Kufizimet
Ndërprerje të padrejta dritash, ndëshkim 3.5 milionë euro. Kompania: Vijojmë stakimet
ARD KOLA
Kompania CEZ do të gjobitet sërish, e treta brenda harkut kohor të tre muajve. Kësaj radhe, ndëshkimi arrin afro 3.5 milionë euro, ose 1.11 për qind të të ardhurave të krijuara në vitin 2011. Shkaku i masës administrative lidhet me kufizimet kolektive, që Enti Rregullator i Energjisë i konsideron të padrejta. Dy gjobat e tjera, të vendosura në shtator dhe gusht, nga Tatimet dhe ERE, preknin vlerën e 31 milionë eurove dhe shërbyen për ndezjen e konfliktit mes shtetit dhe CEZ-it. Situata sa vjen dhe rëndohet, ndërsa largimi i kompanisë çeke bëhet më i mundshëm.
Gjoba dhe argumenti
Bordi i Komisionerëve miratoi dje pas diskutimeve nisjen e procedurave për gjobitjen e kompanisë CEZ, pasi nga monitorimet e vazhdueshme, u konstatuan kufizime të energjisë elektrike në mënyrë kolektive. Anëtarët e bordit diskutuan për procedurën dhe një pjesë ishin kundër gjobës, pasi vendimet e CEZ për ndërprerjen e dritave lidheshin me mospagesën e faturave të energjisë, por nga ana tjetër, duke qenë se këto kufizime kanë qenë në grup, duke prekur edhe konsumatorët e rregullt, ERE e shqyrtoi me kujdes procedurën, duke miratuar në fund aplikimin e gjobës.
“Ligjërisht, kjo nuk i jep të drejtë shoqërisë CEZ të bëjë stakime kolektive në forma të ndryshme”, tha juristi i Entit, Eduard Elezi. Komisionerët u shprehën kundër ndërprerjeve kolektive të energjisë, por theksuan nevojën e mbështetjes ndaj CEZ për mbledhjen e parave që nuk paguhen nga konsumatorët. “Jam kundër atyre që nuk i paguajnë faturat e dritave, pasi duhet respektuar kontrata dhe kjo nuk e ndihmon sistemin energjetik, por nga ana tjetër, CEZ nuk ka të drejtë t’i ndërpresë furnizimin edhe atyre që e paguajnë”, u shpreh Sokol Ramadani.
Sipas ERE-s, zonat më problematike janë Shkodra, Peshkopia, Kukësi, Lezha dhe Tirana. Për shkak të ndërprerjes së energjisë, banorët kanë protestuar, duke kërkuar dënim individual për ata që nuk e paguajnë energjinë. Protestat janë përshkallëzuar deri në përballje me policinë dhe në tentativa të banorëve për të hyrë në nënstacionin elektrik, me qëllim rikthimin e energjisë elektrike. Nuk kanë munguar protestat dhe bllokimet e akseve kombëtare rrugore, përfshi edhe autostradën Durrës-Kukës, ndërsa ka pasur edhe shoqërime nga forcat e rendit.
“Pa drita, kush s’paguan”
Kompania CEZ thotë se nuk ka kryer kufizime kolektive, por vetëm te kabinat me debi 100 për qind, pra vetëm te familjet debitore. “Në asnjë rast, kompania nuk ka kryer të ashtuquajtura ‘dënime kolektive’. ‘CEZ Shpërndarje’ ka njoftuar vazhdimisht se në zonat e ndërprerjeve, persona të papërgjegjshëm, të cilëve iu është ndërprerë furnizimi me energji për shkak të mospagesave, janë rilidhur vetë, në mënyrë të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes”, thotë kompania. Këto veprime kanë shkaktuar defekte në rrjet dhe kanë lënë pa energji edhe zonat përreth, duke prekur edhe familjet e rregullta. Pavarësisht se CEZ ka tentuar disa herë për t’i riparuar sa më shpejt këto defekte dhe për të rikthyer energjinë për klientët e rregullt, ekipet e kompanisë shpesh nuk janë lejuar të hyjnë në zonat e defekteve, duke sjellë mungesën e energjisë për klientët e rregullt.
Problem tjetër për kompaninë është mungesa e mbështetjes nga forcat e rendit. Punonjësit e CEZ, në jo pak raste janë sulmuar dhe goditur fizikisht në sy të policisë, por reagimi ka qenë tejet i vogël. Në deklaratën e shpërndarë dje për mediat, CEZ thotë se ndërprerjet do të vijojnë për ata konsumatorë që nuk e paguajnë, në respekt të kontratës. “Fushatat për ndërprerjen e furnizimit të klientëve debitorë dhe shkëputjen e lidhjeve të paligjshme do të vazhdojnë. Për cilindo të interesuar për situatën në lidhje me debitorët dhe proceset që ndjek CEZ për vjeljen e detyrimeve, jemi sa të hapur aq edhe të interesuar që të ofrojmë informacion në çdo kohë”, thotë CEZ.
Zonat e prekura dhe borxhet
Kompania sqaron situatën me fshatrat dhe komunat ku janë kryer kufizimet dhe se si paraqitet gjendja me arkëtimet.
Në fshatin Manati, Komuna Kolsh, kompania ka vendosur të ndërpresë furnizimin për ata klientë që nuk paguajnë energjinë që konsumojnë. Në Manati, debia totale vetëm në principal arrin në 19 milionë lekë (të reja). Kjo zonë është gjithashtu problematike për lidhjet e paligjshme, të cilat shkaktojnë humbjet në rrjet, kurse numri i abonentëve është 203. Mungesa e energjisë në fshatin Zejmen, Komuna Zejmen, ka ardhur nga banorë të fshatit Manati që janë rilidhur ilegalisht në rrjet, duke shkaktuar defekte serioze në rrjet dhe duke lënë të gjithë zonat përreth pa energji, duke penalizuar padrejtësisht klientët tanë të rregullt. Numri i abonentëve është 244 dhe debia totale arrin në 27 milionë lekë, pa interesa. Në fshatin Kulaj (Komuna Postrribë) ndërprerjet janë pasojë e fushatës për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për debitorët dhe shkëputjen e lidhjeve të paligjshme në rrjet. Debia totale në këtë komunë është 106 milionë lekë dhe numri i abonentëve është 1078. Për dy komunat e Rrethit të Kukësit, Shtiqën dhe Tërthore, CEZ thotë se borxhi arrin mbi 420 milionë lekë, nga 1270 konsumatorë. Kompania thotë se, gjatë fushatës së ndërprerjeve të energjisë për debitorët, janë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse, qendrore e lokale për të ndihmuar në negocimin dhe gjetjen e zgjidhjes midis palëve. Gjithashtu, “CEZ Shpërndarje” ka njoftuar rregullisht debitorët për debitë përkatëse dhe ka ofruar skema lehtësuese pagese për ata që nuk mund ta përballojnë pagesën e debisë njëherësh.
Pakti
“Armëpushimi” deri më 20 nëntor
Në bashkëpunim me ERE-n dhe autoritetet lokale të Kukësit dhe Lezhës është arritur një marrëveshje për pagesën me këste të debisë ndaj “CEZ Shpërndarje”. Sipas paktit, kompania nuk do të aplikojë kufizime deri më 20 nëntor dhe banorët nuk do të kenë protesta, dhe deri atëherë duhet të shprehin vullnetin e mirë për të kryer pagesa për këste.
PS: CEZ Shpërndarje, afera korruptive me fondet
Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, ka sjellë të tjera fakte që “tregojnë qartësisht korrupsionin e hapur që ka mbuluar veprimet e “CEZ Shpërndarje” në mbulimin dhe me bashkëpunimin e Entit Rregullator të Energjisë”. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje paradite, Ahmetaj tregoi disa kontrata që vërtetojnë akuzat për grabitjen në tre nivele të parave që mblidhen nga debitorët e CEZ. “Disa kontrata marrin edhe 30% të shumës që mbledhin. Çfarë nevoje ka që CEZ Shpërndarje të marrë një kompani për të mbledhur borxhin nga një institucion publik. Arsyeja është fare e thjeshtë, devijim fondesh”, ka deklaruar deputeti socialist, i cili ka vijuar të tregojë kontrata me persona që janë drejtpërsëdrejti klientë të qeverisë. Deputeti socialist, duke bërë një renditje të tre niveleve të grabitjes që u bëhet qytetarëve shqiptarë ka theksuar: “Qeveria, së pari, me të gjithë klientët e vet, së dyti Ministria e Ekonomisë me klientët e vet, së treti vetë CEZ brenda vetes përdor kompani çeke për mbledhjen e borxheve thjesht dhe vetëm për të devijuar para nga rryma normale kontabël dhe transparencën ndaj publikut. Këtu kam dy kompani çeke, ‘EOS Albania’ dhe kompaninë tjetër me administrator Milan Mersiç, i cili ka vetëm tre punonjës dhe e ka zyrën në një pallat në katin e parë. Ky person, kjo kompani ka përgjegjësi të rreshtojë të gjitha kompanitë shqiptare që kanë marrë kontrata të mbledhjes së borxhit në favor të vetes, vetëm me tre punonjës”.