Ministri i jashtëm Edmond Panariti ka deklaruar se nuk ka asnjë marrëveshje të re mes Shqipërisë dhe Greqisë kufirin detar. Sipas ministrit Panariti marrëveshja e re duhet të jetë e pranueshme nga të dyja palët, në mënyrë që të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme


“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e anulon marrëveshjen e mëparshme dhe nuk ekziston asnjë marrëveshje e re për delimitimin e ujërave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. A jemi të interesuar ne për këtë? Po, por për këtë kërkohet kohë dhe marrëveshja e re duhet të jetë e pranueshme në mënyrë që të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme”, – tha Panariti.


Gjithashtu, Panariti iu referua edhe deklaratave shoviniste në parlamentin grek, për të cilat tha se diplomacia shqiptare do të punojë pa reshtur që të zhduken një herë e përgjithmonë.


“Jam njohur me deklaratat e Avromopolues, për një shtim të shovinizmit në Kuvend. Ne do bëjmë çfarë është e mundur të bashkëpunojmë përmes dialogut për të frenuar këto tendenca shoviniste”, theksoi Panariti gjatë konferencës së mbajtur ditën e  sotme me homologun kosovar, Enver Hoxhaj.


Panariti-Hoxhaj: Aspirata e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë, integrimi europian


Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, në një konference të përbashkët për shtyp që pati sot në Tiranë me homologun kosovar, Enver Hoxhaj me rastin e vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, shprehu garancinë se Shqipëria do të vijojë të lobojë me shumë vende për njohjet e mëtejshme të shtetit të Kosovës.


Gjithashtu, Panariti i shprehu përgëzimet e veta homologut të tij kosovar për progresin që ka bërë Kosova këto vitet e fundit, që nga përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe deri tek marrja e studimit të fizibilitetit. Ministri i Jashtëm shqiptar më tej vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve tona.


Nga ana e tij, ministri Hoxhaj u shpreh se aspiratat e dy vendeve tona janë të përbashkëta në lidhje me integrimin europian të tyre dhe se dialogu me Serbinë i shërben pikërisht këtij qëllimi të rëndësishëm të kombit kosovar dhe atij shqiptar.


Gjatë vizitës së tij në Tiranë, ministri Hoxhaj do të pritet në takime të veçanta edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryeministri Sali Berisha.


12 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)