Në shitje edhe 230 mjete lundruese, shumica iu sekuestrua trafikantëve

Relacioni

Sipas policisë, këto mjete janë totalisht të shkatërruara dhe jashtë funksionit

Veç mjeteve rrugore, që janë makina e motorë, në pronësi të rezervave të shtetit pritet të kalojnë edhe 230 mjete lundruese, që kryesisht janë konfiskuar nga sekuestrimi, ndalimi apo bllokimi i trafikantëve të drogës dhe të klandestinëve. Në relacionin për këtë projektligj deklarohet se për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror për parandalimin dhe goditjen e trafikut të kundërligjshëm që kryhen në hapësirën e kufirit blu, në det dhe liqen, kryesisht për parandalimin dhe goditjen e trafikut të kundërligjshëm të qenieve njerëzore, drogës, të armëve dhe kontrabandës së të gjitha të mirave materiale, policia kufitare dhe e migracionit ka kapur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme mjetesh lundruese, kryesisht gomone dhe motoskafë, të cilat janë përdorur ose është tentuar që të përdoren nga elementë apo organizata trafikante, në interes të përmbushjes së aktiviteteve të mësipërme.

Skafe dhe gomone

Në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga ligjet në fuqi, prej vitit 2000 e në vijim, janë kapur dhe sekuestruar 230 mjete lundruese të tipit gomone dhe motoskafë. Bllokimi dhe sekuestrimi i tyre është bërë kryesisht për shkak se mbi 60 për qind janë kapur në tentativë duke kryer trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas shifrave, rreth 25 për qind e tyre janë kapur për tentativë apo trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa pjesa tjetër, rreth 15 për qind, për arsye të tjera që bien ndesh me detyrimet dhe kriteret e parashikuara në këtë ligj. Në relacion theksohet se mbi 70% e tyre kanë qenë pa dokumente ose me dokumente të parregullta. Pjesa dërrmuese e këtyre mjeteve, mbi 80 për qind e tyre janë sekuestruar në periudhën 2000-2006, ndërsa me miratimin e ligjit “Për moratoriumin”, aktiviteti i kundërligjshëm me këto mjete ka ardhur duke u ulur thuajse drejt nivelit “zero”, ndaj dhe përqindja e sekuestrimit në këtë periudhë është e vogël. Si rregull, referuar nenit 35 të ligjit “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjete lundruese me tonazh 20 NT”, mjetet lundruese, të sekuestruara e të konfiskuara në bazë të këtij ligji, i besohen në ruajtje Drejtorisë së Rezervave të Shtetit”, gjë e cila nuk është kryer. Në lidhje me këtë ngërç deklarohet se, megjithëse Policia e Shtetit i ka kryer në kohë të gjitha procedurat ligjore të sekuestrimit dhe janë miratuar nga Prokuroria, mjetet e sekuestruara, në pjesën më të madhe, nuk janë konfiskuar nga gjykata, e cila brenda 15 ditëve nga marrja e masës së sekuestrimit, vendos për konfiskimin e mjetit lundrues. Edhe për ato pak mjete, për të cilat gjykata është shprehur për konfiskim, ato nuk janë marrë në ruajtje nga Drejtoria e Rezervave të Shtetit, me pretendimin se ky institucion merr në inventar vetëm mjetet që janë në gjendje pune.

Ku ruhen mjetet

Të gjitha këto mjete aktualisht janë të dislokuara në pikat e grumbullimit të tyre, të përcaktuara në udhëzimin e ministrit të Rendit Publik, pjesa më e madhe e të cilave në Rrashbull të Durrësit, që sipas të dhënave janë 150 mjete lundruese. Ndërsa pjesa tjetër ruhet në stacionet e Policisë Kufitare si Sarandë, Himarë, Tri Port-Vlorë, Kavajë, Porti i Durrësit, Shëngjin dhe Shkodër. “Ato, tashmë janë totalisht të shkatërruara, të papërdorshme dhe janë bërë problematike për ruajtjen nga shërbimet e policisë”, thuhet në relacion. Me miratimin e këtij projektligji synohet që t’u jepet fund problemeve të pazgjidhura ndër vite për mjetet rrugore e lundruese, të bllokuara nga Policia e Shtetit si dhe të lirohen territoret e komisariateve dhe pikave të ruajtjes nga këto mjete, nga shpenzimet për ruajtjen e tyre dhe nga mundësia e abuzimit me to.

Efektet financiare

Lidhur me efektet financiare të projektligjit, në relacion deklarohet se miratimi eventual i tij shoqërohet me një bilanc pozitiv në buxhetin e shtetit, pasi si rrjedhojë e përcaktimeve të këtij ligji do të reduktohen shpenzimet aktuale për ruajtjen e këtyre mjeteve të bllokuara ndër vite nga Policia e Shtetit dhe do të gjenerohen të ardhura për buxhetin e shtetit, që do të sigurohen si nga shitja për skrap e mjeteve të bllokuara, ashtu edhe nga shitja e mjeteve në ankand, të ardhura të cilat do të përdoren sipas udhëzimit të përbashkët që do të hartohet ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme.

Autor te 14 Nëntor 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry