CEZ Shpërndarje njofton se ditën e premte do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për të gjitha kompanitë e ujësjellësit që janë debitore. Sipas CEZ borxhi ka arritur në 38 milionë Euro.


“Shuma që i detyrohen CEZ Shpërndarjes kompanitë e ujësjellësit tashmë ka arritur lartësinë e 5.4 miliardë Lek (38 milion Euro). Këto kompani janë njoftuar herë pas here për borxhet e tyre ndaj CEZ Shpërndarje dhe afatet për pagesën e borxhit janë shtyrë disa herë”,- thuhet në njoftimin e CEZ Shpërndarje.


CEZ Shpërndarje sqaron se ka kryer takime të shumta me përfaqësues të kompanive të ujësjellësit duke ofruar mundësi të ndryshme zgjidhjeje si skema lehtësuese për shlyerjen e debisë me këste dhe mundësinë e pagesës së pjesshme të debisë. CEZ gjithashtu thekson se ka ofruar dhe anulimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, gjë që është refuzuar.


CEZ ka këshilluar qytetarët të përgatiten për ditët e “thatësirës” që do të pasojnë 16 nëntorin. “U kërkojmë ndjesë qytetarëve për shqëtësimin që do u krijohet. U këshillojmë që të sigurohen dhe të mbushin të gjitha rezervat e mundshme që kanë në dispozicion dhe të interesohen pranë kompanive të tyre të ujësjellësit, nëse ata ofrojnë alternativa për furnizimin me ujë”, thuhet në njoftimi e CEZ.


14 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)