Plani Urbanistik
Do të konsiderohen nga bashkia e kryeqytetit ndërtimet 30% të zonave të formuara
Lorina Mixha
Masterplani urbanistik i qytetit të Tiranës do të miratohet përfundimisht në mbledhjen e këshillit bashkiak që do të mbahet në muajin dhjetor. Në këtë mbledhje do të diskutohet plani urbanistik dhe buxheti i kryeqytetit për vitin 2013.
Fill pas kalimit të planit për miratim në këshillin bashkiak me shumicë votash, masterplani do të kalojë për miratim në KRRTRRSH, Këshillin Rregullues të Republikës së Shqipërisë.
Në muajin janar pritet të jepen edhe lejet e para të ndërtimit, proces prej kohësh i paralizuar.
“Pas miratimit në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak do të kalohet për miratim në KRRTRSH. Në janar nis shqyrtimi i dhënies së lejeve të ndërtimit sipas rregullave të reja dhe afateve tanimë të miratuara. Do të konsiderohen si primare në aprovimin e lejeve të ndërtimit, 30 për qind e zonave të formuara”, ka deklaruar zyrtarisht bashkia e kryeqytetit.
Mbledhja e fundit e muajit dhjetor do të jetë ndër më të rëndësishmet, ku do të diskutohen paratë dhe ndarja e tyre për shërbimet e qytetit, arsimit, shëndetësisë e të gjitha fushave të tjera të investimit, që parashikon administrimi i pushtetit vendor.
Pjesë e ndryshimeve procedurale është edhe tarifa për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime në vlerën 1% të vlerës së investimit, e cila depozitohet për të mundësuar financimin e instrumenteve vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës. Kjo vlerë prej 1% është vendosur në analogji me tarifën e aplikuar më parë mbi bazën e përcaktimeve të ligjit “Për Urbanistikën”.
Masterplani
Plani urbanistik i qytetit të Tiranës tanimë ka mbyllur të gjitha konsultimet me minibashkitë e qytetit dhe është në fazën e pritjes dhe aprovimit të sugjerimeve të fundit të qytetarëve apo grupeve të interesit. Më pas, pritet që deri në fund të muajit mars të ketë edhe dy mbledhje të mëdha me komisionet dhe anëtarët që përfaqësojnë secilin grup të përfshirë në hartimin e masterplanit. Pas mbylljes së këtyre dy mbledhjeve definitive për përcaktimin e projektit përfundimtar, Bashkia e Tiranës dhe Zyra e Urbanistikës do ta dërgojë të plotësuar me detaje për miratim në parlamentin vendor, këshillin bashkiak.
Mbledhja e këshillit bashkiak
Mbledhja e radhës e këshillit bashkiak është planifikuar të zhvillohet më datën 20 nëntor ditën e martë.
Në këtë mbledhje do të shtrohen për diskutim një listë vendimesh por pritet të azhurnohet edhe programi e festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Për mbledhjen e datën 20 nëntor janë njoftuar anëtarët e këshillit bashkiak, ndërkohë që pritet zbardhja e projektvendimeve që kreu i bashkisë, Lulzim Basha, i ka dërguar kreut të këshillit bashkiak.
Nga ana tjetër, këshilltarët e opozitës do të ngrenë shqetësimin e tyre të fundit për bërjen transparente të fondeve të alokuara nga qeveria për festimet e 100-vjetorit, vitit jubilar të pavarësisë.
Këshilli bashkiak – Mbledhja e radhës së këshillit bashkiak për këtë muaj do të jetë në datën 20 nëntor. Pritet të ketë debate rreth organizimeve festive për 100-vjetorin e pavarësisë
Prioriteti – Sipas bashkisë së kryeqytetit do të konsiderohen si primare në aprovimin e lejeve të ndërtimit, 30 për qind e zonave të formuara
Shkrirja e KRT-së
Procedura e lejeve të ndërtimit
Instituti i njohur si Këshilli i Rregullim Territorit të qytetit të Tiranës, nga ky vit nuk ekziston. Ky organizëm është “shkrirë” pas një vendimi të Këshillit të Ministrave që ka hyrë në fuqi këtë vit. Për herë të fundit, institucioni i Këshillit të Rregullim Territorit është mbledhur në fund të vitit 2010.
Për këtë vit nuk do të ketë mbledhje të KRT-së, ai nuk ekziston më si institucion, por lejet e ndërtimit do të jepen në masën 30 për qind fill pas miratimit të planit urbanistik të Tiranës. Brenda muajit dhjetor, pritet të nisin procedurat për shqyrtimin dhe depozitimin e kërkesave për leje. Institucioni që do t’i shqyrtojë ato, do të jetë Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që subjekteve që ndërtojnë do t’u jepet një përgjigje pozitive ose negative pas 55 ditësh nga aplikimi i lejes. Nëse Drejtoria e Urbanistikës do të japë “Ok”, atëherë ky miratim do të jetë i plotë, pasi vendimi të jetë miratuar me firmë e vulë edhe nga kreu i bashkisë së kryeqytetit.