Muaji i mjaltit është simboli i dashurisë së vërtetë: duke u larguar disa ditë nga monotonia e jetës së përditshme, çifti nuk bën gjë tjetër veçse i përkushtohet pasionit të vet dhe zbulimit reciprok


Muaji i mjaltit është vërtet një prej momenteve më intensive të një çifti të ri të sapomartuar. Muaji i parë i martesës është më i ëmbli. Në fakt, muaji i mjaltit është periudha kur të sapomartuarit festojnë martesën e tyre si rezultat i një jete të përbashkët. Kjo periudhë ka brenda dashurinë, pasionin, dëshirën për të nisur një jetë të re bashkërisht. Gjatë këtyre ditëve çifti qëndron në një vend kryesisht ekzotik dhe romantik. Këto janë momentet më të paharrueshme që kalojnë së bashku, larg të afërmve dhe miqve. Ata zbaviten dhe kënaqen me njëri-tjetrin në qetësi, duke iu përkushtuar në maksimum shoku-shokut. Por jo gjithmonë ndjenja e të pasurit botën nën këmbë, apo mendimi se tashmë jeni pjesë e një marrëdhënieje të pakthyeshme, vazhdon gjatë: angazhimet e përditshme, kujdesi ndaj fëmijëve, rutina e përditshme edhe në marrëdhëniet seksuale, mund ta bëjnë martesën shumë më monotone sesa faza e fillimit. Ç’duhet bërë atëherë për ta jetuar çdo ditë sikur është muaj mjalti? Në fakt, muaji i mjaltit është simboli i dashurisë së vërtetë: duke u larguar disa ditë nga monotonia e jetës së përditshme, çifti nuk bën gjë tjetër veçse i përkushtohet pasionit të vet dhe zbulimit reciprok. Por kur jeta e vërtetë bëhet e mërzitshme, ndjenjat dhe emocionet fillojnë të zbehen, duke ia lënë vendin pakënaqësisë. Faktikisht do të ishte shumë e thjeshtë që e gjitha kjo të justifikohej me një fjalë: rutinë. Në fakt, problemi i vërtetë nuk është koha e kaluar, por mungesa e kujtesës së partnerit. Duke qenë i zhytur kokë e këmbë në punët dhe angazhimet e përditshme, ai i ka harruar gjestet e vogla romantike që mbajnë gjallë një lidhje dashurie. Problemi është se edhe gruaja merr gjithçka të mirëqenë dhe mendon se e vetmja shenjë dashurie mes çiftit është bashkëjetesa nën një çati. Por në fakt nuk s’është kështu, sepse dashuria nuk është një ndjenjë që sanksionohet ligjërisht nga një martesë: bëhet fjalë për një pjesë të njeriut që duhet zhvilluar me diturinë çdo ditë. Prandaj hapi i parë që duhet bërë për të risjellë muajin e mjaltit në shtëpi është që ta kujtoni partnerin për gjërat e vogla.


Një ide e mirë do të ishte futja e gjërave të reja mes momenteve “të vdekura” të ditës: vendosni një pusullë dashurie brenda axhendës së partnerit, vini mbi tryezë një vazo me trëndafila të kuq, bëjini një ftesë të papritur për të drekuar së bashku. Këto janë gjeste që nuk ju marrin shumë kohë dhe s’kërkojnë ndonjë filozofi të madhe, përkundrazi ia qartësojnë edhe më tepër idenë partnerit se vazhdoni ta doni e ta mendoni, e më kryesorja që lidhjen e keni të shenjtë. E njëjta gjë mund të bëhet edhe për marrëdhënien seksuale, për rizbulimin e pasionit të momenteve të para: me siguri brenda jush ka një galaktikë fantazish erotike që akoma nuk e keni eksploruar, prandaj futuni punës dhe vëreni në praktikë. Edhe në këtë rast duhet të përfitoni nga momentet e veçanta të ditës për t’i dhënë më shumë ngjyrë marrëdhënies: hyni fshehurazi në dush me partnerin, përfitoni nga momentet që fëmijët s’janë në shtëpi. Për të krijuar pak atmosferë romantike, vishni të brendshme që s’i keni veshur kurrë më parë.


Kështu emocionet e muajit të mjaltit mund të rijetohen duke kujtuar karakteristikat tipike të një çifti të sapomartuar. Një martesë që zgjat për vite me radhë shpesh e humbet shkëlqimin e fillimit; duket sikur i ka ardhur fundi dhe sikur nuk ka më alternativa për të vazhduar rrugëtimin e nisur, por në fakt nuk është kështu. Situata e krijuar mund të ndryshohet në çdo kohë, duke nxitur pasionin e ndërsjellët për një qëllim të përbashkët. Duke u ulur përkrah partnerit dhe duke fantazuar rreth asaj që çifti mund të bëjë në një të ardhme të afërt, planifikimi i një udhëtimi, një investim për shtëpinë, apo forma të tjera për të rindezur pasionin, risillni afërsinë e një marrëdhënieje në fillim, atë ndjesinë e të qenët një trup i vetëm në bërjen e gjërave, gjë që deri tani dukej sikur ishte “varrosur”.