Presidenti merr nismën e parë publike për problematikat në këtë sistem


Drejtësia në Shqipëri është konsideruar tepër problematike nga ndërkombëtarët


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të mbledhë paraditen e sotme në ambientet e vilës qeveritare 31 të gjithë drejtuesit e institucioneve që janë pjesë e sistemit të drejtësisë në vend. Kjo nismë e kreut të shtetit vjen në një kohë kur progresraporti i radhës i Komisionit Europian le shumë detyra për sa i përket drejtësisë shqiptare, duke mos kursyer as kritikat në adresë së të saj. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka thirrur një tryezë të rrumbullakët me një sërë drejtuesish të institucioneve kryesore pjesë përbërëse të sistemit të drejtësisë, për të diskutuar mbi reformën në sistemin gjyqësor, si dhe mbi sfidat që burojnë nga rekomandimet në raportprogresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2012”, theksohet në njoftimin për shtyp të shpërndarë dje nga zyra e shtypit të Presidentit të Republikës. Kjo është dhe nisma e parë që ndërmerret nga kreu i ri i shtetit Nishani për sa i përket rolit të rëndësishëm që ai ka në sistemin e drejtësisë në vend. Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës është dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe roli i tij në këtë sistem është tepër i rëndësishëm. Drejtësia është konsideruar si tepër problematike në vend dhe përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë në deklaratë apo në raporte kanë vendosur theksin në nevojën për forcimin e këtij sektori tepër të rëndësishëm për demokracinë vend.