Uashingtoni
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë ka ripërsëritur mesazhin e Clinton
Fatjona Mejdini
Për zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria është në një udhëkryq kritik politik. Kjo u theksua dje dhe nga ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, i pyetur në lidhje me ngërçin që po pëson Shqipëria për shkak të mosmiratimit të tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian. Përveç këtij konstatimi, Arvizu gjeti rastin të theksonte se përveç miratimit të tre ligjeve, qeveria duhet të luftojë korrupsionin dhe të qeverisë mirë, duke i quajtur këto elementë të njëjtë me miratimin e tyre. Mes të tjerash, Arvizu foli dhe për zgjedhjet e ardhshme, duke i quajtur të një rëndësie të veçantë për ecurinë e integrimit në Shqipëri. “SHBA besojnë se Shqipëria është në një udhëkryq kritik. Sekretarja Clinton e ka bërë të qartë që zgjedhjet e 2013-s do të jenë një test kritik për Shqipërinë. Ajo dhe të gjithë zyrtarët amerikanë nxisin reformat. Axhenda e këtyre reformave përfshin shumë pika, por dy janë më të rëndësishme. E para janë tre projektligjet, por elementi i dytë, edhe më i rëndësishëm, është në fakt rezultati në luftën kundër korrupsionit dhe një qeverisje më e mirë. Këto të dyja shkojnë krah për krah dhe nuk mund të ndahen”, tha Arvizu, duke përsëritur mesazhet që sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dha në sallën e Parlamentit shqiptar. Ai deklaroi se politikanët shqiptarë kanë ende probleme për sa i përket komunikimit me njëri-tjetrin dhe kjo po ndikon në klimën politike në vend. Arvizu e vuri theksin dhe tek nevoja e ballafaqimeve të drejtpërdrejta të liderëve politikë, duke u shprehur kundër retorikës së bërë për mediat nga foltoret politike. “Çelësi do të ishte përmirësimi i dialogut jo përmes medias dhe jo përmes deklaratave të liderëve përpara grupeve të tyre parlamentare, por përmes diskutimeve të qeta. Të dyja palët thonë se reformat janë ato që ata duan, por duhet një mënyrë më e mirë për ta komunikuar”, deklaroi Arvizu. Pak javë më parë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi si prioritetin kryesor në vend, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, më pas luftën kundër korrupsionit, por edhe bashkëpunimin mes klasës politike në vend.
Ambasadori i BE-së
Sequi: Nuk ka shumë kohë, duhet të lëvizni
Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian është institucioni që do të vendosë për statusin e Shqipërisë në fillimin e dhjetorit të këtij viti
Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, ironizoi dje klasën politike shqiptare, duke theksuar se ndonëse ajo zotohej se do të kryente reformat, qëndronte në vend. Në një kohë kur për pak ditë skadon dhe afati për miratimin e tre ligjve që kërkon Bashkimi Europian, duket se ambasadorit të BE-së i ka humbur durimi. “Këshilli do të mblidhet në dhjetor, kështu që dukshëm nuk ka shumë kohë. Ajo që më inkurajon është se çdo aktor politik në Shqipëri deklaron se integrimi është i rëndësishëm dhe është prioritet për Shqipërinë, por duhet të bëjmë progres në këtë drejtim. Ju e dini që unë e pëlqej muzikën dhe është një opera, ‘Aida’, në të cilën është një ushtarak që niset drejt një udhëtimi. Ky ushtarak thotë ‘le të shkojmë, le të shkojmë duke marshuar’, por pa lëvizur nga vendi. Unë uroj që të lëvizë, pasi që të gjithë duan të lëvizin dhe të bëjnë progres në atë rrugë”, deklaroi Sequi, duke i kujtuar politikës shqiptare se integrimi kërkohej në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë. Sot është dhe mundësia e fundit e Parlamentit shqiptar për të miratuar me tre të pestat tri nisma të rëndësishme ligjore që kërkohen nga Komisioni Europian. Afati i vendosur nga KE për miratimin e tyre është data 20 nëntor dhe politika shqiptare ende nuk e ka gjetur konsensusin për miratimin e tyre.