Naim Suli ekzekutohet me breshëri kallashnikovi afër shtëpisë. Dyshohet për konflikte pronësie
Edmond Hoxhaj
Një biznesmen fierak është qëlluar për vdekje me armë zjarri dje në mbrëmje, në lagjen “Liri Gero” të këtij qyteti, teksa ishte duke hyrë për në banesën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, në portën e rrethimit të vilës disakatëshe të biznesmenit 45-vjeçar Naim Suli. Ai ka qenë duke zbritur nga autovetura me targë TR 7835 C, kur është përballur me breshërinë e automatikut. Sipas burimeve të policisë dhe të atyre nga vendngjarja, dyshohet se biznesmeni Suli është vrarë nga dy persona të armatosur. Pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ata e kanë qëlluar me breshëri automatiku tip kallashnikov dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Familjarët e viktimës janë terrorizuar nga masakrimi i të dashurit të tyre, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policore. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 11 gëzhoja fishekësh të armës që ka kryer qitjen mbi trupin e viktimës. Mësohet se 45-vjeçari ka pësuar vdekje të menjëhershme për shkak të plagëve të rënda të marra në gjithë trupin dhe në organe jetësore.
Nga hetimet paraprake policia ka arritur të sigurojë identitetin e dy personave të dyshuar. Nga burimet e bluve mësohet se autorët e dyshuar janë banorë të lagjes dhe se dyshohet që ata të kenë pasur me viktimën një konflikt të hershëm pronësie. Por burimet nuk japin më shumë detaje rreth konfliktit, duke pohuar se janë duke siguruar provat që vërtetojnë motivin e dyshuar të ngjarjes. Ndërkaq, policia është vënë në ndjekje të dy autorëve të dyshuar. Mësohet se biznesmeni Naim Suli ishte bashkëpronar me tre vëllezërit e tij të një pike shitjeje karburantesh në segmentin e rrugës nacionale Fier-Patos, pranë zyrave qendrore të kompanisë shtetërore naftënxjerrëse “Albpetrol”. Këtë biznes tre vëllezërit Suli mësohet ta kenë ngritur vite më parë. Por, sipas burimeve të bluve, nuk dyshohet të ketë qenë biznesi në fjalë shkak i konfliktit të vrasjes së 45-vjeçarit Suli, por një çështje pronësie në lagjen ku banonte.