Gjykata e Tiranës ka gjetur shkelje nga një shtetase, e cila ka aplikuar për mjete identifikimi në Kamzë dhe në njësinë 8 në Tiranë, disa muaj para zgjedhjeve vendore të vitit 2011. Sipas një investigimi të kompanisë së prodhimit të pasaportave biometrike, Anila Zarka, 27 vjeçe, është paraqitur në datë 23 mars 2010 pranë qendrës së aplikimit në Njësinë Bashkiake nr.8. Në këtë njësi, ajo është paraqitur me një emër tjetër, Anila Shkëmbi, e datëlindjes 11.11.1985. Gjithashtu, më datë 23 shtator është aplikuar në Zyrën e Gjendjes Civile të Bashkisë Kamzë, nga Anila Zarka, e cila ka të njëjtën datëlindje. Të dy aplikimet rezultojnë të jenë kryer nga e njëjta shtetase. Nga këqyrja e kryer në regjistrin e gjendjes civile Kamzë, rezulton se Anila Zarka është e bija e Shpëtimit dhe e Mahmudijes. Në regjistrin e gjendjes civile në Njësinë Bashkiake nr.8 rezulton se shtetasja Anila Shkëmbi e bija e Shpëtimit dhe e Mahmudijes, është regjistruar më datë 16 janar 2002 me martesë, dhe lidhja me kryefamiljarin është “e reja”, ardhur nga Valiasi, Kamzë. Sipas sistemit TIMS rezulton se shtetasja Anila Zarka është larguar nga Shqipëria më datë 18 janar 2012 dhe nuk është kthyer më. E pyetur në lidhje me ngjarjen shtetasja Luljeta Rrushi, deklaron se motra e saj ka pasur probleme me regjistrimin e emrit në gjendjen civile, por nuk ka pasur mundësi korrigjimi, pasi jeton në Greqi. Pas shqyrtimit gjyqësor, ajo u dënua me 4 muaj burg, por gjykata ia konvertoi, duke e dënuar që brenda dy viteve të mos shoqërohet kontingjent kriminal. Prokuroria, por as gjykata, nuk përcaktojnë nëse kjo shtetase ka vepruar me vetëdije, pra të nxirrte mjete identifikimi në dy këto njësi, për të kryer procesin e votimit në zgjedhjet lokale të vitit 2011.