Vizita


Ministri i Jashtem Grek - AvramopulosMinistri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, do të vizitojë në fund të nëntorit Shqipërinë, i ftuar nga ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Lajmin e bëri të ditur ministri Panariti në një intervistë televizive në “News 24”, duke theksuar faktin se kjo do të ishte një mundësi e mirë për të diskutuar një sërë temash të mbetura pezull mes dy vendeve, si ndarja e ujërave, kthimet në kufi për shkak të toponimeve dhe çështja çame. Nisur nga kthimet e fundit në kufi, Panariti theksoi se ato nuk kishin të bënin me toponimet, por me probleme të dokumentacionit dhe deri diku dhe arbitrarizëm nga pala greke. Po dje, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dënoi me ashpërsi kthimin në pikën kufitare të Kakavijës të 150 shqiptarëve, pa asnjë arsye të pranueshme. “Kthimi në kufi i qytetarëve shqiptarë është një hakmarrje primitive nga pala greke, e cila nuk ka vend në Europën e shekullit XXI. Ky incident tregon në thelb hipokrizinë e shtetarëve grekë, të cilët vetëm pak kohë më parë kishin premtuar se nuk do të kishte më kthim në kufi. Kjo lloj politike bizantine nuk dëmton shqiptarët, por vetë Greqinë, teksa tregon në sytë e së gjithë botës së qytetëruar sjelljen çnjerëzore të autoriteteve greke”, theksohet në deklaratë. Nëse për këtë situatë nuk do të ekzistojë një zgjidhje institucionale, PDIU thekson se do t’i bashkëngjitet nismës së Klubit të Patriotëve të Rinj për të bojkotuar çdo produkt grek në tregun shqiptar.