Në ceremoninë që u mbajt të hënën në Tiranë për të kremtuar 40-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka munguar kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Shkak për këtë mungesë është bërë prania e nënkryetarit të Akademisë së Serbisë, Lubisha Rakiç


40-vjetori i Akademisë së Shkencave 


Muzafer Korkuti: Kemi parime shkencore, nuk bëjmë diferencime


Oliverta Lila


Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nuk ka pranuar të marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të 40-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që u organizua të hënën në Akademinë e Arteve. Të ftuar ishin përfaqësues të 24 akademive, i pranishëm edhe Kryeministri Berisha. Shkak për këtë mungesë është bërë ftesa që i është dërguar Akademisë Serbe të Shkencave dhe e Arteve për të qenë e pranishme në këtë aktivitet. Në ceremoninë e së hënës, Akademia e Serbisë është përfaqësuar nga nënkryetari i saj, Lubisha Rakiç. Sipas mediave kosovare, Akademia e Shkencave dhe Kosovës kishte paralajmëruar më parë mungesën në rast se ftesa i çohej Akademisë së Shkencave të Serbisë. Pasi akademiku Rakiç kishte konfirmuar praninë e tij në kremtimin e 40-vjetorit, kryetari i ASHAK-ut, akademiku Hivzi Islami, ka dërguar një letër ankese në Tiranë që më 29 tetor 2012. “Këto ditë mësuam se në kremtimin e 40-vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ishte ftuar edhe Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve. Është punë e juaj se kë ftoni, por duke marrë parasysh rolin e Akademisë serbe në përpilimin e suazave ‘shkencore’ dhe ideologjike në nxitjen e dhunës dhe të gjakderdhjes masive deri te gjenocidi i hapur ndaj shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve etj., Akademia jonë nuk e ka pritur mirë këtë ftesë. Akademia serbe në vitin 1986 ka hartuar projektin famëkeq, me emrin ‘Memorandum SANU’, si platformë kryesore në të cilën u mbështet Millosheviçi në ndërmarrjen e masave represive dhe zhvillimin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, veçanërisht ndaj shqiptarëve që nga viti 1987. Anëtar i ekipit të këtij ‘Memorandumit’ ishte edhe nënkryetari i sotëm i Akademisë serbe, akademiku Lubisha Rakiçi, i cili, siç morëm vesh, e ka paralajmëruar ardhjen në përvjetorin e Akademisë suaj. Për shkak të këtij projekti, nga i cili kjo Akademi ende nuk është distancuar, ajo mbeti e izoluar deri vonë nga asociacionet e akademive europiane, por edhe nga disa akademi të ish-Jugosllavisë, të cilat edhe sot nuk e ftojnë në asnjë takim. Vitin e kaluar, Akademia Kroate e Shkencave dhe e Arteve, për shkak të këtij ‘Memorandumi’ nuk e ftoi Akademinë Serbe, madje as atë malazeze, në 150-vjetorin e themelimit të saj. Dhe këtë fakt e keni ditur edhe ju z. kryetar”, thuhet në letrën dërguar Akademisë Shqiptare. Një vendim i tillë në fakt nuk është komentuar aspak si normal nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Nënkryetari i kësaj akademie, z. Muzafer Korkuti, shprehet se këto aktivitete realizohen mbi parime bazë, të cilat nuk lejojnë diferencime mes akademive. “Unioni Ndërkombëtar i Akademive organizon veprimtari ndërkombëtare dhe është bërë në traditë të Europës që çdo Akademi kur ka përvjetorë fton kryetarët e të gjitha akademive që janë pjesë e këtij unioni. Ne nuk bëjmë dallime mes akademive në pozicionet e tyre, nuk kemi arsye shkencore që ne të bëjmë dallimet mes një kryetari akademie apo një nënkryetari, sepse ne nuk përcaktojmë emrat që duhet të vijnë”, thekson z. Korkuti. Sipas tij, përgjegjësia është e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për qëndrimin që mbajtën. Ndërkohë, po në letrën e dërguar, akademiku Hivzi Islami kishte shkruar se do të mungonte në një rast të tillë. “E pakënaqur me këtë hap, udhëheqja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nuk do të marrë pjesë në këtë përvjetor të Akademisë suaj”, thuhet në mes tjerash në letrën e nënshkruar nga akademiku Islami. Pa dashur të ndalet te hollësitë që përshkruhen në letër për nënkryetarin e Akademisë së Serbisë, akademiku Muzafer Korkuti, nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përsërit se takime të tilla po ndodhin edhe në nivele politike dhe nuk ka sesi të mos ndodhin në mes shkencëtarëve. “Si do të bashkëpunojmë me këto vende në qoftë se as shkencëtarët nuk pranojnë të takohen. Ne kemi projekte të përbashkëta”, ka theksuar Korkuti. Sipas tij, nuk mund të ketë sjellje të tilla që reflektojnë situata që u ndodhnin akademikëve në kohën e komunizmit. “Unë e kam jetuar atë kohë dhe kur na dërgonin me delegacione jashtë shtetit, na përsërisnin që nuk duhet të takonim delegacionet e tri shteteve, siç ishte Izraeli apo Amerika. Por sot nuk jemi në të njëjtën situatë dhe ky qëndrim nuk është në përputhje me parimet shkencore”, është shprehur Muzafer Korkuti. Në fakt kjo nuk është e para mosmarrëveshje kohët e fundit mes akademikëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Kujtojmë se në debatin e bërë për standardin e gjuhës shqipe më shumë se një vit më parë, ndonëse shkak nuk ishte prania e një akademiku serb, u zhvillua një diskutim i gjatë mbi ftesën e munguar për akademikët në Kosovë.