Vajmari – Analistët i frikësohen një situate të ngjashme me Gjermaninë e Vajmarit. E majta dhe e djathta ekstreme luftojnë në rrugë për të marrë pushtetin
Udhëheqësi – Një ish-komando i forcave speciale në ushtri u takua me udhëheqësit e juntës ushtarake, ndërsa ishte në burg për kontrabandë armësh për një grup ekstremist më 1979-n
Partia e re – “Agimi i Artë” jep shumë pak të dhëna për financat e veta dhe thotë se financohet nga mbështetësit. Ajo po hap zyra në të gjithë vendin dhe në bashkësitë e grekëve në vende të tjera
Në vitin 2009 kishte vetëm 0.29 për qind të votave. Tani mbështetet nga 15 për qind e grekëve
Reuters – Krahët u ngritën në një përshëndetje të stilit nazist, ndërkohë që udhëheqësi i partisë me rritje më të shpejtë të elektoratit në Greqi pa nga turma prej qindra të rinjsh të veshur me bluza të zeza që shpërthyen në brohoritje. Slogani i tyre i luftës bëri jehonë nëpër natë: Gjak! Nder! “Agim i Artë!”.
“Ne, në disa raste, ngremë dorën në këtë mënyrë, por këto duar janë të pastra, jo të pista. Ato nuk kanë vjedhur”, thirri Nikolaos Mihaloliakos, ndërsa qëndronte para rreth 2 mijë mbështetësish të vijës së ashpër në një amfiteatër të hapur në parkun “Goudi”, një ish-kamp ushtarak pranë Athinës.
“Ne në fillim ishim disa dhjetëra e më pas, disa qindra. Tashmë ne jemi mijëra dhe ky është vetëm fillimi”, tha udhëheqësi i “Agimit të Artë”, një parti e ekstremit të djathtë që po njeh rritje të vazhdueshme të mbështetjes, ndërkohë që Greqia është në kolaps ekonomik. Manifestimet e muajit të fundit e nxorën në pah këtë parti që e përshkruan veten si një nacionaliste që dëshiron të përzërë të huajt e paligjshëm dhe që në disa raste, tregon një krenari kërcënuese. Duke kalëruar mbi një valë zemërimi publik ndaj politikanëve të korruptuar, masave të kursimit dhe emigrimit të paligjshëm, “Agimi i Artë” ka parë se si është shumëfishuar popullariteti i vet brenda pak muajve. Një sondazh i fundit thotë se tashmë 14 për qind e grekëve e mbështesin atë, ndërkohë që në qershor pati fituar 7 për qind të votave.
Analistët politikë nuk shohin ndonjë mundësi frenimi të këtij popullariteti tani për tani. Ata paralajmërojnë se “Agimi i Artë”, parti që refuzon të quhet parti neonaziste, pavarësisht se publikisht përdor ideologji e simbole të ngjashme, ndoshta do të tërheqë një në çdo tre votues në Greqi në një të ardhme të afërt.
“‘Agimi i Artë’ ndoshta mund të arrijë deri në 30 për qind të votave”, thotë Costas Panagopoulis, drejtues i një kompanie vrojtimi të opinionit publik. Kjo parti renditet tashmë e treta pas konservatorëve të “Nea Demokratia” dhe së majtës radikale “Syriza”. Sjellja e dhunshme e anëtarëve të “Agimit të Artë”, të cilët shpesh dhunojnë emigrantët në Athinë, duket se po e rrisin mbështetjen për të. Ndërsa qeveria imponon masa edhe më të ashpra kursimi se më parë mbi një publik të zemëruar, rënia e koalicionit aktual të së majtës dhe së djathtës mbetet një mundësi. Mundësia që “Agimi i Artë” të zërë vendin e dytë në zgjedhje të parakohshme është e vogël, por jo e pamundur, paralajmërojnë vrojtuesit.
Analistët besojnë se në fund, kësaj partie i mungon struktura e nevojshme për të kapur mbështetje të gjerë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Greqia vuajti masakra dhe uri në luftën e vet kundër nazistëve dhe periudha e juntës ushtarake 1976-1974 qëndron ende mbi kryet e politikës moderne. Po çfarë i bën grekët të mbështesin kaq shumë një parti që sipas kritikëve, përdor simbolikën dhe retorikën e Hitlerit? Vetë partia mohon çdo ngjashmëri të tillë. Në një intervistë me “Reuters” në një kafe në lagjen “Papagou” të Athinës, një lagje tradicionale për personelin ushtarak, Ilias Panagiotaros, ligjvënës dhe zëdhënës i partisë shpjegon arsyet e popullaritetit. “‘Agimi i Artë’ është institucioni i vetëm në këtë vend që punon. Çdo gjë tjetër është shkatërruar ose punon vetëm pjesërisht”m thotë ai. “Ne punojmë si një njësi e mirorganizuar ushtarake, sepse ushtria është institucioni më i mirë në çdo vend”.
I shkurtër, i bëshëm dhe luftarak, Mihaloliakos dikur lavdëroi Hitlerin dhe mohoi ekzistencën e dhomave të gazit. Një ish-komando i forcave speciale në ushtri, ai u takua me udhëheqësit e juntës ushtarake ndërsa ishte në burg për kontrabandë armësh për një grup ekstremist më 1979. Kur pyeten për këtë çështje, zyrtarët e partisë thonë se nuk i intereson e shkuara, por e ardhmja.
Katër vjet më vonë, Mihaloliakos themeloi partinë më 1985 por mbeti margjinal: më 2009-n ai fitoi vetëm 0.29 për qind të votave, më pak se 2 mijë. Por në qershor të këtij viti, partia tërhoqi vota nga i gjithë spektri politik, duke nxjerrë jashtë loje nacionalistët pak më të moderuar LAOS e duke gërryer elektoratin deri te komunistët e ekstremit të majtë, thonë vrojtuesit. Tashmë ajo po tërheq votues të Demokracisë së Re, ndërkohë që kjo parti po vuan masat ekstreme të kursimeve të imponuara nga kreditorët e huaj. Megjithëse “Agimi i Artë” tërheq përgjithësisht votues urbanë nën 35 vjeç, të moshuarit dhe gratë po joshen gjithashtu prej saj, veçanërisht ata që po vuajnë nga papunësia dhe përkeqësimi i kushteve ekonomike. Një pjesë e mbështetjes është siguruar përmes një lloji pune sociale të ngjashme me atë që bën Hamas në Palestinë. “Agimi i Artë” shpërndan ushqim për të varfrit dhe ndihmon të moshuarat të tërheqin para nga bankomatet pa rrezikuar të grabiten. Ajo ka krijuar edhe një bankë gjaku vetëm për grekët “e pastër”.
Një ngjarje përsëritet vazhdimisht nëpër kafene, por mbetet e pakonfirmuar. Ajo thotë se një grek që kishte emigrantë që i kishin zaptuar shtëpinë, i kërkon ndihmë policisë, por kjo e fundit e drejton tek “Agimi i Artë”. Jo vetëm që partia i përzë emigrantët, por pronari e merr shtëpinë të pastër dhe të lyer.
“Unë votova për herë të parë këtë parti në qershor dhe do të votoj sërish për të, për shkak se ata janë të vetmit që me të vërtetë shqetësohen për Greqinë”, thotë Demetra, një grua e papunë 45 vjeçe. “Të gjithë politikanët e tjerë na kanë shitur”, shton ajo.
Policia e Greqisë i mohon akuzat se shpesh ata i tolerojnë apo edhe bashkëpunojnë me anëtarët e “Agimit të Artë”. Ministri i Rendit Publik Nikos Dendias i ka mohuar me forcë raportimet që thonë se policët kanë rrahur emigrantët ilegalë dhe ka kërcënuar se do të hedhë në gjyq gazetën britanike “The Guardian” që ka raportuar lajmin. Ai konsiderohet një armik i ashpër i kësaj partie, aq sa “Agimi i Artë” u tall me të në një manifestim.
Por disa anëtarë të Sindikatës së Policëve, duke folur me “Reuters” në kushtet e anonimatit, pranuan se ka një lloj simpatie për këtë parti në radhët e forcave të rendit. “Ka disa mes policëve që mbështesin ideologjinë e ‘Agimit të Artë’ dhe disa prej tyre kanë qenë të dhunshëm ndaj emigrantëve ilegalë”, tha sindikalisti. “Por këto raste po hetohen nga drejtësia”.
Republika e Veimarit
Me më shumë se 1 milion emigrantë në Greqi, një vend me 11 milionë banorë, tensioni nuk pritet të ulet. Ndërsa qeveria rregullisht arreston mijëra emigrantë, vetëm disa qindra prej tyre dërgohen në kampet e posaçme. Shumë emigrantë vijnë nga Azia dhe Afrika përmes kufirit me Turqinë dhe ëndërrojnë të lëvizin më tutje në vendet europiane, por e gjejnë veten në kurth nga rregullat e BE-së që i kthen ato në vendin e hyrjes. Grupimet e ndihmave thonë se shumë emigrantë detyrohen të hyjnë në botën e krimit për të mbijetuar. Në një rast që tronditi vendin në vitin 2010, dy afganë therën me thikë një 44-vjeçar në rrugë për t’i vjedhur një kamera, ndërsa ky i fundit po dërgonte bashkëshorten shtatzënë në spital për të lindur. Ata u kapën ndërsa po përpiqeshin të shisnin kamerën për 80 euro dhe u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasje. Në një rast tjetër, një i moshuar u vra në autobus për disa monedha. Incidente të tilla nuk qenë dëgjuar në Greqi pak vite më parë dhe kanë shtuar zemërimin ndaj të huajve. Emigrantët shihen edhe si njerëz që vjedhin postet e punës në një vend ku papunësia është 25 për qind.
Para se të vizitonte Berlinin në tetor, Kryeministri Antonis Samaras i tha medias se shqetësimet e Greqisë janë të ngjashme me ato që sollën rënien e Republikës së Vajmarit në Gjermani dhe ngritjen e nazistëve. Populizmi ekstrem i së majtës dhe “ekstremi i djathtë, për të cilin mund të thuash se janë fashistë apo neonazistë”, po përplasen nëpër beteja rruge njësoj si në Gjermani mes viteve 1919 dhe 1933. “Syriza” sakaq po konkurron me “Nea Demokratia” në disa vrojtime dhe “Agimi i Artë” mund të rritet edhe më shumë. George Kyrtsos, një redaktor që menaxhoi fushatën e LAOS thotë: Nëse ‘Demokracia e Re’ jep shenja kolapsi, ne mund të shohim një situatë të tmerrshme… dy partitë kryesore do të jenë duke luftuar nëpër rrugë”.
“Agimi i Artë” jep shumë pak të dhëna për financat e veta dhe thotë se financohet nga mbështetësit. Ajo po hap zyra në të gjithë vendin dhe në bashkësitë e grekëve në vende të tjera. Panagiotaros, zëdhënësi i partisë, thotë se ai dhe kolegët e tij po përgatiten edhe për të qeverisur. Programi i tyre, sipas tij, është shfarosja e korrupsionit dhe rigjallërimi i ekonomisë, por më e rëndësishmja, mbyllja e kufijve dhe dëbimi i emigrantëve të paligjshëm.
“Ne do të vulosim kufijtë por do ta bëjmë siç duhet, jo në mënyrën e pakuptimtë që po e bëjnë ata tani. Pastaj menjëherë do të dëbojmë ilegalët”, tha ai. “Megjithëse, kur ne të vijmë në pushtet, ata do të largohen vetë”.