Italia: Peshën më të madhe “mbi supe” do ta ketë Italia, e cila drejton sekretariatin e OSBE-së, nga ambasadori Lamberto Zannier. Vetë Italia shihet si një nga shtetet fqinje të Shqipërisë, që ka pasur jo pak ndikim në zhvillimet politike gjatë këtyre 21 viteve
Listat: Hartimi i listave të zgjedhësve, zbatimi i dy projekteve të reja për numërimin e pjesshëm elektronik dhe identifikimin elektronik të votuesve dhe roli i administratës në këto votime janë disa nga çështjet që do të jenë objekt i monitorimit
Grupi i posaçëm monitorues, jashtë “orbitës” së ODIHR-it
BLEDAR HOTI
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri do t’i nënshtrohen një superfiltri ndërkombëtar. Një prezencë e zgjeruar, ekstra nga ajo që jemi mësuar në misionet e vëzhgimit të OSBE-ODIHR, pritet të nisë punën për monitorimin e imët të përgatitjes së procesit zgjedhor. SHBA dhe KE, nëpërmjet ambasadave në Tiranë, po drejtojnë një projekt të posaçëm për zgjedhjet në Shqipëri, të cilat shihen si një test i veçantë për marrjen e statusit për në BE. Së bashku me OSBE-në, e cila ka rol të posaçëm në çdo zgjedhje në Shqipëri, është ngritur ajo që tashmë ka marrë një emër si Task-Forcë, grupi ndërkombëtar për zgjedhjet. Në këtë projekt monitorimi do të përfshihen ambasadat e shteteve që janë anëtare në OSBE-së, porse përparësi kanë ato vende perëndimore. Peshën më të madhe “mbi supe” do ta ketë Italia, e cila drejton sekretariatin e OSBE-së, nga ambasadori Lamberto Zannier. Vetë Italia shihet si një nga shtetet fqinje të Shqipërisë, që ka pasur jo pak ndikim në zhvillimet politike gjatë këtyre 21 viteve demokraci, si dhe në dhënien e asistencave. Mësohet se janë hedhur dhe hapat e parë, ku në plan të parë është krijimi i një grupi ekspertësh mes OSBE-së dhe ambasadave përkatëse. Grupi do të hartojë një plan pune për çështjet e monitorimit që nisin me ngritjen e infrastrukturës zgjedhore nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe qeverisë. Hartimi i listave të zgjedhësve, zbatimi i dy projekteve të reja për numërimin e pjesshëm elektronik dhe identifikimin elektronik të votuesve dhe roli i administratës në këto votime janë disa nga çështjet që do të jenë objekt i monitorimit. Padyshim në fokusin e këtyre ekstra-monitoruesve do të jetë klima politike në prag të zgjedhjeve. Raporti si material pas hartimit mësohet se do të depozitohet në selinë e OSBE-së në Vjenë, për t’u shpërndarë më pas në kancelaritë e Brukselit dhe të Uashingtonit. I gjithë ky proces pritet të realizohet para se në Shqipëri të instalohen vëzhguesit afatgjatë të OSBE-së dhe ODIHR-it.
Grupi ndërkombëtar
Disa ditë më parë në Tiranë, me nismën e OSBE-së u mblodh grupi ndërkombëtar për zgjedhjet. Sipas njoftimit për mediat, grupi i punës është një forum i përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare për të shkëmbyer informacion në lidhje me zgjedhjet, si dhe për të bashkërenduar qëndrimet. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth tha: “Pjesëmarrja juaj është një tregues jo vetëm i interesit të vendeve dhe organizatave tuaja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe i angazhimit tuaj për t’u ofruar asistencë dhe mbështetje autoriteteve shqiptare”. Ky grup, që në takimin e parë ka kryer dhe propozimet e veta për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve. “Konsensusi i arritur nga partitë kryesore parlamentare për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore duhet të pasohet nga një zbatim i plotë dhe i sinqertë i Kodit të ndryshuar Zgjedhor nga të gjithë aktorët e përfshirë. Kjo vlen veçanërisht për përdorimin e teknologjive të reja në zgjedhje: një frymë besimi midis partive dhe vullneti të mirë është thelbësore për zbatimin me sukses të këtyre teknologjive. Kjo është një prej arsyeve pse propozuam hartimin e një kodi sjelljeje për partitë politike, i cili ka për qëllim të shmangë përdorimin e një gjuhe të papërshtatshme gjatë fushatës së ardhme zgjedhore. Në një takim që pata me Presidentin e Republikës më 26 tetor diskutuam hartimin e një kodi të tillë. Ai e mirëpriti këtë nismë dhe premtoi mbështetje të plotë me synim që së bashku me Prezencën, të hartohej ky kod dhe të merrej miratimi i partive politike. Sigurisht që ne e mirëpresim mbështetjen e bashkësisë diplomatike këtu në Shqipëri për këtë përpjekje, e cila besojmë se do të kontribuojë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta”, tha ambasadori Wollfarth.
Takimi me Clinton në ambasadë
Çështja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri pati dhe një trajtim të veçantë nga sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, në një takim të mbajtur në Tiranë me punonjësit e ambasadës së SHBA-së. “Ashtu siç e thashë edhe në Parlament, zgjedhjet e vitit tjetër do të jenë shumë të rëndësishme për avancimin e demokracisë në Shqipëri. Dhe unë e di që zgjedhjet në të shkuarën kanë ngritur disa sfida, por roli që ambasada, secili nga ju, Amerika dhe vetë shqiptarët mund të luajnë është monitorimi i qendrave të votimit, për të ndihmuar që të sigurohet përputhshmëria e votave, për t’ua bërë të qartë miqve tanë këtu se të pasurit zgjedhje të mira, të lira, të drejta dhe të besueshme që plotësojnë standardet ndërkombëtare do të çojnë përpara Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, u tha Clinton punonjësve të ambasadës së SHBA-së.
Clinton
Një nga porositë e sekretares Clinton në takimin me stafin e ambasadës në Tiranë ishte monitorimi i zgjedhjeve të ardhshme
Zgjedhjet
Data 23 qershor dhe risitë e rrezikuara të numërimit elektronik
Për herë të parë në Shqipëri pritet të realizohet numërimi elektronik i votave, si dhe verifikimi elektronik i zgjedhësve. Këto dy projekte janë të pjesshme, pasi do të jenë për Qarkun e Fierit dhe për Tiranën. Numërimi elektronik do të realizohet në Fier, ndërsa ai për identifikimin e zgjedhësve në Qarkun e Tiranës. Dy qarqe që kanë qenë përherë problem për Shqipërinë në çdo votim, si për mënyrën e hartimit të listave dhe të numërimit të votave. Puna për këtë projekt duhet të kishte nisur 30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit zgjedhor, por ngritja me vonesë e KQZ-së po bën që për këto dy projekte të mos flitet fare. “Procedurat për blerjen e shërbimit dhe/ose pajisjeve të SEN-it dhe SEV-it kryhen me operatorë të mirënjohur që ofrojnë teknologji të provuara me sukses në fushat respektive. Procedurat e prokurimit, si rregull, duhet të përfundojnë jo më vonë se 6 muaj përpara zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2013”, thuhet në pikën 6 të nenit 179/1. Mbi bazën e kësaj llogarie, projekti duhet të mbarojë 6 muaj përpara datës së zgjedhjeve, që i bie në muajin dhjetor. Presidenti ende nuk e ka shpallur datën e zgjedhjeve, pavarësisht se pas konsultimit me partitë, 23 qershori shihet si opsioni më i mundshëm.