Kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish apel pozitës të votojë sot në Kuvend tre ligjet e kërkuara nga BE. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të godinës së pritjes nr.1 në Qytetin Studenti, kreu i mazhorancës ka deklaruar se uron dhe shpreson që opozita t’i votojë këto tre ligje në emër të ëndrrës së bukur të rinisë dhe gjithë shqiptarëve, ëndrrën evropiane.
“Tani jemi në një moment të dytë shumë të rëndësishëm, ai i marrjes së statusit. Nga Shqipëria kërkohet të votohen tre ligjet. Uroj dhe shpresoj që opozita t’i votojë këto tre ligje dhe të mos pranojë kurrë për të dëmtuar dhe cenuar ëndrrën e bukur të rinisë shqiptare, ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, ëndrrën europiane”, ka deklaruar Berisha. Shefi i ekzekutivit ka deklaruar me tej se përmirësimi i kushteve të jetesës dhe lehtësimi i barrës ekonomike të studentëve të vendosur në Qytetin Studenti është ndër përparësitë e qeverisë. Ai ka premtuar se pas rikonstruksionit të godinës së parë, një investim rreth 43 milionë lekë, ky proces që do të vazhdojë me rikonstruksionin e plotë të të gjitha godinave dhe me ndërtimi i godinave të reja për akomodimin e studentëve.
Kryeministri tha se rritja e cilësisë në edukim duhet të jetë objektivi i përbashkët, pasi “vetëm një shoqëri dhe një ekonomi që bazohet mbi dijen, do të mund të jetë shoqëri e zhvilluar, ekonomi e zhvilluar.” Duke iu referuar festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, Berisha ka deklaruar se ky shekull që po lëmë pas ka qenë i vështirë për shqiptarët, por vitet e ardhshme do të jenë të lumtura.
“Shekulli që lëmë pas ka qenë një shekull i vështirë. Shekull sakrificash të mëdha, vuajtjesh të jashtëzakonshme, përpjekjesh mbinjerëzore, por fakti që sot, ne mblidhemi dhe festojmë si një komb i lirë kudo që jemi, përbën arritjen më të madhe të këtij shekulli, përbën gjithashtu bazën më të shkëlqyer që shekulli tjetër të jetë një shekull i ndritshëm për shqiptarët. Ai do të jetë i ndritshëm, sa më shumë ne të investojmë tek arsimimi, shkollimi, edukimi i fëmijëve dhe i të rinjve shqiptarë”, ka thënë Berisha.
15 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)