Ai braktisi mjetin mes doganës shqiptare dhe greke
Gjatë arratisjes, drejtuesi i autobusit rrezikoi jetën e punonjësve të policisë kufitare
Teksa policia po e kontrollonte në doganën e Kakavijës, shoferi ka vënë re se uniformat blu zbuluan drogën e fshehur në tubin e shkarkimit të tualetit të autobusit. Për të mos rënë në prangat e tyre, ai ka hipur në autobus, i ka dhënë gaz dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, me shpejtësi ka kaluar në zonën neutrale mes dy doganave. Aty e ka braktisur autobusin dhe është larguar me vrap mes pyllit, duke u zhdukur në territorin grek. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, ku policia ka sekuestruar 32 kg marijuanë, ndërkohë që ka shpallur në kërkim shoferin, Arben Hysesani, i cili dyshohet se ishte thjesht transportues i lëndës narkotike.
Policia e Gjirokastrës deklaroi zyrtarisht se pak pas mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme, efektivët e kufirit në Kakavijë, si rezultat i forcimit të kontrollit në pikën e kalimit të kontrollit kufitar, kanë ushtruar një kontroll të imtë në autobusin e linjës Albania–Interlines, me targë YHT 9030, që drejtohej nga Arben Hysesani, 40 vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj. Në momentin që punonjësit e policisë kufitare të stacionit të Kakavijës, nëpërmjet mjeteve logjistike, kanë konstatuar se në pjesën e shkarkimit të tualetit të autobusit kishte lëndë narkotike, shoferi ka hipur menjëherë në autobus dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të tokës greke. Madje, ai ka nisur autobusin me bagazhe hapur, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë kufitare, që po kryenin kontrollin e autobusit. Reagimi i menjëhershëm i punonjësve të policisë kufitare bëri që drejtuesi i autobusit ta braktisë atë në tokën neutrale dhe të largohet me shpejtësi në thellësi të kufirit jeshil, në tokën greke. Menjëherë, uniformat blu kanë njoftuar edhe palën greke dhe në bashkëpunim vijon operacioni i përbashkët i policisë kufitare të Kakavijës me homologët grekë, për të bërë të mundur kapjen e tij.
Policia kufitare ka rikthyer autobusin përsëri në tokën shqiptare dhe ka vijuar kontrollin e imtësishëm të autobusit dhe njëkohësisht ka lajmëruar grupin hetimor me specialistë të seksionit të antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga kontrolli i ushtruar në autobus mësohet se në pjesën e shkarkimit të tualetit të autobusit, u gjetën 9 pako të mëdha, ku brenda tyre kishte pako me peshë një kilogramë me mbishkrime përsipër. Sipas policisë, gjithsej ishin 32 pako me peshë totale 32 kilogramë marijuanë. Në autobus udhëtonin edhe dy shoferët ndihmës, një shqiptar dhe një grek, të cilët janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të vërtetuar implikimin ose jo të tyre në këtë trafik. Por, pas disa orësh, ata janë lënë të lirë.
Nga ana e policisë u bë sekuestrimi i lëndës narkotike dhe i autobusit, si dhe shpallja në kërkim e Arben Hysesanit. Ndërsa pasagjerët e autobusit kanë ikur me linja të tjera, pasi firma nuk kishte autobus për t’ua dërguar në Kakavijë. Sipas policisë, përfaqësuesit e autobusit deklaruan se do ua rikthente lekët e biletës në Athinë, kur të paraqiteshin me biletën përkatëse në zyrat e kompanisë. Red. Akt.