11-vjeçari Denis Alimadhi


Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka reaguar për rastin e vdekjes së 11-vjeçarit Denis Alimadhi, i cili humbi jetën dy ditë më parë gjatë një operacioni estetik në sy në një nga spitalet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.


Kreu i shëndetësisë gjatë një vizite në Shkodër deklaroi se vogëlushi dyshohet të ketë gjetur vdekjen nga një komplikacion i rrallë, i njohur si hipetermia malinje, tepër i vështirë për t’u përballuar në rast se ndodh. I pyetur për ekipin e kirurgëve që kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale, Tavo ka sqaruar se ka qenë një ekip i përbashkët me mjekë shqiptarë dhe irlandezë.


“Ndërhyrja është bërë nga mjekë të QSUT-së dhe një ekipi mjekësh vullnetarë tepër i specializuar, që punojnë vullnetarisht në Shqipëri në ndihmë të kolegëve të tyre shqiptarë të fushës së okulistikës”, ka shtuar Tavo.


Gjithsesi, sipas ministrit, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka dërguar ekspertë për të hetuar për rastin, fjalën e fundit në rastin e vogëlushit Denis Almadhi, do e thotë drejtësia. “Ne po hetojmë rastin, ndërkohë pjesa tjetër i takon drejtësisë”, ka përfunduar Tavo.


QSUT: Fëmija vdiq nga anomalia e lindur


Nëndrejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Besim Boçi, ka sqaruar sot për mediat se 11-vjeçari Denis Alimadhi ka humbur jetën si pasojë e hipertermisë malinje, një anomali e trashëguar. Numri dy i QSUT-së ka shpjeguar se fëmija ka vdekur gjatë operacionit dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim përpara se t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. “Fakti i anestezisë mund të ketë ndikuar, por nuk është ai kryesor. Mendoj se faktor kryesor janë anomalitë kongjenitale të trashëguara”, ka thënë Boçi.


Shehu:Ndërlikimi i rradhë, nuk është faji i mjekëve


Në emër të Shoqatës së Anestezistëve së Shqipërisë, Tritan Shehu, ka shpjeguar për mediat se vdekja e 11-vjeçarit ka ndodhur si pasojë e një ndërlikimi anestezik mjaft të rëndë.


“Jam sot para jush si profesor anestezist i reanimacionit. Në radhë të parë shpreh hidhërimin tim për këtë humbje dhe ti transmetoj familjarëve ngushëllimet e mia. Kemi të bëjmë me një ndërlikim anestezik dhe unë kam marrë kontakte me kolegët e mi që ishin prezent në intervent dhe kemi arritur në një konkluzion paraprak se kemi të bëjmë me një ndërlikim mjaft të rëndë, ndërlikim që është i rrallë dhe njihet me hipertermia malinje. Hipertermia malinje është vështirë të parashikohet se kur ndodh ka një mortalitet të lartë” tha Shehu, i cili ka sqaruar më tej se megjithë masat e marra, komplikacioni u manifestua me një agresivitet të lartë dhe për të tilla raste nuk ka mjekime.


“Nuk ka medikament magjik, baza janë masat reanimatore. Së dyti këtu nuk pret kohë të vijë medikamenti nga Italia apo vend tjetër. Dantroleni nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri, Lidokaina, është specifik dhe është në Shqipëri, por nuk ka siguri 100% që shpëton jetë. Mendoj që të ndjekim deklarata shkencore dhe mos të ecim me hamendje, sepse ju siguroj se ndërhyrja ishte e madhe nga reanimatorët më të mirë, por nuk pati rezultat, temperatura ishte tepër e lartë”, ka përfunduar Shehu.


Vogëlushi Denis Alimadhi ka gjetur vdekjen në një nga sallat e operacionit të spitalit të ORL-së, në QSUT. Ai po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy, për shkak të një problemi të lindur që kishte me qepallat. Në momentin që i është injektuar anestezia, vogëlushi ka shfaqur komplikacione, temperatura trupore ka arritur në 43 gradë dhe zemra e tij ka pushuar brenda pak minutash. Mjekët kanë deklaruar se vdekja e 11-vjeçarit ka ndodhur për shkak të një komplikacioni të lindur, i njohur si hipertermi malinje, një sëmundje kjo tepër e rrallë dhe që shfaqet në momentin që pacienti i nënshtrohet anestezisë. Nga ana tjetër, familjarët e 11-vjeçarit kanë akuzuar mjekët se e kanë lajmëruar për humbjen e djalit rreth 6 orë më pas, ndërkohë që këmbëngulin se spitali nuk kishte antipiretikun që do të ndihmonte në uljen e temperaturës tepër të lartë të djalit. Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërkohë priten konkluzionet e mjekësisë ligjore për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së papritur të vogëlushit.


9 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)