Deputetët
Shteti nuk u garanton transport
Kushtet mizerable për zhvillimin e mësimit, cilësia e dobët e mësimdhënies, emërimet politike në arsim, por edhe mungesa e transportit janë probleme madhore për nxënësit e tre fshatrave që mësojnë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Hor-Vranisht.
Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, njëherësh kryetare e Komisionit të Arsimit, dhe deputeti Fatmir Toçi kanë qenë së bashku në këtë shkollë, ku kanë parë nga afër kushtet e papranueshme për zhvillimin e procesit mësimor. Duke folur për mediat, Leskaj tha se “me kushtet në të cilat bëhet mësimi, me cilësinë e stafit pedagogjik ku ka mësues që janë të ciklit të ulët dhe japin mësim në ciklin e lartë, situata bëhet e patolerueshme. Ndërkohë që ka mësues të cilët kanë mbaruar universitetin, kanë kualitete të larta dhe rrinë pa punë e kjo është besoj për arsye politike”. Leskaj u përqendrua edhe në problematikën e transportit, e cila shton braktisjen e shkollës për arsye ekonomike: “Ka probleme të mëdha lidhur me transportin e nxënësve, për shkak se është ulur kuota e transportit dhe është bërë e pamundur për t’u përballuar edhe nga furgonët. Për shembull, këtu ku jemi, në këtë shkollë, ata nxënës që vijnë nga Bolena e kanë filluar një muaj me vonesë. Fëmijët e Kudhësit nuk po shkojnë dot në shkollë. Është një shkollë e përbashkët në qendrën e komunës. Po kështu, fëmijët e Pilurit kanë probleme dhe vështirësi të mëdha për sa i përket transportit.”
Përveç problemeve të mëdha me kushtet e padenja mësimore në këtë shkollë, Leskaj ka vënë theksin edhe te mashtrimi i madh i Kryeministrit për internet në çdo shkollë apo në çdo klasë: “Kryeministri ka deklaruar se kemi kaluar nga internet në çdo shkollë në internetin në çdo klasë. Ju keni qenë në ambientet brenda, ashtu si dhe unë, dhe i keni parë se në çfarë kushtesh mësojnë fëmijët. Në radhë të parë kanë nevojë për disa kushte minimale, nuk po flas për klasat kolektive, nuk po flas për mungesat e laboratorëve, por flas që këtu mungojnë disa kushte minimale higjieno-sanitare. Kjo është një gjende shumë shqetësuese, dramatike dhe ne nuk mund të pretendojmë cilësi arsimi në këto kushte”. Deputetët socialistë akuzojnë qeverinë duke e bërë përgjegjëse për standardet minimale të munguara në këtë shkollë: “Padyshim që përgjegjësi i kësaj situate është qeveria. Sepse çdo qeveri mban përgjegjësi për arsimin që u ofron qytetarëve, aq më tepër që kemi një qeveri, e cila e ka konsideruar prioritet të prioriteteve arsimin dhe ju e shikoni sesa mund të bëhet fjalë për prioritet të prioriteteve. Ajo që është e pafalshme, është se ulja e buxhetit të arsimit. Sot ne jemi konkretisht në terren dhe shohim në çfarë kushtesh e bëjnë mësimin nxënësit e këtyre tre fshatrave.”