Policia e Fierit shoqëron Gëzim, Ervis dhe Endri Sulon. Ata nuk pranojnë krimin



Prokuroria tha se po vlerësohet implikimi i vëllezërve në vrasje, para se të vendoset arrestimi


Policia e Fierit ka vënë në pranga tre autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit fierak të hidrokarbureve, Naim Suli. Pas një ndjekjeje të gjatë, blutë kanë arritur të kapin dy vëllezërit, ndërsa pak orë më vonë, në pranga kanë vënë edhe babanë e tyre 49-vjeçar, Gëzim Sulo. Që në momentet e para të krimit, policia krehu gjithë zonën ku dyshohej se fshiheshin autorët e ngjarjes dhe pas shtrëngimit të rrethimit dhe kontrolleve të shumta, u bë i mundur arrestimi i tyre. Ndërkaq, gjatë gjithë pasdites së djeshme, tre të ndaluarit janë marrë në pyetje për disa orë lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe të motivit. Burime konfidenciale të policisë kanë pohuar dje për gazetën, se nga hetimet e deritanishme është arritur të zbardhet gjithë dinamika dhe rrethanat e ngjarjes dhe motiveve të konfliktit mes palëve.


Motivi


Kështu, mësohet se viktima është konfliktuar rreth një vit më parë me autorët, duke pretenduar se i sillnin shqetësim zhurmat që shkaktoheshin gjatë orëve kur Gëzim Sulo me djemtë e tij, Ervisin dhe Endrin, punonin në servisin ngjitur me shtëpinë e 46-vjeçarit Naim Suli. Madje, konflikti ka degjeneruar deri në sherr mes tyre, ku i fituar mësohet se ka dalë 46-vjeçari Suli. Por, duket se Gëzimi dhe djemtë e tij nuk ia kanë falur këtë gjë Naimit dhe kanë pritur momentin që të hakmerren. Mbrëmjen e të shtunës rreth orës 20:30 ata i kanë zënë pritë Naimit te dera e shtëpisë së tij dhe kanë derdhur mbi të breshëri automatiku, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas dyshohet të jenë larguar me një autoveturë tip “Volvo” ngjyrë gri pa targa, që u gjet e braktisur në Mbrostar-Ura, në periferi të qytetit të Fierit.


Provat


Policia gjeti dhe sekuestroi në vendngjarje rreth 11 gëzhoja të qitura nga një armë automatike tip Kallashnikov. Ndërkaq, në cilësinë e provës materiale janë siguruar edhe deklarime të dëshmitarëve në vendngjarje që kanë njohur si autorë të vrasjes Gëzim Sulon dhe dy djemtë e tij. Burimet e sipërcituara nuk kanë dhënë detaje lidhur me ndalimin e dy vëllezërve, por në orët e vona të mbrëmjes thanë kanë mundur të ndalojnë edhe babanë e tyre, Gëzim Sulo. Gjithsesi, sipas të dhënave të grupit hetimor, mësohet se dy vëllezërit e shoqëruar dhe babai i tyre, ndaj të cilëve nuk ishte prerë masa e arrestit deri në orët e vona të natës, e kanë mohuar pjesëmarrjen në vrasjen e biznesmenit Naim Suli. Ata kanë ngritur alibitë e tyre, duke deklaruar se kishin dëshmitarë se nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e tij. Ndërkaq, blutë kanë marrë në mbrojtje gruan dhe vajzën e Gëzimit, për të shmangur ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Biznesmeni fierak, Naim Suli, ishte bashkëpronar me tre vëllezërit e tij të një pike karburanti në segmentin e rrugës nacionale Fier-Patos. Ai u vra në derën e shtëpisë së tij mbrëmjen e të shtunës rreth orës 20:30, teksa po dilte nga makina.