Shtyhet afati i aplikimeve, pritet të ketë edhe kuota shtesë për degët e preferuara


Lorina Mixha


Studentët, të cilët do të ndjekin studimet në sistemin e korrespondencës, këtë vit do të nisin me vonesë mësimin.


Shtyrja e afatit të aplikimit dhe procedurat që vijnë më pas, do të sjellin edhe shtyrjen e çeljes së vitit akademik për studentët e part-time.


Sipas vendimit të marrë nga universitetet, por të aprovuar edhe nga Ministria e Arsimit, të gjithë ata që do të studiojnë me kohë të pjesshme, do të aplikojnë për fazën e parë. Kriteri kryesor do të jetë mesatarja e shkollës së mesme. Në varësi të kuotave të vendosura në dispozicion, por duke parë edhe numrin e kandidatëve që aplikojnë në këtë sistem studimesh, bëhet edhe përzgjedhja dhe pikët e nevojshme për të fituar studimet e larta.


Pas mbylljes së aplikimeve dhe dorëzimit të dokumenteve, sekretaritë e fakulteteve do të bëjnë edhe përzgjedhjen e fituesve. Më pas, fakultetet do të afishojnë emrat e fituesve dhe menjëherë regjistrimet e tyre. Pas mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, kuotat nuk do të digjen, por do të rishpërndahen, duke vijuar me fazat e tjera deri në plotësimin total të të drejtave të akorduara me VKM.


Deri në mbylljen totale të procedurave, do të duhet minimumi tri javë. Kështu, mësimi në sistemin part-time pritet të nisë në rastin më të mirë në muajin dhjetor, pasi 100-vjetori i Pavarësisë do t’i gjejë mbyllur auditorët dhe administratat e institucioneve të arsimit.


Ministria e Arsimit ka vendosur shtyrjen e afatit të aplikimeve për studimet me kohë të pjesshme dhe në distancë. Të gjithë të interesuarit kanë afat deri më 15 nëntor për të filluar studimet e larta me kohë të pjesshme.


Dokumentet për aplikim janë: fotokopje e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore, kartë identiteti ose pasaportë dhe fotokopje të tyre. Kërkohen dy fotografi, si dhe mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1600 lekësh, paguar në Postën Shqiptare.


Në degët me më shumë preferenca ka edhe numrin më të lartë të aplikantëve, dhe këtu, edhe kriteri i mesatares është edhe më i lartë, pasi pikët kualifikuese janë maksimale. Më pas, në fakultete të caktuara, si në degët e Historisë dhe Filologjisë apo Shkencave Sociale, mesatarja e kërkuar është rreth notës 7-8. Fakulteti me më shumë shanse për t’u shpallur fitues është ai i Shkencave të Natyrës. Në këtë fakultet, numri i aplikantëve është i ulët, por edhe mesatarja për t’u pranuar është e ulët. Në këtë institucion, duke pasur parasysh lëndët e shkencave ekzakte dhe vështirësitë në përthithjen e dijeve, mesatarja për të pranuar studentët duhet të jetë e lartë, por për shkak të kërkesave të ulëta në këtë fakultet, studentët pranohen edhe me mesatare të ulët.


Sakaq, këtë vit nuk do të ketë rritje të tarifave shkollore, nuk do të ketë as rritje të tarifave për regjistrim. Sipas universiteteve, degët e preferuara si Juridiku apo Ekonomiku, pritet të kenë shtesa me një vendim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.


 


Afati – Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, aplikimet për sistemin part-time do të lejohen deri më datën 15 nëntor


Shtesat – Pritet që në degët e preferuara, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të miratojë shtesa kuotash. Propozimet janë dërguar për Ekomomikun dhe Juridikun


Dokumentet – E kërkuara për aplikim janë fotokopje e kartës së identitetit, fotografi, diploma e maturës, mandati i arkëtimit, deklaratë