Elbasan
Policia: 62-vjeçari goditi 23 herë me thikë 43-vjeçaren për xhelozi
Bardha Nergjoni
Xhelozia dyshohet se i ka verbuar sytë një burri, i cili ka masakruar ish-bashkëshorten 43-vjeçare, duke e goditur 23 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërkohë që e plagosura rëndë ka ndërruar jetë rrugës për në spital, teksa transportohej nga i biri. Krimi i rëndë në familje, që ka tronditur Elbasanin, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “Emin Matraxhiu”, kur gruaja e sapokthyer në banesë është sulmuar për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj. Megjithatë, vetë i dyshuari për këtë krim ka deklaruar para policisë se tradhtitë bashkëshortore ia kishte falur të shoqes, por e kishte vrarë, pasi dashnorët e saj i kishin rrahur djalin.
Krimi në familje
Vergjinush Hasani, 43 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, ka gjetur vdekjen pa mbërritur në spital, si pasojë e goditjeve të shumta me thikë nga ish-bashkëshorti 62-vjeçar, Agron Hasani. Ngjarja ka ndodhur rreth orës pesë të mëngjesit, kur është regjistruar konflikti i radhës mes çiftit. Sipas të dhënave të policisë, çifti Hasani kishte kohë që ishte ndarë dhe burri e gruaja jetonin në dy dhomat e shtëpisë njëkatëshe, dhe për ndarje përdornin një mur, që duket se është ndërtuar kohët e fundit. Burime të policisë konfirmojnë gjithashtu se ato ishin në proces divorci në Gjykatën e Elbasanit. Ndërkohë, ndryshe nga policia, fqinjët thonë se ata nuk ishin të ndarë, por kishin konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin dhe se kishte fjalë se gruaja e tradhtonte, gjë që sipas tyre ka sjellë edhe vrasjen.
Debati dhe vrasja
Sipas Policisë së Elbasanit, Vergjinush Hasani mësohet të jetë kthyer në shtëpi pak minuta para krimit të rëndë. Agroni e ka dëgjuar dhe ka dalë në korridorin e banesës së përbashkët, që ishte ndarë me një mur. Aty kanë filluar të debatojnë dhe gruaja i ka kërkuar të mos zgjonin fëmijët, të cilët flinin në dhomën e saj. Në këtë moment, burri ka marrë thikën dhe e ka goditur 23 herë në pjesë të ndryshme të trupit. Nga britmat janë zgjuar fëmijët, por gjithçka kishte mbaruar tashmë.
Pendohet burri
Menjëherë pas krimit, fëmijët kanë dalë në korridor dhe kanë parë se çfarë kishte ndodhur. Në këto kushte, Agron Hasani është penduar për krimin dhe bashkë me djalin e madh kanë marrë gruan e plagosur rëndë dhe e kanë nisur për në spital. Por, sapo ka lënë trupin e pajetë në spital, burri është larguar menjëherë dhe është kthyer në shtëpi. Burimet policore thanë se ka qenë shërbimi spitalor që ka njoftuar për ngjarjen, ndërkohë që 43-vjeçarja kishte ndërruar jetë rrugës.
Kapet autori
Menjëherë agjentët kanë mbërritur në shtëpinë e autorit. Aty kanë gjetur 62-vjeçarin, të cilit i kanë vënë prangat. Në vendngjarje është sekuestruar edhe arma e krimit. Ndërkohë, nga të tjera dëshmi që vijnë nga familjarët, burri i ka thënë të birit të rrinte në spital me të ëmën e plagosur, pasi vetë do të dorëzohej. Prej pak kohësh, çifti Hasani i ishte drejtuar gjykatës dhe procesi i divorcit ishte ende në vazhdim, ndërkohë që tashmë Agron Hasani do të përgjigjet për veprën penale të vrasjes me dashje.
Dëshmia e Hasanit
Para oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorit të çështjes, 62-vjeçari Agron Hasani ka pranuar vrasjen, duke thënë se e kishte bërë pasi donte të mbronte djalin e tij, i cili dhunohej dhe keqtrajtohej nga të dashurit e gruas. Ai tregon se i kishte pranuar tradhtitë e shumta të gruas prej kohësh, vetëm për hir të fëmijëve, por kur puna arriti deri aty sa një nënë të dhunonte fëmijët, 62-vjeçari nuk ka duruar më dhe është detyruar të vrasë 43-vjeçaren. “Kam pasur motive të forta që më kanë detyruar të dal jashtë natyrës time. E kam humbur kontrollin pasi ishte mbushur kupa dhe nuk mbante kurrsesi më. Kemi kaluar një jetë të tërë mes konfliktesh dhe erdhi një moment që ena nuk mbante më. Jam tradhtuar sistematikisht prej saj dhe ia kam falur për hir të ruajtjes së qetësisë në familje. Por kur punët shkuan përtej tradhtisë nuk ka burrë në botë që të durojë, sado që të ketë mendje e logjikë të shëndoshë. Ajo me tradhtinë e saj po më fuste në sherr edhe fëmijët dhe kjo ishte e pafalshme dhe e patolerueshme. Situata arriti kulmin ditët e fundit, saqë ngjarjet e ndodhura janë të tmerrshme për t’u rrëfyer e jo më për t’u përjetuar. Kështu ndodhi edhe gjatë fundjavës kur e vrava bashkëshorten time. E kam vrarë për të shpëtuar djalin. Vetëm pak ditë më parë atë ma dhunuan e keqtrajtuan dashnorët e saj”, përfundoi rrëfimin 62-vjeçari Agron Hasani.
Familjarët
“Vrasja, fëmijët përjetuan makth”
Teksa familja e 43-vjeçares përgatitet për mort, të afërm e fqinjë të tyre hyjnë e dalin, duke mësuar fatin tragjik të gruas. Tre fëmijët e viktimës, ndër të cilët djali më i vogël është 12 vjeç, janë të parët që kanë parë të gjithë skenën e krimit dhe atë që kishte kryer babai i tyre. Të tronditur ata janë marrë nga të afërm deri në përgatitjen për ceremoninë mortore. Banorët e lagjes e akuzojnë gruan se kishte shkelur nderin dhe fakti se janë komunitet rom e bën edhe më të patolerueshëm këtë, duke mbuluar me faj 43-vjeçaren për atë që ndodhi. “E dinim se do të përfundonte kështu, pasi ajo atë rrugë kishte marrë”, thotë një burrë që shet pak metra larg shtëpisë së çiftit. Ndërkohë, një tjetër thotë se kjo grua kishte të dashur dhe një nga ata e ka kërcënuar burrin që ka arritur deri në vrasje, pasi, sipas tij, burri ishte njeri i urtë. “Ia ka sjellë në majë të hundës prandaj, se nuk ka mundësi tjetër”, shprehet ai pa dashur të identifikohet si shumë të tjerë. Një shkak tjetër i mosmarrëveshjeve në çift ishte edhe diferenca e moshës mes tyre. Sipas banorëve, gruaja ishte shumë e re dhe nuk e donte më burrin e ai nuk e pranonte më këtë.
Opinioni
Gjyqtarja: Ndarja e banesës sjell dhunë
Nga autoritetet gjyqësore mësohet se shumë çifte, edhe pse të ndarë, detyrohen të jetojnë bashkë, për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike për të ndërtuar një jetë tjetër larg banesës bashkëshortore. Sipas gjyqtares Idush Maliqi, në këto raste janë më të shumta konfliktet mes çiftit. “Mjafton edhe një detaj i vogël që ata të grinden dhe jemi detyruar të japim edhe urdhra mbrojtjeje, për shkak të dhunës që vihet re. Shpesh çiftet grinden edhe për shkak të një fature dritash apo për sasinë e parave që duhet të paguajnë për energjinë apo ujin. Kjo shkakton konflikt dhe do të ishte shumë mirë që të kishte një zgjidhje për këto gra që shpesh bien pre e dhunës, por është e pamundur në kushtet e familjeve. Janë gratë ato që detyrohen shpesh të rrinë në një çati dhe janë ato që përfundojnë në më të shumtën e rasteve viktima të dhunës. Për to duhet gjetur një sistemim i përkohshëm nga shteti deri në stabilizimin e situatës”, është shprehur për gazetën “Shqip”, gjyqtarja Idush Maliqi. Sipas shifrave të marra në gjykatë, janë me dhjetëra denoncimet për dhunë, sidomos gjatë ose pas procesit të divorcit.
