Aleanca Kuq e Zi ka akuzuar sot se targat e reja të automjeteve janë bërë me ngjyrat e Partisë Demokratike. Sipas kësaj partie vendosja e shqiponjës së bardhë në sfondin blu të targave të reja tregon qartazi verbërinë dhe servilizmin e projektuesve të tyre ndaj kryeministrit Sali Berisha.


“AK denoncon në këtë prag 100 vjetor modelin e targave të partisë demokratike si dhe transformimin politik të ngjyrave të simboleve kombëtare me porosi të shtetasit Sali Berisha. Modeli i ri i targave të automjeteve të qytetarëve shqiptarë nuk mbajnë më ngjyrat e flamurit kombëtarë por ato të partisë shtet dhe pse jo të flamurit grek.


Aleanca  Kuq e Zi dënon fort dhe ashpër ndryshimin e targave të automjeteve të qytetarëve shqiptarë pa një studim të caktuar madje më një nxitim të tepruar për të kopjuar modele të shteteve të tjera duke mos ruajtur origjinalitetin e simboleve kombëtare. Vendosja e shqiponjës së bardhë në sfondin blu të targave të reja tregon qartazi verbërinë dhe servilizmin e projektuesve të tyre ndaj shtetasit Sali Berisha që kërkojnë të mbajnë karriket e drejtorive të patentave duke cenuar simbolet kombëtare, ndërkohë që hiqen si mbrojtës të çështjes kombëtare”, ka deklaruar Sekretari për Transportin dhe Infrastrukturën në AK, Kristi Andoni.


AK ka akuzuar më tej kryeministrin Berisha se po denigron simbolet kombëtare, integritetin dhe moralin e shqiptarëve.”Ndryshimi i përmbajtjes së simboleve kombëtare është i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ndryshimi i tyre është i dënueshëm nga neni 268 i Kodi Penal. Qeveria e shtetasit Sali Berisha nuk rresht së treguar mungesën e atdhedashurisë nga shitja e territorit, varrezave, kombësisë dhe deri tek targat e automjeteve.Ky realitet do të marrë fund dhe denigrimi i simboleve kombëtare, integriteti dhe moralit të shqiptarëve do të rivendosen në vendin e merituar pas 8 muajve të mbetur të qeverisë më anti-shqiptare që ka njohur historia e kombit tonë”, ka thënë Andoni.


15 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)