Dyshimet
Policia: I ka varrosur ndonjë familje – Grupi hetimor dyshon se eshtrat mund të jenë tërhequr pranë Mjekësisë Ligjore nga ndonjë familje e zonës, duke dyshuar se u përkasin të afërmve të tyre të vrarë gjatë kohës së komunizmit dhe më pas, natën i kanë varrosur pa emër, me qëllim që të mos identifikohen nga të banorët e tjerë të zonës
Hetimet
Ekspertët: Eshtrat janë 30-vjeçare – Sipas specialistëve të kriminalistikës, eshtrat e zbuluara ishin 30-vjeçare, duke treguar kështu se viktima kishte humbur jetën vite më parë. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë Dibër, Aldo Puca, mësohet se eshtrat u dërguan për ekspertizë në Laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë
Bulqizë
Roja tregon sesi e la varrin të hapur dhe në mëngjes e gjeti të mbushur me dhe
Hysen Likdisha
Fshehurazi, pas mesnate, persona të paidentifikuar dyshohet se kanë varrosur disa eshtra 30-vjeçare në varrezat e Bulqizës, ndërkohë që nuk dihet motivi i kësaj ngjarjeje të pazakontë. Roja i varrezave ka qenë personi që ka denoncuar për këtë ngjarje në polici, e cila ka nisur hetimin për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të saj. Dyshimet e para kanë të bëjnë me eshtra të viktimave të komunizmit, të cilat mund të jenë tërhequr pranë Mjekësisë Ligjore nga familjarë të ndryshëm, që kanë menduar se u përkisnin të afërmve të tyre. Ndërsa roja i varreve ka rrëfyer për “Shqip” sesi e gjeti varrin, që kishte lënë të hapur, të mbuluar me inerte, pa emër dhe dyshimet e para se mund të kenë vrarë ndonjë banor të zonës.
Ngjarja dhe hetimet
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur pas mesnatës së të hënës, duke u gdhirë dita e djeshme, në varrezat e qytetit të Bulqizës, ku persona të paidentifikuar kanë futur disa eshtra në një nga varret e hapura të kësaj varreze. Roja i këtyre varrezave, mëngjesin e ditës së djeshme ka vënë re se njëri nga varret e hapura çuditërisht ishte mbuluar, gjë që zgjoi dyshimet për një varrim misterioz. Lajmi tronditi qytezën, duke ngjallur dyshime të forta, të cilat çuan policinë dhe prokurorët e zonës, si dhe inspektorë të Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Policisë së Dibrës, në vendngjarje. Grupi hetimor, i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje, me të mbërritur në varreza ka vërejtur një grumbull dheu dhe gurësh pa asnjë tabelë me mbishkrim për identifikimin e personit të varrosur, por vetëm me një mëkresë druri, të gdhendur me sqepar dhe të vendosur mbi varr. Policia mori në pyetje varrmihësin dhe persona të tjerë që mendohej se mund të kishin të dhëna për këtë ngjarje. Por, ata nuk kishin asnjë informacion, kështu që grupi hetimor mori shenja gishtash dhe gjurmë të tjera përreth varrit të mbuluar, me qëllim identifikimin e autorëve.
Për orë të tëra, varri misterioz mbeti nën ruajtjen e policisë në pritje të ardhjes së urdhrit të prokurorit nga Peshkopia. Vetëm me ardhjen e prokurorit, aty rreth orës 14.00, nisi puna për hapjen e varrit për të mundësuar identifikimin e personit të varrosur. Zhvarrimi nxori në dritë vetëm pak eshtra të një kufome pa kafkë, të futur në një këllëf jastëku prej bezeje. Në këto kushte, policia ka nisur hetimet për një varrim të fshehtë të eshtrave, por nuk përjashtohet mundësia se këto eshtra mund të kenë qenë te ndonjë varr tjetër ekzistues.
Roja i varreve
Nga ana tjetër, vetë roja i varreve, Gafurr Balliu, i cili ka gjetur varrin e mbuluar me inerte, ka mbetur i shtangur për këtë ngjarje të rrallë. Ai tregon se nuk i jepte dot përgjigje një veprimi të tillë, ndaj ka njoftuar shërbimet e policisë për të kryer verifikimet e nevojshme. Gjatë një interviste për “Shqip”, ai shpjegon se çfarë ka ndodhur dje në mëngjes.
Mund të përshkruani momentin kur erdhët në punë?
Sapo erdha në punë si zakonisht për çdo ditë, nisa të vëzhgoj varrezat kur në pjesën perëndimore të varrezave drejt Qafës së Buallit, më bie në sy se një nga varret e hapura që ne i mbajnë në gatishmëri për ndonjë vdekje të mundshme që mund të ndodhë në qytet, ishte i mbuluar me dhe e gurë.
Dhe si u ndjetë në këtë moment?
Tejet i tronditur, pasi prej më shumë se 10 vitesh që punoj në këto varreza, jo vetëm që nuk jam përballur me një ngjarje të tillë, por as më ka shkuar ndërmend se mund të ndodhë.
Kishte ndonjë mbishkrim mbi varr?
Jo. Vetëm se tek koka ishte vendosur një mëkresë prej druri bredhi.
Dhe çfarë përjetuat në këtë moment?
Të them të drejtën u vura në dyshim dhe fillova të numëroj varret e hapura siç dhe bëja për çdo ditë, ku dhe u binda se kishim të bënim me mbulimin e një varri.
Sipas bindjes tuaj, çfarë kishte ndodhur?
Padyshim që gjatë natës, njerëz të paidentifikuar kishin varrosur një person në mënyrë të fshehtë.
Po më tej si vepruat?
Menjëherë lajmërova policinë, e cila erdhi në vendngjarje, ku e rrethoi varrin me policë, ndërsa mua më çuan në polici, ku më morën në pyetje për këtë ngjarje që kisha konstatuar në mëngjes.
Po persona të tjerë dini të jenë marrë në pyetje për këtë ngjarje?
Po, di që janë marrë në pyetje edhe familjarë, që vetëm para dy ditëve kanë ndërtuar një varr fare pranë varrit të hapur, që sot u gjet i mbuluar me dhe e gurë.