Vendimi
Qeveria e Irakut anuloi një marrëveshje me vlerë 4.2 miliardë dollarë për të blerë armatime nga Rusia dhe deklaroi se ka shqetësime që lidhen me “korrupsion të mundshëm” gjatë negocimit të marrëveshjes. “Kryeministri Nouri Maliki ka dyshime mbi korrupsionin nga njerëzit e vet”, tha zëdhënësi i tij. Blerja e armëve përfshinte helikopterë dhe raketa. Iraku është duke rindërtuar forcat e veta të armatosura që nga përfundimi i luftimeve të udhëhequra nga amerikanët kundër kryengritësve. Një ekspert ushtarak i Rusisë tha se Iraku e ka anuluar marrëveshjen nën presion nga Uashingtoni.
Duke njoftuar anulimin e blerjes dje, zëdhënësi i Malikit i tha medias se Kryeministri pati krijuar dyshime për korrupsion, pasi kishte përfunduar vizitën e tij në Rusi. “Aktualisht po kryhen hetime për këtë”, shtoi zëdhënësi. Kjo marrëveshje mund ta bënte Moskën furnizuesin kryesor të Irakut pas SHBA-së. Rusia ka qenë furnizuesi i Irakut gjatë kohës së Sadam Hussein-it. Në tetor, Maliki pati thënë se nuk dëshironte që Iraku të ishte “pjesë e ndonjë monopoli”. Por ai u përball me kritika. Blerja konsiderohet tepër e madhe dhe e panevojshme për sa kohë vendi ka sakaq shumë marrëveshje importimi armatimesh. Një deputet i Irakut deklaroi se operacionet e kundërterrorizmit, të përmendura si qëllimi i blerjes, kërkonte përmirësim në mbledhjen e informacionit dhe jo aq shumë helikopterë e raketa. Marrëveshja përfshinte blerjen e 30 helikopterëve Mi-28.