FMN këmbëngul që europianët t’i falin një pjesë të borxhit, Gjermania refuzon
Reuters – Një përplasje mes kreditorëve ndërkombëtarë mbi çështjen se si mund të ndihmojnë më mirë vendin ku filloi kriza e borxheve sovrane të eurozonës ka rindezur frikën se kriza mund të përkeqësohet sërish. Ministrat e Financave të eurozonës sugjerojnë që Athinës t’i jepet kohë deri në vitin 2022 për të ulur stokun e borxhit në raport me PBB-në në nivelin 120 për qind, ndërkohë që kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, këmbëngul që objektivi aktual, viti 2020, duhet të mbetet.
“Ne dukshëm kemi këndvështrime të ndryshme. Por ajo që është e rëndësishme është qëndrueshmëria e borxhit grek në mënyrë që ky vend të rimëkëmbet”, tha Lagarde të hënën, në një shfaqje publike të mosmarrëveshjeve që ka ndodhur shumë rrallë në të shkuarën. Pas shkëmbimit të ashpër të ideve me kryetarin e eurogrupit Jean-Claude Juncker qëndron një mosmarrëveshje mbi pyetjen nëse qeveritë e Eurozonës do të duhet të falin një pjesë të borxhit publik apo jo. FMN ka këmbëngulur për një masë të tillë prej disa kohësh ndërsa Gjermania, kontribuuesja kryesore, e ka kundërshtuar me këmbëngulje. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, u tha reporterëve se viti 2020 ngjan një objektiv “disi ambicioz”.
“Ka një debat mbi një falje borxhi mes kreditorëve zyrtarë. Unë mund të them se shumica e vendeve e kanë bërë të qartë tashmë se kjo masë nuk është ligjërisht e mundshme”, tha ai. Kancelarja Merkel ka bërë të ditur se dëshiron ta mbajë Greqinë në eurozonë, por është e vendosur të shmangë humbjet për taksapaguesit gjermanë së paku deri në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 2013. Diplomatët kanë besimin se një marrëveshje do të arrihet gjithsesi për të lëshuar këstin prej 31.5 miliardë eurosh që Athina i ka të domosdoshme për të shmangur falimentin. Por kjo ka ende edhe shumë punë për t’u arritur.
Tregjet financiare, të cilat janë qetësuar nga angazhimi i Bankës Qendrore Europiane për të blerë bondet e qeverive të eurozonës, janë frikësuar nga mosmarrëveshjet e fundit. Euro humbi terren dje kundrejt dollarit, ndërsa interesat e bondeve gjermane u ulën, duke reflektuar dëshirën e investitorëve për më shumë siguri.
“Dukshëm ka një mosmarrëveshje mes FMN-së dhe eurozonës, por mendimi ynë mbetet se Greqia nuk do të dalë nga eurozona”, tha një analist. Tani objektivi i europianëve është që të arrijnë një marrëveshje para 20 nëntorit dhe të lëshojnë paratë para fundit të muajit. Vonesat e kanë vënë në vështirësi Athinën, të cilës i duhen 5 miliardë euro për të paguar një bond që skadon të premten, por zyrtarët europianë u shprehën me bindje se nuk do të ketë faliment.
Analistët thonë se FMN është aktualisht e shqetësuar se mund të humbasë besimin e botës në zgjidhjen e problemeve të tilla. Ndërkohë, ministrat e eurozonës pranuan t’i japin Greqisë edhe dy vjet më shumë kohë për të reduktuar borxhin e vet, një masë që pritet t’i kushtojë rreth 33 miliardë euro. Një objektiv i vendosur në mars për Greqinë është që ky vend të arrijë një deficit buxhetor prej 4.5 për qind të PBB-së në vitin 2014. Ky objektiv shtyhet për vitin 2016.
Kreditë për Greqinë janë pezulluar prej disa muajsh për shkak se Greqia ka dalë nga axhenda e përcaktuar si pasojë e dy zgjedhjeve të zhvilluara këtë vit. Athina tani po shpreson të emetojë bono thesari afatshkurtra të enjten për të paguar bondin 5 miliardësh që maturohet të premten. Ajo është e bindur se do t’ia dalë të rifinancojë këtë borxh. Një nga zgjidhjet afatgjata që po diskutohen është që Greqia të përdorë fonde europiane për të blerë borxhin me vlerë 50-60 miliardë eurosh që mbahet ende nga privatët, të cilët janë të gatshëm t’i shesin bondet me humbje.