Nga Greqia në Francë, miliona protestojnë kundër masave të kursimit


Policia dhe protestuesit u përplasën dhunshëm në Spanjë dje, ndërkohë që miliona punëtorë dolën në grevë në të gjithë Europën për të protestuar ndaj shkurtimit të shpenzimeve, masa që sipas tyre thjesht sa e kanë përkeqësuar krizën ekonomike. Qindra fluturime u anuluan, fabrikat e makinave dhe portet ndaluan së punuari dhe trenat qarkulluan me vështirësi në Spanjë e Portugali ku sindikatat zhvilluan grevat e para të përgjithshme të koordinuara.


Policia kundër protestave arrestoi së paku dy vetë në Madrid dhe i goditi të tjerët me shkop gome. Në Romë, studentët e bombarduan policinë me gurë në një protestë kundër planeve për shkurtimin e shpenzimeve në sistemin e shkollave. Shërbimet ndërkombëtare hekurudhore u bllokuan nga grevat në Belgjikë ndërsa ndërprerje pune pati edhe në Greqi, Itali e Francë. Sindikatat kanë organizuar “Ditën Europiane të Aktivizmit dhe Solidaritetit”.


“Ne jemi në grevë për të ndaluar këto politika vetëvrasëse”, tha Candido Mendez, kreu i sindikatës së dytë më të madhe në Spanjë. Më shumë se 60 njerëz u arrestuan në Spanjë dhe 34 të tjerë u plagosën. Mes të plagosurve, 18 qenë policë të goditur nga copat e xhamit të fasadave të vandalizuara të dyqaneve. Protestuesit dëmtuan automatet bankare me monedha dhe ngjitës si dhe vendosën parulla antiqeveritare nëpër dritaret e dyqaneve. Konsumi i energjisë elektrike ra me 16 për qind për shkak të mbylljes së fabrikave.


Kreditorët ndërkombëtarë dhe disa ekonomistë thonë se programet e rritjes së taksave dhe shkurtimit të shpenzimeve janë të nevojshme për të ribalancuar financat publike pas shumë vitesh me shpenzime të tepërta. Ndërsa shumë vende të tjera europiane kanë parë shpërthime dhune, një protestë e koordinuar dhe efektive kundër masave të kursimit është një problem i ri i hasur nga qeveritë.


Spanja, ku kriza ka hedhur miliona vetë në kushtet e varfërisë, ka parë disa nga protestat më të mëdha. Kryeministri Mariano Rajoy po përpiqet të shmangë detyrimin për të pranuar ndihmat europiane, gjë që do të kërkojë shkurtime shpenzimesh edhe më të mëdha. Popullata u zemërua në Spanjë javën e kaluar kur një grua u hodh nga dritarja për të vdekur, pasi zyra përmbarimore e borxheve shkoi ta nxirrte nga shtëpia. Spanjollët janë të zemëruar për faktin se bankat u shpëtuan nga falimenti me fondet e taksapaguesve ndërsa kredimarrësit janë lënë të falimentojnë.


Në Portugali, një vend që e ka pranuar ndihmën e shpëtimit, rrugët kanë qenë më të qeta, por zemërimi ndaj masave të kursimit po rritet gjithashtu. Qeveria e këtij vendi sakaq është detyruar të heqë dorë nga disa masa kursimesh, për shkak të protestave. Portugalia po lavdërohet nga kancelaria gjermane Angela Merkel si një shembull i mirë, por kjo e fundit shikohet me neveri në shumicën e vendeve të Jugut të kontinentit.


“Unë jam në grevë për shkak se ata që punojnë praktikisht po shantazhohen për të sakrifikuar gjithnjë e më shumë në emër të reduktimit të borxhit, por kjo është një gënjeshtër e madhe”, thotë Daniel Santos de Jesus, 43 vjeç, i cili punon si profesor arkitekture në Lisbonë. Rreth 5 milionë njerëz ose 22 për qind të forcës punëtore, janë anëtare të sindikatave në Spanjë. Në Portugali, një e pesta e punëtorëve janë gjithashtu sindikalistë.