Spitali me mungesa në disa shërbime. Ministria e Shëndetësisë, në negociata për procedura përshpejtuese
Buxheti – Për këtë vit ende nuk është diskutuar se sa do të jetë buxheti që do të jetë në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nënndarjet më pas për qendrën spitalore universitare dhe në veçanti “zërit” barna
Negociatat – Nga mbyllja e procedurave të blerjes së ilaçeve, afati deri në furnizim të spitalit është 45 ditë. Ministria e Shëndetësisë po bën përpjekje për shkurtimin e kësaj periudhe në më pak ditë
Blerjet e mëdha për furnizimin e barnave të spitalit “Nënë Tereza” tanimë kanë përfunduar dhe përsëri qendra spitalore nuk ka ilaçe. Një pjesë e shërbimeve kanë mungesa, ndërkohë që pothuajse në asnjë muaj të vitit farmacia e spitalit nuk ka të gjitha ilaçet e nevojshme në masën 100 për qind. Një herë mungon një lloj, e më pas kur vjen furnizimi mungon lloji tjetër.
Muaji shtator ka shënuar edhe fundin e blerjeve të mëdha, realizimin e tenderëve dhe furnizimi i shërbimeve me ilaçe pothuajse është mbyllur.
Periudha më e afërt ku pritet të bëhen sërish blerjet e ilaçeve është muaji mars. Duke ditur ngërçin dhe problemet që kanë pacientët me barna, Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër për të bërë negociatat me Ministrinë e Financave, por edhe qeverinë për shkurtimin e afateve dhe të procedurave për blerjen e ilaçeve. Në këto kushte pritet që në muajit e ardhshëm shumë nga shërbimet të përfshihen nga kriza e mungesës së barnave.
Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” pothuajse asnjëherë nuk i ka të gjitha medikamentet e nevojshme. Drejtuesit e qendrës në vite kanë thënë se përveç buxhetit që është i ulët në krahasim me rritjen e të sëmurëve dhe rritjen e numrit të pacientëve që vijnë në këtë qendër, problem mbeten edhe sigurimi i ilaçeve tepër të shtrenjta. Për këtë vit, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” i ka mbyllur të gjitha procedurat e tenderëve për blerjet e medikamenteve apo pajisjeve të tjera spitalore. Janë shpenzuar për ilaçe rreth 15 milionë dollarë”, ka sqaruar zyrtarisht administrata e spitalit “Nënë Tereza”.
Kështu, sipas legjislacionit në fuqi, barnat duhet të mbërrijnë deri 45 ditë pas afatit të mbylljes së blerjes. Edhe këtë vit, si vitet e kaluara, barnat vijnë një nga një, dhe për sëmundje të veçanta që u duhet kombinim barnash për trajtim, mjekët dhe pacientët duhet të mjaftohen me ato që ndodhen, në rast se nuk kanë mundësi financiare për t’i siguruar privatisht këto medikamente.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, po bëhen përpjekje për ndryshime në ligjin e prokurimit të barnave për të ulur periudhën e mbërritje së barnave nga 45 ditë në më pak ditë, fill pas mbylljes së procedurave tenderuese.
Sakaq, sipas QSUT-së, sqarohet se nuk do të mungojnë asnjëherë gjatë kësaj kohe barnat e përdorura për shërbimin e urgjencave, për reanimacionin dhe kirurgjinë. Lorina Mixha