Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur ditën e sotme shqetësimin lidhur me çështjen e marrëveshjes së ujërave me Greqinë, e cila është një pakt i mbetur pezull, ‘një zonë e minuar’ sipas tij, që nuk i sjell asgjë të mirë dyja vendeve tona, përvese dëmton marrëdhëniet mes tyre. Rama ka kërkuar që të bëhet sa më shpejt rishikimi i kësaj marrëveshjeje në mënyrë që të realizohet ajo që është një domosdoshmëri e qartë historike, rishikimi i hartës dhe vendosja e vijës kufitare
“Qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për qorrsokakun që ka vizatuar në hartë dhe duhet të ulet për të gjetur arsyen. Rishikimi hartës dhe marrëveshja e kufijve është e domosdoshme”, – ka theksuar Rama.
Sipas kreut të PS, zgjidhja e këtij problemi duhet bërë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe është detyrë e qeverisë që t’i japë sa më shpejt zgjidhje kësaj çështjeje të lënë pezull, në mënyrë që “kufiri i vendosur qorrazi në dëm të interesave kombëtare të spostohet në vendin e vetë dhe çdo pëllëmbë det i Shqipërisë të mbetet det i Shqipërisë”, tha Rama.
PDIU: Shqipëria t’i kërkojë zyrtarisht informacion Greqisë për zonat ku kërkohet naftë
“Shqipëria duhet t’i kërkojë zyrtarisht Greqisë informacion mbi zonat ku kërkohet naftë dhe nëse ato përputhen me ndarjen sipas marrëveshjes së hedhur poshtë, atëherë duhet reagim i vendosur”. Kështu thuhet në një deklaratë për shtyp të PDIU, e cila shton se ,”nëse këto kërkime zhvillohen saktësisht në zonat e kontestuara dhe në përputhje me marrëveshjen e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe që nuk është formalizuar as nga Parlamenti grek, atëherë ky akt do të ishte një provokim i rëndë i shtetit shqiptar, i dinjitetit të tij, i interesave të tij madhore”.
PDIU-ja i është referuar më tej deklaratës së ministri të Jashtëm grek, Avramopulos në parlament për shtim të shovinizmit në Ballkan, duke theksuar se në Shqipëri nuk ka forcim të shovinizmit, por të patriotizmit.
“Ai duhet të kuptojë se në Shqipëri nuk ka forcim të shovinizmit, por ka forcim të patriotizmit, të ndjenjës kombëtare, të ndjenjës së mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, të interesave kombëtare.
Ndjenja kombëtare e shqiptarëve po provokohet nga axhenda historike e shovinizmit grek ndaj Jugut të vendit. Patriotizmi shqiptar po provokohet me tubime partish politike greke mbi varreza të rreme të ushtarëve pushtues grekë në Jug të vendit, apo me dhunim të sovranitetit tonë në det, e aq më tepër prej faktit se Greqia nuk po shpreh gatishmërinë për zgjidhjen e çështjes çame”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.
12 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)