Dërgohet në Parlament projektligji për mjetet e bllokuara deri në fund të vitit 2010


Bledi Gilaj


Të gjitha mjetet e sekuestruara nga policia deri në vitin 2010 do të nxirren në shitje. Kjo nuk vlen vetëm për mjetet rrugore që janë bllokuar në vite dhe nuk janë tërhequr më nga pronarët, por edhe për mjetet lundruese të sekuestruara deri në vitin 2010. Ky është një vendim që ka marrë qeveria shqiptare vetëm pak ditë më parë, e cila ka dërguar një projektligj në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim që t’i japë udhë shitjes së këtyre mjeteve, që aktualisht ruhen nga policia dhe ka kërkuar që të kalojnë në pronësi të Rezervave të Shtetit, për t’i hapur udhë shitjes së tyre. Aktualisht, janë mbi 4500 mjete, të cilat janë bllokuar dhe mbahen në ambiente policore.


Vendimi i qeverisë


Sipas vendimit të datës 2 nëntor të këtij viti, mjetet rrugore, të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara për shkak të sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga organet e Policisë së Shtetit, deri në datën 30.12.2010, për të cilat nuk ka probleme në ndjekje, në hetim ose verifikime të ndryshme, kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas destinacioneve të parashikuara në legjislacionin në fuqi. Po në vendim thuhet se edhe mjetet rrugore, të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare, me ose pa targa regjistrimi, leje qarkullimi nga një shtet i huaj dhe plotësojnë kushtet përcaktuara në nenin 1, pas konfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas destinacionit dhe legjislacionit në fuqi. Por, ky vendim nuk është vetëm për mjetet rrugore, por edhe ato lundruese. Pikërisht në nenin 3 të vendimit të lartpërmendur, i cili mban numrin 732, deklarohet e njëjta gjë për mjetet lundruese, siç deklarohet në nenin për mjetet rrugore.


“Kalimi i këtyre mjeteve, nga mjediset e drejtorive të policisë së qarqeve përkatëse dhe ato të policisë kufitare dhe migracionit, bëhet pranë mjediseve të drejtorisë rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, që korrespondon me territorin respektiv. Proceduarat e kalimit dhe çregjistrimit rregullohen me akt nënligjor dhe ministrit të Brendshëm, ministrit të Financave dhe ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve. Të ardhurat e gjeneruara sipas përcaktimeve në nenet 1.2.3.4. të këtij ligji të përdoren sipas udhëzimit të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme”, deklarohet në vendimin e qeverisë. Ky vendim është dorëzuar vetëm pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, bashkë me relacionin për projektligjin për trajtimin dhe destinacionin e mjeteVE rrugore e lundruese të konfiskuara.


Projektligji


Në relacion deklarohet se hartimi i këtij projektligji ka lindur si domosdoshmëri për zgjidhjen përfundimtare të problemit të krijuar në vite, lidhur me mjetet rrugore e lundruese të bllokuara nga Policia e Shtetit, nga mungesa e dokumentacionit, apo problemeve të tjera me këto mjete. “Duke qenë detyrim ligjor që këto kategori mjetesh të ruhen në territoret e komisariateve të policisë apo në pika private të kontraktuara nga Policia e Shtetit, ku janë konstatuar shkeljet, problemi është bërë shqetësues”, thuhet në relacion, ku jepen edhe shpjegimet përkatëse për problematikat e krijuara.


Shifrat e mjeteve


Në këto territore, në shkallë vendi janë aktualisht mbi 4500 mjete, të cilat janë me afate mbi 8-10 vjet, ku peshë të ndjeshme, rreth 65 për qind të numrit total, e zënë mjetet e bllokuara që nga viti 2002 e në vazhdim. Madje, aty janë vendosur edhe arsyet kryesore të mostërheqjes së mjeteve. “Një pjesë e tyre, rreth 24 për qind, janë bllokuar për verifikime ose prova materiale, por për shkak të gjendjes së tyre teknike, amortizimit të tyre dhe veprimeve të agjentëve atmosferikë gjatë kohës së qëndrimit në pikat e bllokimit, pronarët nuk paraqiten për t’i tërhequr. Shumica e mjeteve kanë mbetur të bllokuara për arsye se pronarët e tyre nuk kanë marrë masa për plotësimin e dokumentacionit, që u mungonte nga momenti i bllokimit të mjetit. Këtu bëjnë pjesë kategoria e mjeteve me targa të huaja, të futura në vend kryesisht nga shtetas shqiptarë rezidentë jashtë shtetit apo emigrantë por edhe shtetas të huaj. Këto mjete janë lënë me akte përdorimi e veçanërisht në të ashtuquajturën “ruajtje”, pranë familjarëve të tyre, të cilat janë të bllokuara nga Policia e Shtetit, pasi qarkullonin pa dokumentacionin e nevojshëm nga përdoruesit e tyre”, thuhet në relacion.


Gjobat e larta


Rreth 30% e numrit të këtyre mjeteve nuk tërhiqen nga pronarët e tyre për arsye se vlera e shpenzimeve të ruajtjes dhe e gjobave, arrin shuma të mëdha ose arrin dhe deri më shumë se vlera e vetë mjetit. Për këtë arsye, pronarët e tyre nuk paraqiten për kryerjen e veprimeve dhe tërheqjen e mjetit. Rreth 10-15 për qind e këtyre mjeteve janë të bllokuara, pasi me to janë kryer aksidente automobilistike, me pasoja dhe janë mbajtur fillimisht si prova materiale, por duke qenë se kanë pësuar dëmtime të rënda dhe kanë kosto të lartë për t’u riparuar, pronarët nuk paraqiten për t’i tërhequr.


Mjete, pa pronarë


Rreth 25 për qind e këtyre mjeteve janë pa targa regjistrimi dhe nuk kanë të dhëna për pronarët e tyre, apo personat e të cilëve u është bllokuar mjeti. Në këtë kategori mjetesh janë kryesisht ato të braktisurat për arsye nga më të ndryshmet, apo si rezultat i konstatimit të ndjekjes që u bëhet nga organet e policisë, për krime, kontrabandë dhe trafiqe dhe nuk disponohen për to informacione apo kallëzime për vjedhjen. Në këtë kategori mjetesh, numrin më të madh e zënë motoçikletat dhe çiklomotorët, të cilët janë pa targa dhe pa dokumente pronësie.