SHBA
Shtatë marinsa amerikanë, një prej të cilëve pjesë e operacionit për vrasjen e Osama bin Laden në Pakistan, janë ndëshkuar për “dhunim të sekretit”. Mësohet se ata kanë marrë pjesë në prodhimin e lojës elektronike “Warfighter” dhe për këtë janë dënuar duke u mbajtur dy muaj pagat mujore. Loja, e publikuar nga “Electronic Arts”, nuk rikrijon misionin e Bin Laden-it, por pretendon të shfaqë bastisjet realiste. Sipas “CBS News” shtatë ushtarakët kanë punuar për dy ditë gjatë pranverës dhe verës, për lojën elektronike të lançuar së fundmi nga “Medal of Honor”. Prodhuesit e lojës janë mburrur se komandot realë, qoftë në detyrë aktive apo edhe të tërhequr, u përfshinë në procesin e dizenjimit të lojës, për ta bërë atë sa më reale që të ishte e mundur. Nuk është e qartë se çfarë sekretesh të klasifikuara janë nxjerrë nga ushtarët, në kohën kur konsultoheshin me “Electronic Arts”.