NDUE DEDAJ
Çdo akt juridik, kanonik që nxirret në emër të jetës të vë në mendime për atë që do të mund të ndodhë pas shpalljes së tij. Ka pasur disa herë përmirësime të ligjit për gjakmarrjen, ka dhe së fundi përpjekje për ta forcuar Kodin Penal në këtë anë dhe askush nuk mund të thotë se nuk po bëhet mirë. Duke qenë sot për sot në vështirësi për ta përballuar këtë dukuri rrënuese, apo krimin në familje, korrupsionin etj., e para gjë që na vjen në mendje është forcimi i ligjit. Në të vërtetë nuk dimë nëse ajo që do të duhej në këtë rast do të ishte zbatimi i ligjit dhe jo thjesht forcimi i neneve penalizuese. Nuk është e rastit që dhe dekreti mbi shkishërimin i Mitropolisë Katolike të Shkodrës, Lezhës dhe Sapës (që përfshin dhe zona të Pukës e Mirditës) u përshëndet, ashtu siç ka pasur dhe mendime ndryshe rreth tij. Kisha ka një traditë të vyer në pajtimin e gjaqeve. Ka një dokumentacion historik të pafundmë për këtë. Mjafton të shohësh se çfarë pune heroike kanë bërë në malësitë e Veriut misionet shëtitëse të Jezuitëve, duke filluar nga çereku i fundit i shekullit XIX e deri në Luftën e Dytë Botërore, të prira dhe nga misionarë të huaj, që i njihnin thellësisht zakonet, traditat dhe psikologjinë e malësorëve tanë. Vepra e tyre ka qenë e pashembullt dhe meriton të ndriçohet e dekorohet në rang kombëtar, siç është bërë jo pak për sa i përket publikimit të shkrimeve të tyre. Ishte një realitet i mbarsur me krimin e vrasjes dhe kisha në atë “xhungël” mjerimi dhe mëkati shkëlqente në përpjekjet për ndreqjen e moralit të shprishur, duke e “dëlirur dioqezën prej vesit”, siç do të thoshte Imzot Prend Doçi. Nuk ishte vetëm gjakmarrja që gërryente pa mëshirë jetën e njerëzve, por dhe mbajtja e grave pa kurorë (konkubina) nga krerë të maleve etj. Njëri nga këta krerë në Mirditë nuk pranoi ta linte gruan e dytë pa kurorë, ndaj kisha e vendit, me gjithë pozitën e tij të lartë në shoqëri, e shkishëroi dhe kur ai vdiq e varrosën në “varret e ludhuna”, jashtë varrezës së bekuar. Ta gjykosh sot rastin lirisht, jo nga ana e dekretit shkishërues, se si të duket që njeriu të mos gjejë “prehje” as pas vdekjes, për një mëkat që ka kryer në të gjallë, ku si me thënë dënimi kishtar i bie të jetë dhe i pavdekshëm.
Një analizë komplekse e gjakmarrjes na sugjeron se ajo nuk mund të zgjidhet as vetëm me ligjin e gjyqin, as vetëm me dekretin dhe rolin e Kishës Katolike dhe komuniteteve të tjera fetare, as vetëm me nismat e shoqërisë civile. Sidomos nuk do të zgjidhej me deklarata publike, as të Kuvendit të Shqipërisë, as të Qeverisë, as të forumeve të larta europiane, as të mediave, as të shoqatave e fondacioneve të pajtimit, jo se çdokush nga këto nuk ka një rol në këtë mes. Çështja është se si do të fokusohemi ndryshe nga deri më sot te kjo dukuri, në mënyrë racionale dhe të frytshme? Shembullin e kemi sërish atje te misionet shëtitëse të zgjidhjes së ngatërresave dhe pajtimit të gjaqeve e hasmërive. Në to nuk kishte vetëm klerikë, por dhe pleq e kryepleq, kanunarë, bajraktarë, kapidanë, krerë vendorë, komunarë, të gjithë njerëz të dëgjuar e të pakorruptuar, që bëheshin bashkë dhe shkonin në çdo shtëpi ku duhej falur dhe për të disatën herë. Nuk flitej kurrë në përgjithësi, nuk bëhej moral, por veprohej me strategji për çdo rast, derisa mbërrihej pajtimi. Ndaj ato misione u kthyen në një institucion të pazakontë, dekretuar vetëm nga vepra e tyre humane. Aq fuqi kishin fituar në mbi 60 vjet veprimtari, sa rrallëkush mund të mos iu bindej. Po a ka ndodhur ndonjëherë një sipërmarrje e ngjashme në këto 22 vjet? Jo, sepse secili ka shkuar sipas “planit të tij të punës” pa një strategji të përbashkët. Por nuk zgjidhen kështu këto, me burokraci shoqatash për të përfituar donacione, me pajtues kalimtarë në familjet e ngujuara, me qasje mediatike skematike, apo vetëm me parakalime sensibilizuese bulevardit. Nuk ka pajtim aty ku ka kamera dhe fjalime. Pajtim ka aty ku ka shumë dhimbje dhe ku nuk (mund të) thuhen fjalë. Falja ka shqiptimin e vet thuajse të pagojë. Kohë më parë kemi shkruar se nëse ka një organizim të tillë të pabujë, do të thoshim autentik (siç është dhe vetë gjakmarrja sot!), na shënoni dhe ne, të marrim së bashku malet, me ditë e me net, apo dhe me javë. Jo për të imituar paraardhësit, por për të kuptuar filozofinë e pajtimit, përmes bashkëveprimit. Për më tepër që jemi të gjithë nga pak shkaktarë të vrasjeve për gjakmarrje dhe jo vetëm moralisht. Ato kanë ndodhur dhe se nëpunësi i komunës, apo ai i kthimit e kompensimit të pronave ka bërë dallavere me tokat, dhe se kryeplaku ka marrë ryshfet për të hedhur një firmë të pandershme dhe se gjykatësit kanë dhënë vendime të paligjshme, duke nxjerrë kriminelët nga qelia, dhe se shoqëria civile nuk ka ditur se si të veprojë, dhe se edukimi në shkolla ka qenë i mangët me kulturën e ligjit dhe frymën e shtetit ligjor. Nëse të gjithë këta e të tjerë aktorë do ta kishin bërë punën e tyre me dinjitet, gjakmarrja do të ishte pakësuar e shuar. A mundemi, pra, si shoqëri të nënshkruajmë këtë lloj “dekreti” së bashku? Të ngremë këtë lloj institucioni autentik parandalues të gjakmarrjes? Natyrisht thirrja për një filozofi të tillë ndërveprimi karshi kësaj dukurie shkatërruese nuk do të thotë që të mos veprojë për këtë qëllim çdo institucion, sipas rendit të vet, qoftë ai ungjillor, juridik apo civil. Ka qenë Dioqeza e Shkodrës që veç të tjerash krijoi Fshatin e Paqes, duke iu ardhur në ndihmë personave “në gjak”, apo që pati ndëshkuar sipas ligjeve të kishës një person që pati vrarë brenda në kishë, që si çdo tempull nuk mund të dhunohet e të preket nga krimi. Ka kontekst shkishërimi në këtë rast, është i motivuar dhe unik, teksa tjetër do të ishte ai si një parapritë, prej ligjeve kanonike, për dikë që i përket një famullie e ku deri tash ka marrë sakramentet fetare, pagëzimin, krezmimin, kungimin, por që nuk do të lejohet më (për shkak të vrasjes për gjakmarrje që ka kryer) të shkelë në derë të kishës, domethënë t’i ndalohet të marrë shërbesat fetare në vijimësi: të vërë kurorë, rrëfehet apo dhe të prehet në varrezat katolike. Ndërkohë që gjakmarrja nuk vepron vetëm aty ku shtrihet rrezja e dekretit të Argjipeshkvisë së Shkodrës, e para se ajo nuk është një “ekskluzivitet” vetëm i trevave veriore, por dhe se ka pasur lëvizje demografike të mëdha, ku familje të tëra janë shpërngulur nga zonat e thella veriore e janë vendosur në periferitë e Tiranës, Durrësit, Kurbinit e deri në Sarandë. Imzot Rrok Mirdita vëren se vrasjet i bëjnë njerëzit dhe jo vendi, Kanuni vërtet ka pasur një ndikim më të madh dhe më të vonë në ato zona, por vrasjet që kanë ndodhur atje nuk kanë të bëjnë aspak me Kanunin, pasi në Kanun nuk lejohet vrasja e grave apo fëmijëve, gjë që fatkeqësisht ka ndodhur. “Me një parandalim, ndërhyrje dhe punë të lodhshme, por sistematike te familjet që përfshihen në këto vrasje, nëpërmjet personave të duhur, ky fenomen mund të zbutet dhe zhduket”, shprehet Argjipeshkvi i Tiranë-Durrësit.
Në shqyrtimin tonë, si i bëhet që një katolik që ka vrarë për gjakmarrje, prej dekretit të shkishërimit do të prehet jashtë varrezës publike, kurse që dikush që vret për grabitje jo? Siç mund të ketë dhe ndonjë shkishërim të diskutueshëm, pasi si është thënë nga një teolog “shpeshherë nuk arrijmë të ndajmë mirë një krim të zakonshëm nga krimi për gjakmarrje”. Nga ana tjetër, nëse atij që vret për gjak nuk i vihet kurorë në kishë, kur të martohet, kështu ndëshkohet bashkë me të dhe femra që do të jetë gruaja e tij, çka nuk do të mund të përligjej, pasi ajo nuk ka bërë ndonjë faj ndaj kishës. Më tej si do ta merrnin udhën e kishës fëmijët e një prindi të shkishëruar?! Kësisoj na duket se ka “kundërthënie” të kësaj natyre që nuk e lehtësojnë zbatimin e dekretit shkishërues, përkundrazi e pengojnë atë; mbase dhe ngase rrojmë në kushte social-kulturore krejtësisht të tjera për të funksionuar sërish “varret e lidhuna”, apo dhe “guri i pendimit” mbi supet e njeriut të fajshëm rreth kishës.