin dhe ministrin e Jashtëm Shevarnadze. Problemet ishin të shumta dhe tepër delikate. Asnjë hap nuk mund të hidhej në mënyrë të njëanshme. Bashkimi Sovjetik kishte një ushtri prej mbi 500 mijë trupash dhe pajisjesh ushtarake nga më modernet në Gjermaninë Lindore. Ç’do të bëhej? RDGJ ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, RFGJ anëtare e NATO-s dhe në esencë qëndrimi përfundimtar i Gorbaçovit ishte: “Ushtria sovjetike do të largohet, RDGJ është e lirë të bashkohet me ju në NATO”.

Baballarët e bashkimit janë quajtur George Bush, Gorbaçov dhe Helmut Kohl. Më 29 Shtator 2010, ish-kancelari social-demokrat Helmut Shmidt, zbulon portretet në Bronz të Bushit, Kohlit dhe Gorbaçovit në Berlin, përpara shtëpisë së famshme botuese “Axel Springer”…

 

 

Shënimet

Shkrimi i ambasadorit Bashkim Zeneli është pjesë e një libri që po bëhet gati për botim, i cili përmban shënimet dhe ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës kur Zeneli ka qenë ambasador i Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë në vitet 1997-2001. Ky libër nuk pritet të jetë thjesht ditari i valixhes diplomatike të ambasadorit Zeneli, por edhe një përshkrim i fakteve të ilustruara në këndvështrimin e një gazetari me përvojë të gjatë në median shqiptare. Shënimet përshkruajnë takime me personalitete të shquar të politikës gjermane dhe diplomacisë ndërkombëtare në një periudhë “piku”, që përkon edhe me ngjarjet që i paraprinë, por edhe zhvillimet në Kosovë që pati si pikë finale çlirimin e saj nga zgjedhja e Millosheviçit.

y.p

Autor te 9 Nëntor 2012. Historia, Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry