Vllaznia-Tirana 0-1. Fitojnë Bylisi dhe Teuta


Derbi i Shqipërisë është i Tiranës. Bardheblutë fitojnë 1-0 ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, në një ndeshje të çuditshme, ku lojën e bëjnë shkodranët, por rezultatin në fund e merr Tirana, falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Klodian Duro.


Të dyja skuadrat vinin pas një jave jo shumë të mirë, Vllaznia për shkak të eliminimit në Kupë dhe Tirana pas një ftohje me tifozerinë e saj. Ndaj ky derbi i Shqipërisë merrte vlera dhe për një goditje antikrizë për të dyja skuadrat. Tirana jep shkëndijën e parë të sfidës me Gilman Likën i cili driblon bukur nga krahu, hyn në zonë, por goditja lë për të dëshiruar.


Gjithsesi bardheblutë do të fiken këtu, pasi Vllaznia merr frenat e lojës në dorë dhe rastet vijnë në seri për shkodranët. Në minutën e 21-të është Lika që bëhet shpëtimtar i të tijve, ndërsa në të 23-tën Hajdari nuk godet siç duhet. Janë minuta të mira për Vllazninë, që kulmin e arrijnë në minutën e 34-t, kur zona e Tiranës shndërrohet në një bilardo, me katër lojtarë vendas, që provojnë të gjithë të dërgojnë topin në rrjetë, por herë traversa e herë kundërshtarët nuk lejojnë prekjen e rrjetës. Në dhomat e zhveshjes, të dyja skuadrat shkojnë me rrjeta të paprekura, një rezultat që i shkon më përshtat Tiranës që përgjithësisht e limitoi lojën e saj në fazën mbrojtëse.


Në pjesën e dytë, Vllaznia është mbizotëruese por mungon finalizimi, që ka qenë pika më e dobët e shkodranëve deri në këto momente. Në minutën e 67-të, Hysa rrëzohet në zonë dhe skuadra e Duros pretendon për 11-metërsh, por gjithçka është e rregullt për kryesorin. 11-metërshi gjithsesi do të akordohet në krahun tjetër, 13 minuta më vonë, dhe do të jetë ai që do të vendosë ndeshjen. Lika filtron dhe një herë tjetër në zonë si në pjesën e parë. Rrëzohet në zonë dhe për gjyqtarin gjithçka do të zgjidhet nga pika e bardhë.


Klodian Duro, aty nuk gabon dhe e dërgon topin në rrjetë. Vllaznia përpiqet të balancojë shifrat, duke ushtruar një presing final, por shifrat nuk ndryshojnë dhe mbyllet 1-0 për Tiranën, që merr një fitore shumë të rëndësishme për fatin e saj. Por ajo nuk arrin të shkrijë akullin me tifozerinë bardheblu, të cilën duket se nuk e ngroh vetëm një sukses i skuadrës, pavarësisht se arrihet me një nga skuadrat më të mira të kampionatit, pasojë dhe e një loje jo shumë bindëse të Tiranës që pranohet dhe nga trajneri Alban Tafaj.


Pas ndeshjes, autori i golit, Klodian Duro, dhe trajneri i ri i Tiranës patën debate me një grup tifozësh që kishin udhëtuar nga kryeqyteti për të parë ndeshjen.


Në dy takimet e tjera të Kategorisë Superiore të luajtura dje, ballshiotët mposhtën pastër me rezultatin 2 me 0 Shkumbinin e Peqinit, ndërsa Teuta fitoi në Fier me Apoloninë, me rezultatin 1 me 2.