SHBA dhe Brukseli i ka bërë sërish apel klasës politike shqiptare të nxitojnë për gjetjen e gjuhës së bashkëpunimit, me qëllim miratimin e 3 ligjeve të mbetura pezull në Kuvend. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi dhe ai i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, kanë theksuar se afati po skadon dhe është koha për dialog e marrëveshje, që do të thotë votim në seancën e së nesërme të ligjit për Gjykatën e Lartë, statusin e nëpunësit civil dhe reformën parlamentare.


Në një prononcim për mediat, në përfundim të konferencës së organizuar në Shkollën e Magjistraturës, ambasadori Sequi theksoi se mbetet pak kohë për përmbushjen e reformave.


“Këshilli do të mblidhet në dhjetor, nuk ka mbetur shumë kohë. Kemi nevojë në çdo rast për progres në këtë drejtim. Ju e dini që unë e pëlqej muzikën. Është një opera që quhet “Aida”, në të cilën një ushtri niset për rrugëtim. Ushtria thotë, le të nisemi por nuk lëvizin bëjnë hapa marsh në vend. Unë shpresoj që ndryshe nga kjo opera ne do mund të lëvizim, pasi të gjithë duam të ecim përpara dhe të përparojmë në këtë rrugë”,- u shpreh ambasadori i BE-së.


Pak minuta pas diplomatit evropian, në një deklaratë për mediat ambasadori Arvizu ka deklaruar se SHBA-të besojnë se Shqipëria është vërtetë në udhëkryq kritik. “Sekretarja Klinton e ka bërë të qartë se zgjedhjet e 2013 do të jenë një test kritik për demokracinë, dhe ajo e të gjithë personat e qeverisë amerikane e nxisin Shqipërinë që të vazhdojë përpara me axhendën e reformave. Axhenda përfshin shumë elementë, por janë dy shumë të rëndësishëm, e para janë çështje të rëndësishme ligjore që dhe ju i përmendët, por elementi i dytë që është më i rëndësishëm është në fakt krijimi i një rekordi i luftës kundër korrupsionit dhe i nxitjes së një qeverisje më të mirë”,- tha diplomati amerikan.


Duke mos pranuar të komentojë direkt ftesës së kreut të PS-së për një tryezë me partitë parlamentare për çështjen e Fierit, ambasadori Arvizu tha se një nga mangësitë e politikanëve shqiptarë është mungesa e komunikimit. “Komunikimi duhet të përmirësohet. Çelësi për zgjedhje të mira do të ishte përmirësimi i dialogut mes të dyve. Jo nëpër media, jo para grupeve parlamentare, por përmes diskutimeve të qeta ku secili të shprehë pikëpamjen e tij. E enjtja është mundësia e fundit për miratimin në Kuvend të 3 ligjeve pasi data 20 nëntor është afati që Brukseli i ka vendosur politikës shqiptare për miratimin e tre akteve” tha Arvizu.


14 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com