Partia Lëvizja Socialiste për Integrim i ka thyer sot përgjigje negative ftesës së liderit socialist, Edi Rama, për mbledhjen e një tryeze me partitë parlamentare për gjetje e një zgjidhjeje për qarkun e Fierit dhe miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli. Në një dalje publike, nën/kryetari i kësaj partie, Ylli Manjani, e ka cilësuar debatin për Qarkun Fier si një ngarkesë e pa merituar për integrimin e vendit.
“Asnjë çështje tjetër nuk është sot me e rëndësishme sesa miratimi i këtyre ligjeve. Nuk mund të shmanget aq më pak të eklipsohet rëndësia e miratimit të këtyre ligjeve, asnjë. Debati politik që zhvillohet në Tiranë për Fierin është ngarkesë e pa merituar për procesin e integrimit të Shqipërisë sonë të përbashkët. Askujt në Fier, Tiranë apo mbarë Shqipërinë nuk i ka shkuar në mendje që të përdoret si kusht apo pengesë për të mos u integruar në Europë. Prandaj, politika ka detyrë të ndajë çështjet sipas përparësive dhe interesave të qytetarëve të këtij vendi dhe jo ti përziejë e ti ngatërrojë për qëllime të vogla elektorale”, ka deklaruar Manjani.
Numri 2 i LSI-së e ka cilësuar çështjen e Fierit, si një çështje kryekëput vendore në organizimin dhe funksionimin e Këshillit të qarkut. “Aq më pak është politike kjo çështje, kur gjykatat të disponojnë zgjidhjet e duhura me vendime të formës së prerë. Ky shtet ka institucione publike dhe private që kanë për detyrë të zbatojnë vendimet e gjykatave kur marrin formë të prerë. Në këtë kuptim është e pakuptimtë debati politik në Tiranë (në tryeza apo në distancë) për një çështje që duhet ta zgjidhin institucionet e pavarura të gjyqësorit apo institucionet autonome të pushtetit vendor. Nisur nga këto rrethana, si dhe duke vlerësuar maksimalisht përpjekjet e cilësdo anë në politikë për të paqtuar klimën politike në vend, LSI është e gatshme të votojë menjëherë të tre ligjet që kanë mbetur pa u miratuar. Ne mendojmë se partitë parlamentare nuk kanë përse të humbin kohë në tryeza sepse ligjet janë gati për miratim”, ka thënë Manjani.
14 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)