Çelet Panairi i 15 i Librit
Ndryshe nga çdo vit tjetër, ceremonia e çeljes së Panairit të 15 të Librit nuk është zhvilluar në mbrëmje, por dje paradite. Në konferencën për shtyp që e parapriu, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, organizatore e këtij eventi, theksoi përkimin me 20-vjetorin e themelimit të kësaj shoqate dhe 100-vjetorin e pavarësisë. Në këtë panair u tha se marrin pjesë më shumë se 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, përfshirë edhe Ambasadën Amerikane, atë Franceze, Institutin Italian të Kulturës, etj. I pranishëm në këtë ceremoni, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duke theksuar mbështetjen financiare për të dytin vit për panairin, tha se në planin urbanistik të qytetit është parashikuar ngritja e një biblioteke të re. “Një bibliotekë e re për kryeqytetin, e cila jo vetëm do të lehtësojë presionin që ndjen tashmë Biblioteka Kombëtare, në kuptimin e arkivimit, por do t’u japë akses lexuesve, në mënyrë më të plotë, në mënyrë më moderne dhe më intensive. Së dyti, ky qytet do të ketë pjesën e merituar të librarive. Ne kemi vendosur të gjithë parametrat e duhur, për të mbështetur shtëpitë botuese dhe këdo tjetër që dëshiron të hapë këtë aktivitet. Së shpejti ne do t’u ofrojmë disa kategorive në qytet, duke nisur me librashitësit, me libraritë, eliminimin e çdo takse lokale në mënyrë të përhershme”, ka theksuar z. Basha. Duke bërë një historik të zhvillimit të panairit në 15 vjet, botuesi Gëzim Tafa theksoi se nga viti 2010 e deri më sot, ka rreth 2000 tituj më pak, gjë që reflekton krizën e përfolur të librit. Në fakt, ndonëse hapësirat ekspozuese janë shtuar dhe numri i pjesëmarrësve që raportohen është i konsiderueshëm, ky panair duket më i varfër në botime se një vit më parë. Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë pritet të dominojnë botimet historike apo ato kushtuar figurave kryesore të pavarësisë, veçanërisht Ismail Qemalit.