Krerët e Shëndetësisë “shfajësohen”: Denisi, mundësi të pakta shpëtimi
Tavo: Vdekja, jo nga ilaçi. Boçi: Nuk ka në farmaci
Silvana Muça
Ende vazhdojnë të mbeten të paqarta rrethanat në të cilën Denis Almadhi humbi jetën gjatë operacionit në Spitalin Francez, në Tiranë, disa ditë më parë. Mjekët dhe zyrtarët e Shëndetësisë vijojnë që të shfajësohen, duke dhënë sqarime mbi vdekjen e 11-vjeçarit, duke e cilësuar rastin tepër delikat. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, i pranishëm në një konferencë shkencore, me temë “Për mjekësi bashkëkohore në trevat shqipfolëse”, u shpreh se vdekja e vogëlushit 11-vjeçar Denis Almadhi nuk ka ardhur për shkak të medikamentit të munguar, pasi në mungesë të tij, mjekët mund të përdorin ilaçe të tjera analoge, që kryejnë të njëjtin funksion. Tavo thotë se mjekët kanë ndjekur me përpikëri protokollin, për t’i shpëtuar jetën Almadhit, duke theksuar faktin se ekipi i kirurgëve irlandezë është shumë i specializuar. “Mjekët irlandezë kanë një marrëveshje bashkëpunimi me spitalin tonë dhe sa herë që është kërkuar ndërhyrja e tyre, ata na janë përgjigjur. Irlandezët për të disatën herë kanë dhënë ndihmën dhe përvojën e tyre shumë të vyer në shëndetësinë shqiptare. Pranë qendrës sonë spitalore, ata kanë kryer dhjetëra ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk ka pasur incidente. Kjo që ndodhi ka qenë një komplikacion shumë i rrallë, por që ka qenë fatkeqësi për atë fëmijë dhe atë familje. Çështja e Denisit është tepër delikate”, theksoi kreu i Shëndetësisë, Vangjel Tavo.
Ndërkaq, nëndrejtori i Qendrës Spitalore Universitare, Besim Boçi, tha se medikamenti Dantrolen, që përdoret në komplikacione të hipertermisë malinje, është i palicencuar dhe grosistët nuk janë të interesuar për ta tregtuar. Boçi kërkon që të qetësojë prindërit e vogëlushit, duke thënë se mundësia e shpëtimit të 11-vjeçarit do të ishte shumë e vogël, 2-3%”. Ai nuk ka nguruar që të bëjë një paralelizëm të komplikacioneve të vogëlushit, me rastet e ndodhura në Amerikë. “Në SHBA, 80% e rasteve me komplikacionin e hipertermisë malinje përfundojnë me mortalitet. Në Shqipëri, prekja nga hipertermia malinje, probabiliteti është 1 në 80 mijë raste”.
Familjarët
Nga ana tjetër, familjarët kërkojnë që të zbardhen shkaqet e vërteta të humbjes së djalit të tyre. Ata u kërkojnë organeve të drejtësisë që të vihen para përgjegjësisë shkaktarët që i morën jetën Denisit të vogël, pasi po u tremben deklaratave nga drejtuesit e spitalit, apo Ministrisë së Shëndetësisë, ku sipas tyre, këta të fundit po fshehin të vërtetën. “Kam besim vetëm tek organet e drejtësisë. Deri më tani, çdo gjë ka rënë në një heshtje të thellë. Sërish kam besim, se heshtja vjen pasi ishte fundjavë dhe se ditën e hënë, presim reagime nga organet e drejtësisë. Shkova tek Instituti i Mjekësisë Ligjore, por nuk gjeta njeri, ngaqë ishte e shtunë. Do të shkoj sërish të hënën, sepse besoj se përgjigjja do ketë dalë deri atëherë. Deklaratat e dhëna nga personali mjekësor, nuk qëndrojnë. Hipertermia malinje, mund të menaxhohet. Këtë gjë e kam parë në internet dhe e kam përkthyer në shqip. Aty thuhet se pacienti mund të shërohet. Do t’i shkojmë kësaj çështje deri në fund, sepse vdekja e Denisit nuk mund të kalohet kaq lehtë nga mjekët, të cilët po tentojnë që të fshehin shkaqet e vërtetat të humbjes së jetës së tij”, është shprehur i indinjuar daja i babait të Denisit, Maliq Hasmuça.
Kontradiktat
Ministri
Mjekët kanë ndjekur protokollin për t’i shpëtuar jetën Almadhit, duke theksuar faktin se kirurgët irlandezë janë shumë të specializuar
QSUT
Mundësia e shpëtimit të 11-vjeçarit do të ishte shumë e vogël, 2-3%. Në SHBA, 80% e këtyre rasteve përfundojnë me mortalitet
Familjarët
“Deklaratat e dhëna nga personali mjekësor nuk qëndrojnë. Hipertermia malinje, mund të menaxhohet. Këtë gjë e kam parë në internet”
Ekspertiza
Mjekoligjorët: Konkluzioni për vdekjen, brenda pak ditësh
Ekspertiza e mjekësisë ligjore ende nuk ka dalë. Sipas burimeve nga ky institucion, mostrave të marra nga vogëlushi po u kushtohet vëmendje e madhe, sepse çështja është delikate. Ato thonë se përgjigjja pritet që të dalë pas një jave, për shkak të analizave të shumta që po bëhen dhe një prej tyre është ajo toksikologjike. Ata nuk dyshojnë ende për ndonjë shkak të rrethanave në të cilën humbi jetën 11-vjeçari dhe se është herët për të dhënë një shkak.
Grupi hetimor pret ekspertizën mjekoligjore, më pas do pyetet personeli mjekësor
Prokuroria sekuestron kartelën dhe nis hetimet për “mjekim të pakujdesshëm”
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet, për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Grupi hetimor ka kryer disa veprime dhe ndërkohë është në pritje të daljes së analizave të mjekësisë-ligjore. Burimet bëjnë me dije se fillimisht është sekuestruar kartela e shtrimit në Spitalin Francez në QSUT, menjëherë pas denoncimit të rastit nga familjarët. Më pas, hetuesit kanë marrë kallëzimin e familjarëve të 11-vjeçarit të bërë në Komisariatin Nr.4. Mësohet se deri më tani, dosja është regjistruar pa emra personash pranë organit të akuzës, të cilët janë përfshirë në vdekjen e 11-vjeçarit.
Një nga fazat e verifikimit dyjavor është edhe marrja e raportit të mjekësisë ligjore. Pas daljes së përgjigjeve do të shihet nëse mjekët kanë vepruar sipas protokollit mjekësor, apo nëse ata kanë kryer shkelje gjatë operacionit. Dyshimet për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” do të çojnë para organit të akuzës të gjithë personelin mjekësor, që ka asistuar në operacionin vdekjeprurës të vogëlushit 11-vjeçar. Në bazë të dyshimeve, edhe drejtuesit e pavijonit të okulistikës në Spitalin Francez në Tiranë do të merren në pyetje. Prokuroria do të shohë edhe bashkëpunimin e Shoqatës së Irlandezëve me Spitalin e QSUT-së.
Denis Almadhi humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në Spitalin Francez pranë QSUT-së, në një operacion estetik, në qepallat e syve. I mituri 11-vjeçar vuante nga simptoma “ptosis palpebral”, e cila njihet si varje e qepallave të syrit. Ky defekt, i trashëguar që në lindje, nuk i shkaktonte shqetësime vogëlushit. Operacioni është kërkuar me ngulm nga vogëlushi, i cili ka kërkuar që të ndihet i barabartë me shokët e tij. Prindërit bënë të pamundurën që t’i riparonin defektin vogëlushit, duke u lidhur me Shoqatën e Mjekëve Irlandezë, të cilët pranuan që ta bënin operacionin në shenjë bamirësie. Para 5 vjetëve, Denis Almadhi i është nënshtruar një operacioni tjetër, po për të njëjtin problem, por nuk ishte rezultativ. Kështu, prindërit vendosën që ai të bënte një ndërhyrje të dytë, ku edhe humbi jetën.
Menjëherë pas ngjarjes tragjike, prindërit denoncuan rastin në polici, duke akuzuar mjekët, për pakujdesi dhe mungesë medikamentesh në spital ose nga mbidoza e anestezisë. Si shkaktar të vdekjes, mjekët kanë përcaktuar sëmundjen e hipertermisë malinje, e cila sipas tyre është shumë e rrallë dhe që ka shkallë të lartë vdekje.
Dosja është regjistruar pa emra personash pranë organit të akuzës, të cilët janë përfshirë në vdekjen e 11-vjeçarit
Ekspertiza
Pas përgjigjeve do të shihet nëse mjekët kanë vepruar sipas protokollit mjekësor, apo nëse kanë kryer shkelje
Dëshmitë
Në bazë të dyshimeve, edhe drejtuesit e pavijonit të okulistikës në Spitalin Francez në Tiranë do të merren në pyetje
