Miqësorja


Mungesat e shumta, sidomos te “pancerat”, nuk e zbehin interesin e madh për ndeshjen


Holandë-Gjermani do të jetë një nga supersfidat e miqësoreve të sotme, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Amsterdam Arena” dhe do të ringjallë rivalitetin e vjetër mes këtyre dy skuadrave, të cilat kanë shkruar me germa të arta historinë e futbollit jo vetëm europian, por edhe të atij botëror. Do të mungojnë disa nga yjet e këtyre skuadrave, por kjo nuk ia zbeh interesin e jashtëzakonshëm kësaj ndeshjeje të madhe, e cila nga të dyja palët është konsideruar një përballje prestigji. Holanda do të luajë ndaj Gjermanisë pa sulmuesin Robin van Persie, që vuan një dëmtim. Ndërsa mungesat e Gjermanisë janë më të shumta, pasi Ozil, Klose, Shvajnshtajger, Shmelcer, Boateng dhe Kros nuk janë grumbulluar. Për sulmuesin Dirk Kajt sfida ndaj Gjermanisë është një shans i mirë për Holandën në rrugën drejt përmirësimit, pasi e konsideron kundërshtarin si skuadra më e mira në botë për momentin. “E ndjej që kjo ndeshje është si një përgatitje e mirë për ne në rrugën drejt Botërorit të ardhshëm, për vetë faktin që luajmë ndaj skuadrës më të mirë në botë për momentin, u shpreh Kajt. Kjo është një mundësi e mirë për ne që të shohim se ku jemi në krahasim me kundërshtarin”. Forcën e kundërshtarit e pranon edhe Arjen Roben, mesfushori i cili luan te Bajerni i Mynihut: “Nuk mendoj që Gjermania është dy herë më e fortë sesa ne, por sigurisht që janë më të fortë. Kundërshtarët do të kenë mungesa të rëndësishme, por gjithsesi ata mbeten një ekip fantastik. Pavarësisht se i mungojnë 6 lojtarë të formacionit gjermanët mendojnë se kanë një ekip të mirë. Për menaxherin e skuadrës Olivier Bierhof, skuadra duhet të harrojë sfidën me Suedinë dhe të fokusohet në këtë derbi, ku në lojë do të ketë përballë një skuadër të madhe. “Kjo është ndeshja e fundit për këtë vit. Sigurisht që në mendje kemi barazimin ndaj Suedisë, ku dështuam të fitonin pas avantazhit 4-0, thekson Bierhof. Por ne jemi në Holandë për të luajtur ndaj një skuadre të fortë dhe të motivuar. Është ndeshje prestigji në një klasike Gjermani-Holandë. Fakti që në krye është Van Gal e bën edhe më interesante këtë 90 minutësh”, përfundoi menaxheri i kombëtares gjermane. Tulipanët kanë fituar katër ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2014, ndërsa në ndeshjen e fundit Gjermania u befasua, pasi nuk ruajti avantazhin 4-0 për t’u barazuar nga Suedia.


 


Yjet e munguar


Holanda do të luajë pa Robin van Persie (i dëmtuar). Ndërsa mungesat e Gjermanisë janë Ëzil, Klose, Shvajnshtajger, Shmelcer, Boateng dhe Kros, të cilët nuk janë grumbulluar