Hysen Biba duke dalë nga gjykata


Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që Hysen Biba, 29-vjeçari që hodhi foshnjën e tij treditëshe nga kati i katërt i maternitetit “Koço Gliozheni”, do t’i nënshtrohet akt-ekspertimit psikiatrik. Në gusht të këtij viti avokatët e tij mbrojtës kërkuan ndryshim të masës së arrestit, pasi sipas tyre, Biba ka çrregullime mendore dhe një kartelë për këtë. Por pas verifikimeve të prokurorisë, në spital nuk u gjend një e tillë megjithëse familjarët kanë paraqitur dy raporte mjekësore.


Pas lënies së tij në burg, avokati mbrojtës i 29-vjeçarit pretendoi se klienti i tij është me kartelë mjekësore dhe se kurohej për problemet mendore. Gjatë marrjes në pyetje në polici, Biba u tha hetuesve se kishte pasur konflikte me bashkëshorten ndaj edhe ndërmori aktin ekstrem. Ai është pyetur disa herë për motivin e krimit të rëndë dhe fillimisht ka pohuar se kishte dyshime për atësinë e fëmijës. Por më pas, ka deklaruar se kishte çrregullime mendore për të cilat pinte dhe qetësues.


Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 30 korrikut në ambientet e maternitetit “Koço Glozheni”. Hysen Biba ka shfrytëzuar një pakujdesi të stafit mjekësor dhe ka flakur nga dritarja të birin treditësh, në sytë e së shoqes, e cila nuk ka mundur dot ta parandalojë këtë akt çnjerëzor. Pas ngjarjes, ai ka mundur të largohet me shpejtësi nga ambientet e maternitetit, duke i shpëtuar edhe rojeve të sigurisë që ndodhen në godinë. Biba u kap nga policia rreth një orë pas ngjarjes, me  ndërmjetësimin e të vëllait.


13 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)