Komisioneria Baraku: çështja meriton vëmendje, kërkojmë shpjegime nga dekanët


Shpresa Mezini


Homoseksualiteti kategorizohet si perversion seksual.


Ka mjaftuar kjo fjali edhe më shumë, paragraf i tërë, për të revoltuar ambasadën LGBT e cila mbron të drejtat e personave me orientime të ndryshme seksuale.


Pasazhe të tilla që shërbejnë për ti dhënë dije studentëve në tekstin e mjekësisë ligjore, përdoren edhe sot në fakultetin e Drejtësisë dhe Mjekësisë,


Pas deklaratës zyrtare të këtij institucioni, i cili nuk zgjodhi vetëm ta mediatizonte çështjen, por ta adresonte atë më tej, në instancat përgjegjëse, mësohet se disa prej tyre kanë nisur punën për zgjidhjen e problemit, ndërsa të tjerë në heshtje shmangin përgjegjësinë nga vetja. Irma Baraku, komisionere e komisionit për mbrojtjen nga diskriminimi, institucion i pavarur, tha për gazetën “Shqip” se fill pasi është njohur me shqetësimin e komunitetit LGBT, të dërguar në postën elektronike, ka nisur trajtimin e kësaj ankese, e cila sipas saj meriton vëmendje.


“Komisioni si institucion që garanton subjektet nga sjelljet diskriminuese ka iniciuar procedurën e hetimit sapo është njohur me deklaratën publike të ambasadës pink. Institucioni ynë bashkohet me shqetësimin e paraqitur dhe së shpejti do të dalë me një vendim për të cilin do të informohen të gjithë subjektet që ndikojnë në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT”, tha Baraku. Ajo theksoi se komisioni ka kontribuar në hartimin e planit të veprimit për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, ndërsa studimet dhe monitorimet e kërkuara janë përfshirë në planin e veprimit të komisionit për vitin 2012 e më tej, në atë të vitit 2013.


“Përveç se kemi nisur hetimet, i kemi dërguar informacion mbi këtë çështje institucioneve përgjegjëse, konkretisht dekanateve përkatëse të fakultetit të Drejtësisë dhe atij të Mjekësisë. Ndërkohë kemi kërkuar edhe shpjegim për faktet që përmend ambasada Pink, të përmendura në tekstet akademike. Ndërsa pas kësaj vjen hapi i tretë, që do të jetë vëzhgimi në terren. Në këtë fazë ne do të komunikojmë drejtpërdrejt me dekanët e këtyre institucioneve, ndërsa do të monitorojmë me kujdes përmbajtjen e teksteve, për të dalë me një vendim final”, shtoi komisionerja e komisionit për mbrojtjen nga diskriminimi.


Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili nëpërmjet një njoftimi zyrtar, pak kohë më parë, u bashkua me shqetësimin e ngritur nga ambasada LGBT, ndërsa theksoi se dje i ka dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe rektorateve të universiteteve private e publike rekomandim për rishikimin teksteve akademike.


“Tërheqim vëmendjen për tekstet akademike që përdoren në Fakultetin e Mjekësisë dhe të Drejtësisë, pasi përmbajnë elemente jo shkencore dhe diskriminuese për komunitetin LGBT. Duke kujtuar se respektimi i të drejtave të njeriut është dhe një nga 12 prioritetet e BE-së për anëtarësimin në familjen europiane, Avokati i Popullit kërkon nga autoritetet respektimin e kuadrit ligjor kundër diskriminimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Avokatit të Popullit, Igli Totozani.


E ndërsa dekanët e fakultetit të drejtësisë dhe atij të mjekësisë nuk kanë reaguar ende, ministria e arsimit dhe shkencës mban qëndrim neutral. Sipas saj, universitetet kanë autonomi të plotë, aq sa u lejon atyre ti përzgjedhin vetë tekstet që përdorin.


 


Deklarata


Institucioni ynë bashkohet me shqetësimin e paraqitur dhe së shpejti do të dalë me një vendim për të cilin do të informohen të gjithë subjektet që ndikojnë në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT