Një ditë pas vrasjes së biznesmenit 47 vjeçar nga Fieri, Naim Suli, policia ka identifikuar autorët e krimit të rëndë. Sipas informacioneve të policisë së Fierit janë identifikuar dhe shpallur në kërkim Gëzim Sulo, 49 vjeç dhe dy djemtë e tij, Ervis dhe Endri Sulo, përkatësisht 22 dhe 20 vjeç si autorë të krimit që ndodhi dje në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit, shumë pranë komisariatit të policisë së këtij qyteti.


Ndërkohë, polica ka vënë në dispozicion një shumën prej 5 milionë lekësh për këdo që do të japë informacione të vlefshme për kapjen e këtyre personave.


Më herët gjatë ditës së sotme policia kishte gjetur një automjet të braktisur në fshatin Mbrostar Ura Fier, rreth 6 km larg vendit të ngjarjes, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.


Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 21.00 të mbrëmjes të së shtunës. Naim Suli, biznesmen hidrokarburesh, është qëlluar me armë zjarri automatik duke hyrë për në banesën e tij. Ai ka qenë duke zbritur nga autovetura, kur është përballur me breshërinë e automatikut dhe si rezultat ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ende nuk dihen motivet e krimit të rëndë, ndërkohë që policia po heton në disa pista, përfshi edhe atë të një konflikti pronësie.

11 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)